1.9 C
Prizren
E premte, 26 Dhjetor, 2025

Kur Sarajeva digjej në flakën olimpike

Imer MushkolajImer Mushkolaj

Një rrëfim për Olimpiadën e Sarajevës, e cila para tri dekadash i dha flakë shpirtit olimpik. Por, nuk mundi t’i qetësojë shpirtrat e etur për gjak e krime, që ia dhanë flakën Sarajevës dhe gjithë Bosnjës, duke i kthyer në fusha të vdekjes.

Thuajse asgjë nuk ka mbetur “gjallë” nga Lojërat Olimpike Dimërore (LOD) Sarajeva ’84. Shtigje të braktisura e të shkatëruara skijimi dhe ndonjë grafit i zbehur janë të vetmet shenja që tregojnë se para 30 vjetësh, yje sporti nga mbarë bota zbarkuan në kryeqytetin e Bosnjës dhe Hercegovinës.

Më 8 shkurt 1984, LOD në Sarajevë u hapën para 45 mijë vetave, në Stadiumin Koshevo.

Kishte rënë borë gjithë natën, duke sjellë disponim tek organizatorët, të cilëve një ditë më parë nuk u zihej vendi-vend, pasi që fjollë bore nuk shihej kund. E si të mbaheshin lojërat pa borë?

Organizimi i LOD ’84 nuk ishte i lehtë. Sarajeva fitoi në konkurrencë të fortë me qytetin Saporo të Japonisë dhe Geteborgun e Suedisë. Në këtë mënyrë, Jugosllavia po organizonte ngjarjen më të madhe sportive ndonjëherë.

Duheshin investime të mëdha. Josip Broz Tito kishte vdekur dhe vendi po shkonte drejt krizës ekonomike. Qytetarët nuk e kishin fort të qartë se pse duhej shpenzuar 131 milionë dollarë në kohë krize. Por, Lojërat… mund të ndikonin në ekonominë e Sarajevës dhe Bosnjës, republikës më së paku të zhvilluar jugosllave.

Banorëve të Bosnjës iu ishin marrë para nga fondi pensional dhe social për katër vjet me radhë (1980-1980) në mënyrë që të investohen në LOD.

Megjithatë, LOD u organizuan dhe definitivisht e ndryshuan Sarajevën. U rregullua infrastruktura dhe u ndërtuan qindra objekte të reja, në mesin e të cilave edhe një ndër hotelet më luksozë në Jugosllavinë e atëhershme, “Holiday Inn”, nga kulmi i të cilit nisën të shtënat e para të luftës në Bosnjë.

Edhe disa nga ndërtesat “olimpike” gjatë luftës në Bosnjë shërbyen si caqe sulmesh. Halla sportive Zetra u shkatërua nga granatat, por u rindërtua pas luftës.

LOD ishin organizuar në mënyrë të përkryer dhe ky ishte një hap i madh për Bosnjën por që, fatkeqësisht, nuk ndihmoi që vetëm tetë vjet më vonë të parandalojë luftën që e shndërroi këtë vend në fushë vrasjesh, masakrash e gjenocidi.

* * *

Lojërat Olimpike në Sarajevë zor se do të organizoheshin pa kontributin e një njeriu. Ai shte

Branko Mikulic, kryetar i Këshillit Organizativ të Olimpiadës. I cilësuar si “politikani më i talentuar kroat në historinë e Bosnjës” dhe “baba i Bosnjës moderne”, dy vjet pas LOD ai u zgjodh kryetar i Qeverisë së Jugosllavisë.

Me organizimin e LOD në Sarajevë Mikulic dëshironte ta ndryshojë perceptimin që ekzistonte për Bosnjën në Jugosllavinë e atëhershme. Dhe ia kishte dalë.

Shpirti i Sarajevës, qytetit të tri religjioneve që jetonin në paqe, atëbotë po përpiqej të triumfonte mbi një situatë të vështirë. Ishte viti 1984 dhe po zhvillohej finalja e Luftës së Ftohtë. Ishte koha kur shpirti olimpik kishte mbetur nën hijen e vrasjes së sportistëve izraelitë në Olimpiadën e Munchenit, bojkotit amerikan të Olimpiadës në Moskë dhe bojkotit rus të Olimpiadës në Los Angeles.

Ndërkohë, zhvillime të tjera të rëndësishme në botën e sportit po ndodhnin. Në krye të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar erdhi ish sekretari për sport i diktatorit spanjoll, Frankos dhe ish ambasador i Spanjës në BRSS, Huan Antonio Samaran.

