12.8 C
Prizren
E martë, 30 Prill, 2024

Ukraina akuzon Rusinë për pushtim

Ukrainë-separatistët pro-rusëKievi ka thënë se forcat ruse kanë zaptuar qytetin bregdetar të Novoazovskut dhe disa fshatra ukrainase afër kufirit me Rusinë, si pjesë e një agresioni të gjerë në një front të ri

Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, ka akuzuar Rusinë për pushtimin e vendit të tij, të enjten, duke shuar shpresat për një zgjidhje diplomatike të krizës dhe duke sfiduar Perëndimin që të reagojë. Kievi ka thënë se forcat ruse kanë zaptuar qytetin bregdetar të Novoazovskut dhe disa fshatra ukrainase afër kufirit me Rusinë, si pjesë e një agresioni të gjerë në një front të ri.

Poroshenko ka bërë thirrje për një mbledhje emergjente të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe të Këshillit Evropian për të reaguar ndaj asaj që ai e ka quajtur “futje të forcave ruse në Ukrainë”. Ai e ka anuluar një udhëtim të planifikuar drejt Turqisë dhe ka thirrur menjëherë një mbledhje emergjente me shefat e tij të sigurisë. “Bota duhet që t’i kushtojë vëmendje situatës në Ukrainë, e cila po përkeqësohet dukshëm”, ka thënë ai në një konferencë.

Ambasadori i Rusisë në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, Andrej Kelin, i ka mohuar akuzat. Kremlini vazhdimisht i ka hedhur poshtë pretendimet se ka forca në Ukrainë.

Kryeqytetet perëndimore janë alarmuar menjëherë për zhvillimet e fundit. Presidenti i Francës, François Hollande, ka thënë se Rusia do të përballet me një rreth të ri të sanksioneve në qoftë se Kremlini dështon që të ndalë furnizimin e separatistëve pro-rusë me armë dhe nuk e respekton sovranitetin e Ukrainës. “Rusia nuk mund të aspirojë që të bëhet fuqi botërore në shekullin 21 dhe njëkohësisht të mos luajë sipas rregullave”, u ka thënë presidenti ambasadorëve të Francës.

Ministria e Jashtme e Lituanisë e ka quajtur agresionin “një pushtim të qartë të territorit të Ukrainës nga forcat e armatosura të Federatës Ruse”. Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kiev gjithashtu ka lëshuar një komunikatë të enjten, duke thënë se Rusia tani është drejtpërdrejt e përfshirë në luftime. Ambasadori, George Pyatt, ka “cicëruar” në Twitter se “një numër gjithnjë e më i madh i trupave ruse po ndërhyjnë drejtpërdrejt në luftimet në territorin ukrainas”. Ai ka theksuar se “Rusia gjithashtu ka dërguar në Ukrainën Lindore sistemet e saj më të reja të mbrojtjes ajrore, përfshirë SA-22, dhe tani është drejtpërdrejt e përfshirë në luftime”.

Avancimi i Rusisë vjen teksa një udhëheqës i rebelëve separatistë në Ukrainë ka konfirmuar për herë të parë se ushtarakë aktivë rusë janë duke luftuar bashkë me ta në Ukrainë – ndonëse ai ka insistuar se luftëtarët ndodhen në vend për periudha të shkurtra, përderisa janë me pushime.

Më Shumë

Lajmet e Fundit