3.9 C
Prizren
E hënë, 23 Dhjetor, 2024

Bashkimi Evropian, Kosova dhe Islami

Faik MiftariZanafilla e integrimeve evropiane daton qysh nga mesjeta, pikësëpari ishte aspekti gjeostrategjik apo mbrojtës nga rreziqet që e kërcënonin Evropën në atë kohë.. Dy faktor kryesor atakues kundër Evropës ishin kryqëzatat e zhvilluara për tokën e shenjtë të Jerusalemit në shekujt XI,XII,XIII si dhe përhapja e Perandorisë Osmane në Evropë në shekujt XIV dhe XV. Për idetë e integrimeve evropiane kanë shkruar shumë autorë qysh në mesjetë, nga të cilët do t’i cekë disa prej tyre. Publicisti francez Pierre Dubois ka shkruar në librin e tij me titull:”Ripushtimi i Tokës së Shenjtë” të botuar në vitin 1306, ku propozon krijimin e një ”Lidhjeje të shteteve evropiane” me qëllim që “Toka e Shenjtë të çlirohet nga duart e të pafeve”. Për “idenë evropiane” ka qenë edhe poeti i njohur italian Dante Aligeri i cili ka propozuar”krijimin e një lidhjeje shtetesh me një gjykatë arbitrazhi në krye të së cilës do të ishte një perandor ”.
Pushtimi i Konstantinopolit (Stambollit) në vitin 1453 nga Perandoria Osmane i ka shpejtuar zërat për krijimin e një aleance evropiane për t’u kundërvënë rrezikut osman i cili depërtonte rrufeshëm në portat e Evropës.
Mbreti i rajonit të Bohmenit në Çeki, Georg Podiebrad përpiloi një Projekt për krijimin e një ”aleance evropiane për mbrojtjen nga Perandoria Osmane”. Juristi britanik William Penn në elaborimin e tij propozoi ” një lidhje, bashkim apo aleancë evropiane e cila nuk do të shërbente vetëm për sigurimin e paqes, për qëllime ushtarake dhe strategjike, por edhe do të ndikonte në zhvillimin e tregtisë dhe mirëqenies sociale”. Edhe filozofi i njohur gjerman Emanuel Kanti në veprën e tij “Për paqen e përhershme” propozoi idenë për” formimin e një federate të shteteve evropiane e cila do të shërbente si mjet për sigurimin e paqes”. Shkrimtari dhe iluministi i mirënjohur francez Viktor Hygo, me rastin e hapjes së Konferencës së Paqes në Paris me 21 gusht 1849 në Paris, gjatë fjalimit të tij, përveç tjerash, ka thënë:” Një ditë do të vijë, kur plumbat dhe bombat do të zëvendësohen me fletëvotime, me të drejtën e përgjithshme të popujve për zgjedhje, me vendimet e një senati të madh evropian, i cili do të ketë domethënie për Evropën, të cilën e ka Parlamenti për Anglinë apo Asambleja Nacionale për Francën. Kjo ditë do të vijë pa kaluar 400 vite”. I fundit të cilin do të përmend si ideator i krijimit të integrimeve evropiane ishte politikani dhe diplomati i njohur britanez Winston Churchill, i cili më 19.09.1946 në Cyrih të Zvicrës mbajti një fjalim në Universitetin e Cyrihut me ç’rast kërkoi formimin e “Shteteve të Bashkuara të Evropës”.

