Kryesia e Degës së Aleancës Kosova e Re (AKR) në Prizren, përfshirë kryetarin Afrim Tejeci, ka njoftuar dorëheqjen e saj të parevokueshme. Vendimi erdhi si rezultat i pakënaqësive të shumta me zhvillimet e fundit brenda partisë, veçanërisht lidhur me procesin e përzgjedhjes së listës zgjedhore dhe koalicionin me listën “Familja”.
“Duke u bazuar në rrethanat e krijuara kohëve të fundit në partinë AKR, në të cilën është krijuar një klimë e pafavorshme, e cila është krijuar nga disa persona, të cilët po veprojnë në mënyrë të papërgjegjshme, duke u munduar që ta anashkalojnë degët e partisë, duke marrë veprime krye në veti, sidomos me krijimin e koalicionit me listën ‘Familja’, si dhe vënien e tyre në krye, si bartës të listës zgjedhore, për zgjedhjet nacionale të 9 shkurtit 2025, pa u konsultuar fare me kryetarët dhe kryesitë e degëve, nëpër qendrat kryesore të Kosovës, por duke e bërë këtë veprim si fakt të kryer, me të cilin kanë shkaktuar pakënaqësi nëpër udhëheqje të degëve, si dhe në mbarë anëtarësinë e gjerë të partisë tonë AKR”, thekson Kryesia e kësaj dege në deklaratën e tyre publike, përcjell PrizrenPress.
Gjithashtu, deklarata thekson dëmet e shkaktuara ndaj demokracisë brendapartiake: “Prandaj, duke qenë se me këtë akt të pamatur, është shkaktuar një dëm i madh, nga i cili është humbur subjektivizmi i plotë i partisë, duke ia dorëzuar partinë disa personave nga jashtë, të cilët nuk e kanë pasur asnjë lloj merite për ngritjen dhe shtrirjen e partisë në nivel të vendit, është dëmtuar rëndë ushtrimi i demokracisë brendapartiake, si dhe na është pamundësuar puna e jonë e mëtejshme në këtë parti”.
Në vijim, Kryesia sqaron qëndrimin e Degës së Prizrenit për të mos deleguar kandidatë për deputetë: “Pasi nuk u realizua kërkesa e kryetarëve të degëve të qyteteve, atëherë dega e Prizrenit mori një qëndrim të mos delegojmë asnjë kandidat për deputet. Kjo u pa me rastin e formimit të listës me tri grupe, e cila nuk arriti të plotësohet, për shkak të mosgatishmërisë së kandidatëve për të marrë pjesë në këtë listë të kryesuar nga koalicioni ‘Familja’”.
Dorëheqja kolektive është përfunduar me një thirrje për përgjegjësi: “Duke u gjendur para kësaj situate të rëndë, e cila është krijuar kohëve të fundit nga persona të caktuar, të cilët nuk na kanë lënë rrugë tjetër, përveç se të marrim mendimin e kryesisë dhe kemi vendosur që së bashku me kryesinë e degës në Prizren, të japim dorëheqje të parevokueshme dhe për këtë akt, do të mbajnë përgjegjësi ata që e kanë krijuar këtë gjendje në partinë AKR”./PrizrenPress.com/
Përjetoni pushime të paharruar dhe dasma magjike në Hotel “Albes Residence”