14.8 C
Prizren
E mërkurë, 1 Maj, 2024

Nuk mjafton Edukata Qytetare – është koha për Sjellja Sociale Publike

LuanSallaukaShkruan: Luan Sallauka

Kohëve të fundit shoqëria kosovare po ballafaqohet me lloj-lloj problemesh sociale, të cilat po reflektojnë direkt në zhvillimin e saj. Një ekonomi e brishtë, mungesa e zbatimit të ligjshmërisë, zhvillimi i një strukture të dobët institucionale dhe mbi të gjitha një shoqëri në tranzicion, po e tregon mirëfilli se ku jemi si shoqëri.

Mirëpo, si asnjëherë më parë shoqëria kosovare e pasluftës po ballafaqohet me një fenomen tepër të rrezikshëm, shfaqjen dhe zhvillimin e agresivitetit ekstrem nëpër institucionet shkollore, veprime këto që në disa raste janë përmbyllur edhe me fatalitet, plagosje dhe vrasje.
Pavarësisht përpjekjeve (shumë të vogla) të institucioneve shkollore që këto fenomene t’i parandalojnë, rezultatet e këtij fillimviti janë tregues i qartë se 2014 do të mund të na befasojë në shtimin e numrit të rasteve ku nxënësit me dashje apo pa dashjen e tyre, do të prodhojnë raste të frikshme si tri të fundit.
Të gjithë jemi dëshmitarë për fillimin e një procesi të ri arsimor të thirrur në reforma të shtrira në çdo segment të procesit arsimor, reforma këto që nuk kanë reflektuar suksesin e pritur. Gjithsesi që këto reforma lënë shumëçka për të dëshiruar.
I gjithë ky problem madhor ka një hallkë zingjirore. Sistemi i Bolonjës i aplikuar në procesin arsimor të Kosovës, është treguesi më i qartë i dështimit në tërë procesin arsimor në Kosovë, për shkak të mungesës së përgatitjes së mjaftueshme të atyre kuadrove profesionale që do ta lëviznin këtë proces në përgjithësi. Dhe, sigurisht mungesa e këtyre kapaciteteve kanë reflektuar këtë gjendje të brishtë të arsimit kosovar i cili tanimë ka filluar të na hakmerret në mënyra të ndryshme.

Pse sistemi i Bolonjës e ka prodhuar këtë krizë?

Përgjigjja është fare e thjeshtë. Ky sistem nuk prodhon kapacitete të forta as individuale e as kolektive, konkretisht në rastin e Kosovës. Jemi dëshmitarë se ky sistem në vazhdimësi ka gjeneruar stereotipe kapacitetesh me nivel fare të ultë të produktivitetit të tyre. Andaj për këto 15 vite ne jemi dëshmitarë të një numri të madh të gjeneratave jo të përgatitura mirë në profilet e tyre, që disa prej tyre të inkuadruara në procesin e përgjithshëm arsimor, e kanë prodhuar këtë gjendje. Assesi nuk duhet të jemi këmbëngulës që ky sistem e ka prodhuar tërë këtë gjendje, nëse nuk kemi parasysh ndërhyrjen e politikës në mënyra të ndryshme.
Ideja e cilitdo zyrtar arsimor që si mësimdhënës t’i pranoj gjeneratat e sapo diplomuara, vlerësohet si gabim që nuk do të falet kurrë, zyrtar këta të cilët duhet të japin dosido një ditë përgjegjësitë e tyre për gjendjen e krijuar. E keqja shkon edhe më larg, kur marrim parasysh vendimet politike nëpër komuna për përzgjedhjen e drejtorëve të shkollave fillore dhe të mesme. Paramendojeni, Drejtori i shkollës së mesme 22 vjeçar ndërsa nxënësi i klasës së 13-të, 19 vjeçar. Më shumë se kaq. Këto emërime politike jo vetëm që e kanë rrezikuar arsimin kosovar dhe e kanë krijuar këtë gjendje kaq frikësuese në njërën anë, gjithsesi se kanë nënçmuar skajshmërisht të gjitha ato gjenerata të përgatitura mirë dhe me përvojë shumë vjeçare, në anën tjetër.

Pse mungesa e ndëshkimeve i ka hapur rrugë fenomeneve negative nëpër shkolla?