Kaluan vetëm 100 e ca vite nga propozimi i Viktor Hygos, nismat për integrimet evropiane u bënë realitet me formimin e Bashkësisë Evropiane për Thëngjill dhe Çelik, në vitin 1952, i njohur me emrin Traktati i Parisit, si dhe me formimin e Bashkësisë Ekonomike Evropiane dhe Bashkësisë Evropiane për Energjinë Bërthamore (EUROATOMI) në vitin 1957 që njihet si Traktati i Romës.
Dua të cek se Bashkimi Evropian qëndron në tri principe kryesore, atë historik( që bazohet në filozofinë antike greke dhe drejtën romake), atë kulturor ( në civilizimin e krishterë) atë politik ( demokracinë liberale). Ndërsa kriteret e Kopenhagës që duhet plotësuar çdo shtet i cili synon Bashkimin Evropian janë kriteri politik (nënkupton stabilitet institucional, rendin demokratik, liritë dhe drejtat themelore të njeriut si dhe mbrojtja dhe respektimi i të drejtave të pakicave), kriteri ekonomik (nënkupton tregun e përbashkët evropian, ekonominë funksionale dhe konkurrencën), kriteri asquis communautaire-juridik ( nënkupton përvetësimi i legjislacionit të Bashkimit Evropian që përfshin diku rreth 850.000 faqe akte juridike).
Kosova, (krahas Shqipërisë e cila pritet që pas 6 muajsh të merr statusin e kandidatit anëtar të Bashkimit Evropian), është i vetmi shtet në Ballkan i cili akoma jo vetëm që nuk është kandidat për shtet anëtar në Bashkimin Evropian, por nuk i ka përmbushur edhe kushtet për liberalizimin e vizave, dhe se gjendet në fazën e stabilizim asocimit për Bashkimin Evropian. Të gjitha shtetet tjera të Ballkanit janë në fazën e procesit të kandidatit për shtet anëtar të Bashkimit Evropian ( Serbia, Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia dhe Turqia), të cilët, varet nga ta sa janë në procesin e përmbushjes të një pas njëshme të 35 kapitujve të domosdoshëm për të plotësuar kriterin juridik, si dhe kriterin politik e ekonomik për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Për momentin, Kosova e përmbush vetëm kriterin alternativ, atë gjeografik ( pasi që gjendet në kontinentin evropian) për anëtarësim në Bashkimin Evropian që mund të jetë një satisfikacion moral për momentin në të cilin gjendet Kosova. Kosovën e pret rrugë e gjatë dhe e mundimshme për anëtarësim, pasi janë një varg pengesash të shumta drejt realizimit të qëllimit të saj, anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Të gjitha kriteret e parapara për anëtarësim në Bashkimin Evropian, në mënyrë të drejtpërdrejtë sikurse kriteri politik, ekonomik dhe juridik, por edhe kritere shtesë të cilët i merr parasysh Bashkimi Evropian sikurse kriteri historik dhe kulturor, janë me të vërtet shumë të vështira për të plotësuar të gjitha, duke marr parasysh shumë faktorë tjerë jashtë Kosovës, të cilët deshëm apo s’deshëm ndikojnë në mënyrë indirekte në plotësimin e kriterëve për anëtarësim në BE.
Këtu do të cek vetëm kriterin indirekt për përmbushje, atë politik (të jashtëm), si dhe kriterin tërthorë, kriterin kulturor (të ndryshëm) të cilët sipas mendimit tim do të hapin rrugën Kosovës drejt anëtarësimit të saj në Bashkimin Evropian.
I pari, kriteri politik ( i jashtëm) ndërlidhet me Serbinë, e cila sipas të gjitha gjasave pritet që të jetë anëtare e plotë në Bashkimin Evropian në vitin 2020, dhe prej saj varet se çfarë pozicioni do të merr karshi Kosovës, e cila në mënyrë automatike do të ndikojë që pesë shtetet e Bashkimit Evropian pas kësaj ta njohin pavarësinë e Kosovës (Spanja, Sllovakia, Rumani, Greqia dhe Qiproja) me ç’rast do të jetë një hap shumë i madh drejt fitimit të kandidatit anëtar të Kosovës për aderim në Bashkimin Evropian.
