Njëri prej këtyre dy emrave pritet të jetë ai që do bartë partia e udhëhequr prej Fatmir Limajt. Express mëson se Limaj tash për tash është duke bashkëpunuar më këshilltarë të huaj politikë, sipas të cilëve, Limaj nuk do të duhej të futet në garë politike me hapa radikal.
Deri dje njëri prej figurave më të larta të Partisë Demokratike të Kosovës, Fatmir Limaj, gjendet në mes të idesë që partia e tij të quhet si Iniciativa Qytetare për Kosovën dhe Partia Demokratike për Integrim.
Ideja e parë, Iniciativa Qytetare për Kosovën, i ka mbetur në kokë pas rezultatit të mirë që kishte korrur me një iniciativë të tillë në Malishevë. Madje, Express, mëson se ai është i impresionuar edhe me sukseset që kanë arritur edhe në rajone të tjera të Kosovës, Iniciativat qytetare, siç ishte rasti me Lipjanin dhe Fitim Selimi.
Prandaj, sipas Limajt, thonë burimet e Gazetës Express, ky mund të jetë një emër i qëlluar, sepse qytetarët dëshirojnë të identifikohen me subjektin që e votojnë.
Në anën tjetër, opsioni i dytë, Partia Demokratike për Integrime, është një hap i ndërmjetëm.
“Nostalgjia për Partinë Demokratike. Limaj me siguri dëshiron që të mos shkëputet krejtësisht prej emërtimit Partia Demokratike e Kosovës dhe për ketë arsye ky emërtim është edhe më tutje në tavolinë”, ka thënë një burim i Express.
Në anën tjetër, Express ka mësuar se Limaj edhe përkundër faktit se i ka bërë të qarta prioritetet e tij për të formuar parti politike, ai nuk e ka ndërmend që tash të futet në ketë avanturë me një agresivitet, siç shumë kush do të priste formimin e një grupi parlamentar.
“Limaj, i këshilluar prej disa këshilltarëve ndërkombëtarë, është pajtuar që në betejën të mos futet me thyerje të mëdha. Ai nuk do të insistojë që të bije në sy me hapa të rëndë, siç do të ishte përçarja e Grupit Parlamentar të PDK’së, që edhe ashtu është mjaft i përçarë”, mëson Express.