7 C
Prizren
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Analistët: Blloku s’ia lë në dorë dialogun VV-së

blloku opozitarNjohësit e proceseve politike, Fisnik Korenica dhe Nexhmedin Spahiu, kanë vlerësuar se blloku LDK-AAK-Nisma nuk është duke shprehur gatishmëri t’ia lë Lëvizjes Vetëvendosje! udhëheqjen e procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Analisti politik Fisnik Korenica ka thënë se blloku LDK-AAK-Nisma nuk është i interesuar të ketë ndryshim të formatit të procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Në këtë kontekst, ai ka thënë se nëse blloku LDK-AAK-Nisma e ka këtë qëllim, atëherë ka pak vend brenda koalicionit për Vetëvendosje!-n, e cila ka për qëllim rishikimin total të mënyrës se si është bërë dialogu dhe ndryshimin e pozicionit të Kosovës në këtë relacion.

“Mendoj se blloku LDK-AAK-Nisma është i vendosur të shkojë tutje me formatin e dialogut që ka bërë Qeveria Thaçi. Prandaj, më duket se nuk janë të gatshëm të bëjnë lëshime në këtë drejtim, duke e futur edhe Vetëvendosje!-n brenda në koalicion qeverisës. Megjithatë, me Vetëvendosje!-n qeveria e ardhshme do të ishte me një pozicion më të fuqishëm përballë qeverisë së Beogradit dhe procesit të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Korenica për Epokën e re.

Ai ka deklaruar se deri më tani blloku LDK-AAK-Nisma nuk ka shprehur gatishmëri t’ia lë Vetëvendosje!-s udhëheqjen e procesit të dialogut me Serbinë. Sipas Korenicës, me Vetëvendosje!-n në udhëheqje të këtij dialogu Kosova do ta ketë një pozicion me racional.

“Në anën tjetër, pozicioni i Vetëvendosje!-s dhe kërkesa e saj për ta pasur në udhëheqje dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, mendoj se tregon njëfarë riformatimi të pozicionit të mëparshëm të Vetëvendosje!-s dhe një zbutje të saj përballë nevojës për të përmbushur këtë kërkesë. Besoj se me Vetëvendosje!-n në udhëheqje të këtij dialogu Kosova do ta ketë një pozicion më racional në këtë dialog, në anën tjetër kam shumë pak shpresë dhe nuk besoj fare se blloku LDK-AAK-Nisma është i gatshëm ta bëjë këtë lëvizje në drejtim të përmbushjes së kësaj kërkese të Vetëvendosje!-s”, është shprehur Korenica, duke shtuar se nëse blloku LDK-AAK-Nisma nuk e mbështet këtë pozicion siç duket aktualisht, atëherë ka shumë pak vend për Vetëvendosje!-n të jetë pjesë e qeverisë së ardhshme. Ai ka thënë se nëse Vetëvendosja nuk bëhet pjesë e Qeverisë, blloku LDK-AAK-Nisma do të vazhdojë të jetë thellësisht i kushtëzuar dhe nga Lista Srpska, e cila do të shndërrohet në një zëdhënës të Qeverisë së Beogradit.

Edhe analisti tjetër politik, Nexhmedin Spahiu, ka thënë se blloku paszgjedhor LDK-AAK-Nisma nuk është i interesuar t’ia lë Vetëvendosje!-s udhëheqjen e procesit të dialogut me Serbinë. “Fakti që kanë vendosur që Ramush Haradinaj të jetë kryeministër e kanë bërë pikërisht për këtë arsye, pra ta udhëheqë dialogun me Serbinë. Prandaj, nuk janë të interesuar që Lëvizja Vetëvendosje! të udhëheqë dialogun për arsye shumë të thjeshtë, se mendojnë ose të paktën paragjykojnë që Lëvizja Vetëvendosja do t’i prishë planet e tyre”, ka deklaruar Spahiu për Epokën e re.

Sipas tij, kërkesa e Lëvizjes Vetëvendosje! për ta udhëhequr procesin e dialogut është pjesë e pazareve dhe ka për qëllim arritjen e pozicioneve më të forta në këtë drejtim. Mirëpo, ai ka theksuar se Vetëvendosje! ka rolin e vet të cilin mund ta kryente brenda koalicionit, sidomos në polici dhe drejtësi, por sa i përket dialogut me Serbinë shihet si e papërshtatshme.

“Insistimi i Lëvizjes Vetëvendosje! për ta udhëheqë procesin e dialogut është pjesë e pazareve dhe është çështje me të cilën ata dëshirojnë të arrijnë pozicione sa më të forta në këtë drejtim. Mirëpo, Vetëvendosje! ka rolin e vet të cilin mund ta kryente brenda koalicionit, sidomos në polici dhe drejtësi, por sa i përket dialogut me Serbinë, Vetëvendosja shihet e papërshtatshme. Jo pse Vetëvendosje! i mbron interesat e Kosovës më shumë se të tjerët, por se qeveritë aleate të Kosovës nuk dëshirojnë t’i zbulojnë të gjitha gjërat dhe planet që kanë rreth rajonit”, ka theksuar Spahiu.

Më Shumë

Prokurori nga Prizreni Petrit Kryeziu thyen rekord, këto janë pikët që ka marrë në test

Prokurori Petrit Kryeziu ka thyer rekord në rezultatin e intervistës për kryeprokuror të Prokurorisë Themelore në Prizren. Ai ka grumbulluar gjithsej 97.6 pikë, ku rezultatet...

Ancelotti shpallet trajneri i vitit

Trajneri i Real Madridit Carlo Ancelotti, është shpallur trajneri më i mirë i vitit. Ky çmim u nda nga FIFA, në ceremoninë që u mbajt...

Lajmet e Fundit