I dyti, kriteri kulturor ( i ndryshëm), konsiston në aspektin kulturor, pasi që shumica absolute, 95% i takojnë besimit Islam në Kosovë, për dallim nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian të cilët në shumicë absolute i takojnë besimit të krishterë, ritit katolik, protestant apo ortodoks. Këtu duhet të kemi qasje reale me këtë gjendje faktike të popullit të Kosovës. Nuk ka çka të fshihet prej kësaj, Bashkimi Evropian shumë mirë e ka të njohur këtë fakt, duke u vërtetuar edhe me rezultatet e dala nga regjistrimi i fundit i popullsisë i mbajtur në Kosovë në vitin 2011. Me këtë fakt duhen pajtuar edhe elita politike, shtetërore, intelektuale,, mediatike e të tjerë, si gjendje reale të cilin duhet marr parasysh, e jo të shtiret, të anashkalohet, të maskohet, me çfarëdo qasje tjetër nga realiteti i tillë , duke u përpjekur që të evitojnë këtë gjendje faktike të popullit të Kosovës, me plasime, dezinformime, qasje anakronike, të paqëndrueshme, jo shkencore, jo historike, duke u munduar në një apo tjetër aspekt të paraqesin veten dhe popullin e Kosovës se i përket apriori civilizimit perëndimor evropian. Edhe kjo përpjekje është e kotë, e paqëndrueshme, se sikurse civilizimi i krishterë, ashtu edhe islam e hebraik e kanë burimin dhe zanafillën në Orient(Lindje) dhe assesi në perëndim, porse gjatë periudhave të ndryshme historike janë përhapur si në perëndim, veri e jug të hemisferës së globit tokësor. Me këtë nuk i kontribuohet përpjekjeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por e largojnë më tepër Kosovën. Duhet në mënyrë të hapur dhe aspak nguruese që të tregohet dhe të potencohet fakti se shumica absolute e Kosovës i takon civilizimit islam (dhe assesi nuk thuhet lindor) për dallim nga shumica absolute e Bashkimit Evropian që i takon civilizimit të krishterë (dhe assesi nuk thuhet perëndimor), dhe se krahas civilizimeve aktuale në Bashkimin Evropian, Kosova me civilizimin e saj shumicë islame do të begatojë Evropën me një koloritë shtesë në koloritin e saj të pasur evropian. Ky është i vetmi element i cili mund të jetë i drejtë dhe real, dhe se assesi nuk varet prej neve se këtë kriter kulturor ( të ndryshëm). Kosova mund ta plotësoj, pasi që nuk ka gjasa as teorike e lere më praktike që mund të ndërrohet kjo gjendje faktike, por varet prej vullnetit dhe dëshirës së Bashkimit Evropian a do ta pranojë këtë kulturë tjetër në gjirin e saj të përbashkët evropian, e që sipas mendimit tim do të pranojë në një kohë dhe moment të caktuar në një të ardhme jo shumë të largët.
Të gjitha qasjet tjera kanë për të dështuar, nga deklarimet e paqëndrueshme dhe të pavërteta nga individët të caktuar të elitës politike, shtetërore, intelektuale, mediatike, sikurse kjo që e lexova gjatë këtyre ditëve se ”dielli i shqiptarëve lind nga Perëndimi”, thënia e Faik bej Konicës, e cituar nga një mësimdhënës universitar(B.L.), një thënie anakronike që fare nuk ka të bëjë me realitetin e tanishëm dhe është jashtë kontestit aktual kohor të cilën do të aludoj, se atë ditë kur dielli do të lind nga Perëndimi, është shenja e kataklizmës (kijametit) të kësaj bote, pas së cilës pason shkatërrimi i kësaj bote, varësisht prej asaj, e drejta e çdo kujt është e patjetërsueshme a do të besojë apo jo në këtë parashenjë të lindjes së diellit nga Perëndimi si një prej parashenjave të kataklizmës (kijametit) të kësaj bote.

Më Shumë

Mësuesja nga Hasi që ‘jeton’ me 1000 pula: Dashurinë për kafshët ma mësoi njerka

Flora Mulaj, një mësuese e përkushtuar nga Hasi, ka kaluar 37 vite duke edukuar fëmijët e ciklit të ulët në një fshat të zonës. Me...

Suhareka hap dyert për mërgimtarët, siguron parkingje falas për festat e fundvitit

Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj ka marrë vendim që tri parkingje të vihen në shërbim të mërgimtarëve gjatë festave të fundvitit. Ai ka...

Lajmet e Fundit