Në pjesën e parë janë përfshirë dhjetë analiza e studime të ndryshme, që kanë të bëjnë me veprat e shkrimtarëve të njohur e të shquar: Ismail Kadare, Gjergj Fishta, Dante Aligieri, Imre Kertteszi, Nortrop Fraji, Dritëro Agolli etj. Ndërkaq, recensionet kanë të bëjnë me veprat e këtyre autorëve: Arif Demolli, Emin Kabashi, Agim Vinca, Rudina Xhunga, Shefkije Islamaj, Petrit Palushi, Yllka Filipi etj.
Autor i një libri në vargje (“Dromca vitesh”), Bedri Zyberaj (1963) ka botuar edhe librin e natyrës diskursive me titull “Në gjurmë të arketipave”. Shënjuesi (arketipi) përkatësisht shënjuesit (arketipet), sipas autorit, përshkojnë vepra e kohë të ndryshme. Siç shpjegon autori në punimin e tij, “Në gjurmë të arketipave”, kryetipi (arketipi) për teoricienin amerikan Nortrop Fraji paraqet një “imazh tipik, ose përsëritës… një simbol që lidh një poezi me tjetrën dhe kështu i kontribuon njësimit dhe integrimit të përvojës sonë letrare”.
Librit i prin një parathënie e autorit, ndërsa pjesa tjetër është sistemuar në dy pjesë: Analiza dhe studime e Recensione, për t’u përmbyllur me tekstin “Në vend të pasthënies” dhe më në fund me indexin e emrave. Në pjesën e parë janë përfshirë dhjetë analiza e studime të ndryshme, që kanë të bëjnë me veprat e shkrimtarëve të njohur e të shquar: Ismail Kadare, Gjergj Fishta, Dante Aligieri, Imre Kertteszi, Nortrop Fraji, Dritëro Agolli etj. Ndërkaq, recensionet kanë të bëjnë me veprat e këtyre autorëve: Arif Demolli, Emin Kabashi, Agim Vinca, Rudina Xhunga, Shefkije Islamaj, Petrit Palushi, Yllka Filipi etj.
Sipas vlerësimit të redaktorit, Emin Kabashit, libri “Në gjurmë të arketipave” i Bedri Zyberajt është shkruar me kujdes dhe me një gjuhë të qartë e të pastër, pa ngarkesa terminologjike e pa përkufizime që shpesh mbesin pezull për mungesë kuptimi.
“Mënyra e trajtimit dhe e shqyrtimit të veprave, si dhe mënyra e qasjes temave të caktuara, dëshmojnë për njohuritë e autorit si dhe për kulturën e tij të shkrimit”, thuhet më tej në vlerësimin e redaktorit të përmendur të këtij botimi, për të vazhduar se, në të autori ka marrë në trajtim çështje të ndryshme nga kultura dhe letërsia shqiptare, çështje që preokupojnë vetëdijen krijuese, edhe të autorit të këtyre vështrimeve, duke filluar nga temat që trajtojnë çështjen shqiptare në përgjithësi deri te vepra të veçanta të fushave të ndryshme të dijes albanologjike. Librin “Në gjurmë të arketipave” e botoi Instituti Albanologjik, Prishtinë, 2013 dhe ka 310 faqe.
(Kultplus)