Ministria e Punëve të Brendshme, nga sot ka filluar lëshimin e lejeve të qëndrimit për të huajt, në formë të kartelave biometrike të identitetit për shtetasit jo të Kosovës.
Ky vendim vjen në frymën e përmbushjes së standardeve teknike për integrimin në Bashkimin Europian.
Ministri Bajram Rexhepi tha se leje qëndrimet biometrike janë në pajtim me Ligjin për të Huajt. Ai tha se Kosova është vendi i parë në rajon që ka përmbushur këtë kërkesë të BE-së.
“Kartelat biometrike për leje qëndrim për të huaj janë edhe një rezultat i projektit të filluar me sukses vitin e kaluar për lëshimin e kartelave biometrike të identitetit për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës. Në këtë mënyrë Kosova bëhet vendi i parë në rajon që përmbush këtë kërkesë të BE-së”.
Ndërkaq, Ministrja e Integrimeve, Vlora Çitaku e cila ishte e pranishme në këtë ceremoni, tha se me këtë veprim po dëshmohet se Kosova është e angazhuar fuqishëm për përmbushjen e agjendës evropiane.
“Ne jemi të bindur se Bashkimi Evropian është vlera dhe synimi që ne aspirojmë si shoqëri”, tha Ministrja Çitaku, raporton RTV21.
Kartela biometrike për leje qëndrim përmban mikroprocesorin me ndërfaqe pa kontakt, i cili ruan informacionin në përputhje me standardin ICAO për dokumentet elektronike të udhëtimit.
Fotografia dhe dy shenjat e gishtave përdoren si të dhëna biometrike të detyrueshme për të verifikuar autenticitetin e zotëruesit te kartelës së leje qëndrimit.
Kartela për leje qëndrim mund të përdoret edhe si kartelë për identifikim, autentikim, arkivim dhe komunikim të sigurt në Internet – ajo është thjeshtë një pasaportë e sigurt për Internet.
Për këtë qëllim gjatë pranimit të kartelës së re biometrike shtetasi i huaj, përveç kartelës do të pranojë edhe kodet personale për qasje në pjesën elektronike të mikroprocesorit në kartelë.