Nxënësit kanë aq shumë liri nëpër shkolla, saqë këtë shumë prej tyre s’e kanë në shtëpi. Shkojnë kur të duan në shkollë. Thuajse secili nxënës posedon telefon në orar të mësimit të cilët kyçen nëpër rrjete të ndryshme në internet falë lokaleve përreth që e mundësojnë këtë veprimtari. Askush nuk mund ta shpjegoj faktin që kush i ka lejuar tërë ato lokale argëtuese, bastore dhe lojëra të fatit përreth objekteve shkollore?! Askush nuk mund ta shpjegoj faktin se nga i tërë ky guxim i këtyre nxënësve për t’i përqeshur mësimëdhënësit e tyre, për t’i penguar në orët mësimore dhe qoftë edhe për t’u kacafytur me ta.
E kaluara na tregon se nxënësit kanë treguar respekt të jashtëzakonshëm ndaj mësimdhënësve të tyre në mënyra të ndryshme. Ndërkaq, sot mësimdhënësit në shumë raste janë objekt talljeje, përqeshjeje, ngase sot roli i tyre është minimizuar deri në atë shkallë saqë nxënësit të kenë guximin të luajnë me ta. Sigurisht që asnjëri prej nesh nuk është për ndëshkimin e atyre nxënësve që shkollimin e kanë obligim, mirëpo jo edhe nxënësit të gëzojnë lirinë e tepruar sa të krijohet më shumë kaos sesa mësimdhënie dhe mësimnxënie. Andaj për ta minimizuar këtë fenomen, si zgjidhje më e mirë është mbledhja e prindërve së bashku me nxënësit dhe kujdestarët e tyre, të organizuara çdo fundjavë për t’i diskutuar problemet e mundshme.

Si mund të zgjidhet ky problem që ka filluar të na frikësojë?

Institucionet arsimore në të gjitha nivelet, e veçanërisht Ministria e Arsimit në bashkëpunim me të gjitha instancat komunale arsimore dhe ato të sigurisë, duhet t’i bashkërendojnë veprimet e tyre, duke përfshirë:
1. Sigurimin e objekteve shkollore;
2. Mbylljen e të gjitha lokaleve argëtuese, duke përfshirë edhe bastoret dhe lojërat e fatit;
3. Obligimin e mbajtjes së mbledhjeve ndërmjet kujdestarëve, nxënësve dhe familjeve të tyre për çdo fundjavë;
4. Rivlerësimi i të gjithë mësimdhënësve pa dallim, me qëllim për ta rikonfiguruar strukturën e mësimdhënësve, duke i larguar të gjithë ata mësimdhënës që nuk i plotësojnë kushtet për mësimdhënie;
5. Rivlerësimi i të gjithë drejtorëve nëpër shkolla, me kusht të largimit të atyreve që nuk i plotësojnë kushtet për realizimin e detyrave të tyre. Hapjen e konkursit për të gjitha pozitat e Drejtorëve të shkollave fillore dhe të mesme dhe, në njërin prej kushteve për aplikim të merret për bazë edhe mosha e aplikuesve (të mos pranohet asnjë aplikues që është nën moshën 40 vjeç);
6. Të fillohet rruga drejt autonomisë së arsimit edhe nëpër komuna, me qëllimin që arsimi mos të politizohet. Jo më Drejtori të Arsimit në kuadër të Kuvendeve Komunale.
7. Në nivelin e arsimit të dëshiruar (i pa obligueshëm), të ketë masa shtesë për vlerësim dhe pranim të nxënësve, etj.

Pse lënda e Edukatës Qytetare nuk po mjafton për edukimin social të nxënësve?

Fillimisht, në shumicën e shkollave fillore lëndën e Edukatës Qytetare e ligjërojnë mësimdhënës të Historisë, Gjeografisë, Edukatës Fizike, etj., dhe janë të pakëta ato shkolla ku ligjërues i kësaj lënde janë Sociologët, Pedagogët, Filozofët e Psikologët. Jo që mungojnë kapacitetet e profileve të fundit, porse atyre nuk u jepet mundësia. Fundja, është vërejtur se lëndën e Edukatës Qytetare e shohin si një lëndë plotësuese dhe sipërfaqësore.
Gjithashtu është vërejtur se edhe librat e lëndës për Edukatë Qytetare janë shumë pak praktike dhe më shumë gjeneralizuese, saqë nxënësin e bëjnë monoton brenda këtyre librave. Sigurisht, respekte për autorët e këtyre librave, por ka ardhur koha që Edukata Qytetare edhe më shumë se kaq të institucionalizohet, me qëllimin e mirë, sa më shumë reflektime pozitive nga ana e saj.
Andaj për ta plotësuar këtë vakum të krijuar në institucionet shkollore dhe, për t’i zvogëluar rastet ekstreme të rasteve të fundit që kanë përfunduar me fatalitet, është më shumë se kurrë e nevojshme, që në institucionet shkollore (fillore dhe të mesme) të inkorporohet lënda SJELLJA SOCIALE PUBLIKE, si lëndë e obligueshme, si një projekt i mirë edukativ, praktikë dhe shumë rezultativ në të ardhmen. Ende nuk është vonë.

Më Shumë

Sonte, spektakël i basketbollit pritet në Therandë

Beteja mes Golden Eagle Yllit dhe Pejës do të vazhdojë sonte mbrëma për kualifikim në finale të “Play-off”-it në Prince Caffe Superligë. Therandasit po fitojnë 2:1...

Aksidenti me fatalitet në Suharekë, shoferja dyshohet se nga pakujdesia kaloi në shiritin e kundërt dhe u godit me motoçikletën

Policia e Kosovës përmes raportit 24-orësh ka dhënë detaje lidhur me aksidentin me fatalitet që ndodhi të dielën në Shirokë të Suharekës, ku për...

Lajmet e Fundit