Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje! Arbër Rexhaj nuk është i kënaqur me efikasitetin që organet e drejtësisë po tregohen ndaj kryetarit të Prizenit, Ramadan Mujës dhe drejtorëve të tij.
Ai thotë se drejtësia po vonohet në dënimin e të korruptuarve të Komunës së Prizrenit.
“Drejtësia po vonohet. Po vonohet edhe ndaj Ramadan Mujës, dhe kastës së korruptuar të politikaneve udhëheqës në Prizren”, vlerëson Rexhaj.
Sipas tij, problemi nuk qëndron vetëm pse kjo kastë politike në Prizren, po i shkelë çdo ditë ligjet.
“Por, problemi qendror është se drejtësia është selektive dhe përherë e vonuar ndaj zhvatësve të parave të qytetarëve të Prizrenit”, tha ai për PrizrenPress.
Dy drejtorë të Ramadan Mujës, sot do të dali në gjyq. Drejtori i Drejtorisë së Arsimit, Nexhat Çoçaj dhe ish-drejtori i Ekonomisë e Financave në Prizren, Mehmet Bytyc, nesër do të ulen në bankën e të akuzuarit në Gjykatën Themelore në Prizren.
Çoçaj akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, kurse Bytyc për ngacmim seksual me një vajzë të mitur.
Qeveria e kryetarit të Prizrenit Ramadan Muja, për tre mandate është përshkruar me shkelje të ligjeve dhe përballje me organet e drejtësisë. Pjesa më e madhe e drejtorëve të Ekzekutivit, janë ulur në bankën e të akuzuarit në Gjykatën Themelore në Prizren. Shkeljeve ligjore nuk i ka shpëtuar as vet kryetari Ramadan Muja, i cili u dënua me kusht 2 vjet burg. Rasti i Mujës dhe ish drejtorëve të tij, shumë shpejt pritet që të gjykohet edhe në Gjykatën e Apelit.
Asamblisti i VV-së në Prizren, Arbër Rexhaj kërkon nga organet e drejtësisë që të mos heshtin para zhvatësve të taksapaguesve të qytetarëve të Prizrenit.
“Drejtësia nuk duhet të heshtë përballë kësaj bandë të ndërtimit dhe uzurpimit të pronave publike dhe zhvatjes, që po i bëhet qytetarit prizrenas”, shprehet Rexhaj./PrizrenPress.com/