KRU “Hidroregjioni Jugor” Sh.A., Njësia e Suharekës, ka njoftuar se aksioni për shkyçjen nga rrjeti i ujësjellësit do të vazhdojë ndaj konsumatorëve që kanë të papaguara dy (2) ose më shumë fatura të shërbimeve të ujësjellësit dhe kanalizimit.
“Aksioni për shkyçjen nga rrjeti i ujësjellësit do të vazhdojë edhe në ditët në vijim në Komunën e Suharekës ndaj të gjithë konsumatorëve të cilët nuk kanë paguar dy (2) ose më shumë fatura të fundit të shërbimeve të ujësjellësit dhe kanalizimit”, thuhet në njoftimin e kompanisë, raporton PrizrenPress.

Sipas KRU “Hidroregjioni Jugor”, masat e shkyçjes po zbatohen ndaj konsumatorëve që nuk kanë përmbushur obligimet financiare brenda afateve të përcaktuara.
Për të shmangur ndërprerjen e shërbimeve, qytetarët janë të obliguar që të kryejnë pagesat sa më parë. Pagesat mund të realizohen në zyrat e kompanisë, përmes aplikacionit “E-HRJ”, në institucionet mikrofinanciare të autorizuara, si dhe përmes transfereve bankare.

“Hidroregjioni Jugor” apelon te konsumatorët që të përmbushin detyrimet e tyre me kohë, në mënyrë që të shmangin shkyçjen dhe të kontribuojnë në ofrimin e një shërbimi të qëndrueshëm për të gjithë qytetarët.
Pas afatit të paralajmëruar, ekipet e kompanisë do të vazhdojnë zbatimin e masave të shkyçjes ndaj konsumatorëve borxhlinj./PrizrenPress.com/
