12.5 C
Prizren
E shtunë, 14 Shkurt, 2026

Hamit Gurguri prezanton veprimtarinë krijuese në Rahovec

Në kuadër të atmosferës festive të “Festës së Vjeljes së Rrushit” në Rahovec, Klubi letrar “Xhevdet Bajraj” organizoi një aktivitet kulturor me rastin e prezantimit të opusit krijues të shkrimtarit dhe romancierit të njohur, Hamit Gurguri.

Ngjarja u mbajt në kompleksin historik “Maja e Shkodranit”, një vend simbolik që lidhet ngushtë me tematikën e romanit të Gurgurit “Nusja e plakut”. Ky roman trajton temën e luftës për çlirimin e Kosovës, me fokus të veçantë komunën e Rahovecit dhe fshatin Xerxë, si dhe përkujton heroin Arian Brahimi (Shkodrani), i cili ra dëshmor në këtë vend.

Në prezantim morën pjesë figura të njohura të letrave shqipe, përfshirë Prof. dr. Besim Muhadrin, shkrimtarët Hysen Berisha dhe Qemajl Krasniqi, si dhe Bardh Nëngurrën, sekretar i Lidhjes së Shkrimtarëve Shqiptarë në Norvegji, i cili ndau kujtime personale për autorin.

Gjatë fjalimeve, u theksuan aspekte të rëndësishme të krijimtarisë së pasur të Gurgurit. Prof. dr. Muhadri analizoi romanin “Himni i Shotës”, ndërsa Hysen Berisha – në cilësinë edhe të nënkryetarit të Lidhjes së Shkrimtarëve Shqiptarë “Nëna Tereza” në Norvegji – u ndal në romanin “Enigmë mërgimi”. Një vështrim kritik mbi romanin “Nusja e plakut” ofroi edhe shkrimtari Qemajl Krasniqi.

Në fjalën e tij, autori Hamit Gurguri falënderoi Klubin letrar “Xhevdet Bajraj” për mikpritjen dhe theksoi rëndësinë e veçantë që ka për të vendi ku u zhvillua aktiviteti, si burim frymëzimi dhe përkujtimi. Ai vlerësoi gjithashtu Suedinë, vendin ku jeton prej vitesh, për mundësitë që i ka dhënë për të krijuar dhe për të dëshmuar historinë dhe përpjekjet e shqiptarëve për mbijetesë.

Me një krijimtari që përfshin mbi tetëdhjetë vepra letrare, studimore dhe përkthime, Hamit Gurguri mbetet një ndër emrat më të përkushtuar në fushën e letërsisë dhe studimeve kulturore shqiptare.

Në përmbyllje të aktivitetit, autori dhuroi disa nga veprat e tij për Bibliotekën Komunale “Sulejman Krasniqi” në Rahovec./PrizrenPress.com

Marketing

Më Shumë

Arrest shtëpiak për 15 të dyshuar për manipulim votash në Dragash dhe Suharekë

Gjykata Themelore në Prizren ka mbajtur më 10 dhe 11 shkurt katër seanca dëgjimore lidhur me kërkesat e Prokurorisë Themelore për caktimin e masave...

Rekonstruktohet aksi rrugor Sarosh – Rahovec, nisin punimet

Kanë nisur punimet për rehabilitimin dhe rikonstruimin e aksit rrugor Sarosh – Polluzhë – Pastasel – Senoc – Drenoc – Rahovec, ka njoftuar Drejtoria...

Lajmet e Fundit