Bashkimi i Prizrenit ka përfunduar stinorin e rregullt të Superligës së Kosovës në basketboll në vendin e parë, duke u shpallur kampion i kësaj faze të garës – një objektiv i vendosur që nga fillimi i sezonit.
“Stinorin e rregullt e përfundojmë pikërisht ashtu siç kemi synuar që në fillim: në krye të tabelës, si kampionë të stinorit të rregullt”, thuhet në njoftimin e klubit, përcjell PrizrenPress.
Kjo arritje, sipas klubit prizrenas, është fryt i një pune të palodhshme dhe një organizimi të jashtëzakonshëm në çdo hallkë të klubit.
“Ky është rezultat i një pune të palodhshme, përkushtimi maksimal dhe, mbi të gjitha, një organizimi të jashtëzakonshëm brenda klubit. Çdo hallkë e këtij mekanizmi – nga drejtuesit, stafi teknik, lojtarët e deri te tifozët tanë besnikë – ka dhënë kontributin e vet”.
Tani të gjitha përgatitjet janë përqendruar në fazën përfundimtare të kampionatit – play-off-in – ku Bashkimi do të kërkojë të kurorëzojë këtë rrugëtim me titullin e madh.
“Tani na pret një sfidë e re: play-off-i. Do të hyjmë aty me besim, me krenari dhe me një qëllim të qartë – ta përmbyllim sezonin ashtu siç e kemi nisur: me fitore dhe trofe”.
Në fund, Bashkimi ka shprehur mirënjohje për të gjithë ata që e kanë mbështetur në këtë rrugëtim.
“Faleminderit të gjithëve për mbështetjen dhe përkushtimin!”/PrizrenPress.com