Në fshatin Guri i Kuq të komunës së Rahovec, iu dha sot lamtumira e fundit ish-ushtarit të UÇK-së, Bajram Ramë Sylejmani, në praninë e familjarëve, bashkëluftëtarëve, miqve dhe qytetarëve të shumtë.
Në ceremoninë mortore mori pjesë edhe kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, i cili mbajti një fjalim lamtumire në nder të të ndjerit, duke vlerësuar lart jetën, veprën dhe sakrificën e tij gjatë periudhës së Lufta e Kosovës, raporton PrizrenPress.

Në fjalimin e tij, Latifi tha:
“Të pikëlluar familjarë të të ndjerit Bajram Sylejmani, shokë, miq dhe ju bashkëluftëtarë të tij, vdekja është një proces natyror që nuk mund ta shmangim, por jeta, veprat dhe kujtimet që lëmë pas na bëjnë të pavdekshëm ose njeriu harrohet e humbet gjurmët në kohë e hapësirë.
Ushtari i UÇK-së, Bajram Ramë Sylejmani ishte ndër ata djem e burra të Gurit të Kuq që u rreshtua në anën e duhur të historisë dhe e kreu me nder e përkushtim detyrën ndaj atdheut. Në kohën kur këtij vendi i duhej krahu i burrave për t’i dalë zot, Bajrami ishte ndër ata që qëndroi në njërën nga pikat e zjarrit më të nxehta, në Kramovik, ku pati shkëmbim zjarri me armikun gati çdo ditë. Dhe të jesh në kohën e duhur dhe në vendin e duhur, aty ku jeta e vdekja vareshin në fije të perit, vërtetë që nuk është gjë e vogël.
Ndonëse dikush mund ta konsiderojë kontribut modest, megjithatë nëse të gjitha këto kontribute mblidhen bashkë e përbëjnë thelbin e vetë rezistencës, kjo nënkupton mobilizim dhe kundërvënie ndaj të keqes së madhe me të cilën po përballej populli ynë.
Lufta e UÇK-së është ndër aktet më madhore të historisë tonë më të re, mbase është akti më sublim i kombit shqiptar. E në këtë vorbull të historisë, kur fati ynë ishte në peshojën e fatit historik, Bajrami me bashkëfshatarët e tij ishte aty ku e thirri zëri i atdheut. Prandaj, kujtesa jonë do të jetë e gjatë për të.
Sot, kur po i japim lamtumirën e fundit i kujtojmë vuajtjet e tij në duart e xhelatëve serb, të cilët e torturuan dhe dëmtuan rëndë shëndetin e tij. Mirëpo, ishte çmimi që shqiptarët duhet ta paguanin për ta ndjerë aromën e lirisë.
Ai sot po varroset në tokën e të parëve, të larë me djersë e gjak, në tokën për të cilën luftoi, qëndroi e vuajti. Të gjitha këto që thamë përbëjnë tërësinë e jetës dhe veprave të Bajram Sylejmanit, të cilit ne sot i jemi mirënjohës për kontributin atdhetar e njerëzor.
Nderimi që po ia bëjmë këtij burri është detyrë njerëzore e institucionale, sepse vlerësimi i kontributeve të njerëzve përbën terësinë e angazhimeve, jo vetëm të një individi, por të një grupi shoqëror, dhe banorët e Gurit të Kuq e kanë dëshmuar përkushtimin e tyre atdhetar në ditët më të vështira. Prandaj, në emër të shokëve, miqve dhe bashkëluftëtarëve i bëj thirrje familjes së tij, miqve e dashamirësve të familjes Sylejmani, që ta përballojnë me dinjitet humbjen e tij. Ngushëllimet tona shkojnë edhe për bashkëluftëtarët dhe bashkëvuajtësit e Bajramit.
Qoftë i paharruar kujtimi e nderimi për Bajram Ramë Sylejmanin! U kujtoftë përherë dhe i qoftë dheu i tokës për të cilën ai punoi e luftoi!” /PrizrenPress.com/
Marketing
Shiten banesa moderne në lagjen “Tranzit i Ri” të Prizrenit – mundësi pagese me këste
Banesat më të kërkuara në Prizren – Bëhu pronar në Foleja Residence!
Kompleksi ‘Newco Elan’ ofron banesa të ëndrrave tuaja në zemër të Prizrenit
‘Toni Residence’ – Mos e humb rastin për të blerë banesën tënde në Prizren
https://prizrenpress.com/hapesira-me-qira-ne-objektet-e-reja-te-renelual-tahiri-ne-prizren/