E Olimpiada e Sarajevës kishte bërë bashkë sponzorë nga mbarë bota. Në listën e njëjtë gjendeshin Coca Cola nga Atlanta dhe Fabrika e Tekstilit nga Cakoveci. Sarajeva, ndërkaq, kishte treguar gjithë mikpritjen për mysafirët e shumtë nga bota, që ia kishin mësyrë qytetit të bukur. Njerëzit i merrnin të huajt për krahu dhe i çonin nëpër shtëpitë e tyre për të pirë kafe.

OK, kishte ndodhur edhe një incident i pakëndshëm, kur kamarieri në qebaptoren “Dallas” ia kishte marrë aktorit Kirk Douglas 100 dollarë për disa porcione qebapa. Por, reagimi qytetar kishte qenë aq i madh ndaj tipit që “ua kishte marrë fytyrën” dhe askush nuk kishte dashur të shkojë më në atë qebaptore. Pronari ishte detyruar ta mbyllë.

Skitari i famshëm Bojan Krizhaj në emër të të gjithë sportistëve kishte bërë betimin olimpik, gjysmën e tekstit të të cilit e kishte harruar. Ngjarja po ndiqej “live” nga dy miliardë njerëz në botë, ndërkaq flamurin jugosdllav në hapje dhe mbylje të Lojërave… e mbante skitari tjetër, Jure Franko, i cili fitoi edhe medaljen e vetme për jugosllavët në olimpiadë – medalje të argjendtë. Si shpërblim nga shteti fitoi një video-rekoder të markës “Hitachi”, që në atë kohë iu ishte premtuar të gjithë fituesve jugosllavë të medaljeve!

Në LOD Sarajeva ‘84 i pranishëm ishte edhe artisti Andy Warhol. Natyrisht, jo si sportist. Ishte ftuar të dizajnojë posterë olimpikë në iniciativën për artistët të quajtur “Arti dhe sporti”. Ikona e pop artit realizoi një poster fenomenal.

Ndërkaq, maskota e LOD ishte Vuçko – një ujk i vogël e i hajthëm, i cili ende shitet si suvenir në Bashçarshinë e Sarajevës. Autor i maskotës është ilustratori slloven, Jozef Trobec.

* * *

Profiti nga Lojërat Olimpike Dimërore Sarajeva ’84 ishte 12 milionë dollarë, nga të cilat dy milionë “i hëngri” inflacioni.

Ndërkohë, dhjetë vjet më vonë, fotografitë e Olimpiadës të pikturuara në fasada ndërtesash, por tash të shpuara nga plumbat e të shkatërruara nga granatat, pushtuan botën. Shpirti olimpik nuk kishte mundur të qetësojë shpirtrat e etur për gjak e krime, që e kthyen Sarajevën dhe gjithë Bosnjën në një kasaphanë.

Në përfundim të Lojërave…, Huan Antonio Samaran kishte thënë: “Mirupafshim, e dashura Sarajevë!”. Dhjetë vjet më pas, më 1994, ai erdhi në Sarajevë në një makinë të blinduar ushtarake dhe qau përpara hallës sportive Zetra, të shkatërruar nga lufta.

Në Sarajevën e rrethuar, po më 1994 vdiq Branko Mikulic. Përkundër rrezikut nga snajperët që qëllonin çkado që lëvizte në qytet, në varrimin e tij morën pjesë dy mijë veta.

* * *

Tri dekada pas Olimpiadës, Sarajeva është kryeqytet i një shteti të ndarë dhe me shumë probleme.

Tri dekada pas, shteti ka ngecur i pazhvilluar, i pareformuar, me probleme thelbësore politike dhe jofunksional.

Tri dekada pas, qytetarët e Sarajevës dhe të Bosnjës po djegin ndërtesa qeveritare e po protesojnë zëshëm.

Tri dekada pas, Olimpiada ka mbetur vetëm një kujtim i bukur në mendjet e qytetarëve, të cilët kanë pasur fatin e mirë të mos vdesin në luftë. Por që, fatkeqësisht, luftën për jetë të dinjitetshme po e vazhdojnë në paqe./express/

Më Shumë

Gjimnazi ‘Gjon Buzuku’ përuron tetë SMART Board

Gjimnazi “Gjon Buzuku” në Prizren ka përfunduar me sukses projektin e pajisjes së tetë klasave me tabela të mençura (SMART Board), një hap i...

Bashkimi triumfon në njërën nga ndeshjet më emocionuese këtë edicion

Në një super ndeshje, dhe njërën nga sfidat më interesante në këtë edicion, Bashkimi fitoi ndaj GO+ Pejës pas dy vazhdimeve, me shifrat 118:119...

Lajmet e Fundit