Edhe përkundër që Kosova ka mbi 20 skema sociale dhe shumë probleme të tjera sociale, viteve të fundit është ndër vendet e vetme në Evropë që nuk ka ministri për politika sociale. Se është e domosdoshme krijimi i një ministrie për punë sociale e thonë edhe udhëheqës të institucioneve për çështje sociale. Po ashtu, krijimin e një ministrie të tillë e ka kërkuar edhe Koalicioni i Organizatave Joqeveritare për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë.
Mungesa e Ministrisë për Punë Sociale në Kosovë vazhdon të jetë sfidë për zhvillimin e politikave që adresojnë nevojat e grupeve të cenueshme dhe situatat sociale. Rikthimin e Ministrisë për Punë Sociale ditëve të fundit e ka kërkuar Koalicioni i Organizatave Joqeveritare për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë. Klevis Vaqari, nga kjo organizatë, i tha Radio Kosovës se kjo organizatë i është drejtuar subjekteve politike që do të krijojnë qeverinë, me kërkesën që të rikthehet Ministria për Mirëqenie Sociale, pasi sipas saj, kjo është tejet e rëndësishme.
“Ndarja e ish Ministrisë së Punës, ne konsiderojmë se ka pasur ndikimin e saj në mungesën e prioritizimit për shërbimet sociale. Në hulumtimet e shumta që i kemi bërë, kanë treguar se situata nuk është shumë e favorshme e sidomos për grupet me të cenuara siç janë fëmijët. Po ashtu, viteve të fundit kemi konstatuar se mirëqenia dhe shërbimet ende nuk janë prioritet në kuadër të qeverisë”, tha Vaqari.
Kërkesë për rikthimin e Ministrisë për Punë Sociale kohë me parë ka bërë edhe ish-drejtori i Qendrës për Punë Sociale në Prishtinë, Vebi Mujku. Ai i tha Radio Kosovës se Kosova ka mbi 20 skema sociale dhe probleme të shumta sociale, prandaj është e nevojshme krijimi i një ministrie të tillë.
“Kosova është ndër vendet e vetme në Evropë, e cila nuk ka një ministri për politikat sociale. Kosova një vend me mbi 20 skema sociale, si dhe shumë probleme të tjera, nuk ka ministri të tillë. Prandaj një fuzionim i ministrisë është i më se i domosdoshëm. Ku më pas do të fuzionohen shërbimet sociale, skema e ndihmës sociale, kategoria e personave me aftësi të kufizuara dhe të gjitha kategoritë e tjera nën ombrellën e një ministrie”, tha Mujku.
Të domosdoshme rikthimin e Ministrisë për Punë Sociale po e sheh edhe drejtori i Qendrës për Punë Sociale në Fushë Kosovë, Abaz Gjigoli. Ai i tha Radio Kosovës së numri i personave që po kërkojnë ndihmë sociale është në rritje.
“Marrë parasysh që numri i qytetarëve në nevojë që marrin shërbime sociale është në rritje dita ditës, dhe për këtë ka nevojë që të krijohen programe më të veçanta. Prandaj ka nevojë për një ministri përkatëse. Dy ministri të ofrojnë shërbime siç po ndodh tani, mendoj që është e tepërt”, theksoi Gjigoli.
Një ministri e tillë do të kishte rol kyç në formësimin e politikave, koordinimin e shërbimeve dhe garantimin e mbrojtjes sociale për të gjithë qytetarët. Për më tepër, mungesa e një institucioni të tillë bën që shumë problematika sociale të mbesin të papërfillura, duke përfshirë familjet në kushte të vështira ekonomike, dhunën në familje, abuzimin me drogën, dhe ndihmën për persona me aftësi të kufizuara. Pa një qasje të integruar dhe të qëndrueshme, përpjekjet e shpërndara nga OJQ-të dhe organizatat ndërkombëtare shpesh dështojnë të japin ndikimin e dëshiruar, duke i lënë individët pa mbështetje të nevojshme.