Politikanë të rëndësishëm kosovarë do të jenë mes të akuzuarve potencial në çështjet që do të gjykojë Gjykata Speciale në Kosovë por që do ta ketë selinë në BE.
Kjo paralajmërohet dhe nënvizohet në një raport të organizatës Human Right Watch. Kjo organizatë thekson se parlamenti i Kosovës, duhet patjetër të miratojë krijimin e Gjykatës Speciale me seli jashtë vendit për akuzuat serioze kriminale të bëra gjatë dhe pas luftës në periudhën 1998-1999.
Veç kësaj duhet patjetër që Kosova të miratojë edhe zgjatjen e mandatit të EULEX në mënyrë që ky mision të vazhdojë hetimin për krimet e rënda serioze dhe politikisht të ndjeshme.
“Parlamenti duhet të votoj PO për të dy çështjet në mënyrë që të tregojë se e merr sundimin e rendit dhe ligjit seriozisht dhe se është e përkushtuar që të sjellë drejtësi” ka deklaruar Lotte Leicht, drejtoresha e BE-së në Human Right Watch.
Duke e konsideruar të domosdoshëm miratimin e krijimit të kësaj Gjykate drejtoresha Lochte shpjegon dhe arsyen pse duhet që selia e kësaj Gjykate të jetë jashtë Kosovës.
“Duke e ditur se shumë dëshmitarë janë kërcënuar me vdekje madje edhe janë eliminuar në të kaluarën, askush nuk do të pranonte të dëshmonte në Kosovë. Vec kësaj sistemi gjyqësor mbetet i dobët, nuk ka siguri për gjykatësit, stafin e Gjykatës dhe prokurorët” deklaron zyrtarja europiane.
Ajo shton se Kosova ka bërë progres 15 vjet pas luftës. Por kur gjyqtarët ndërkombëtarë në Kosovë thonë se sistemi gjyqësor nuk është gati për të përballuar raste të ndjeshme politike, parlamenti i Kosovës duhet të dëgjojë dhe të veprojë në të mirë të popullit të Kosovës”.
Raporti i Human Right Watch zbulon se cështjet që do të hetojë dhe gjykojë kjo Gjykatë do të jenë: Krimet e luftës, terrorizmi, krimi i organizuar dhe korrupsioni. Raporti përmend edhe akuzat e Dick Martyt për trafik organesh. Proceset e para gjyqësore pritet të nisin verën e këtij viti.