Melodia e parë u performua nga tre meshkujt nga katërshja që erdhi në kryeqytet. Grupi u plotësua në melodinë e dytë kur saksofonistja holandeze, Tienke Postma, u ngjit në skenë.
Që nga fillimi i edicionit të 10-të të “Prishtina Jazz Festival” asnjë femër nuk shkeli skenën e teatrit “Oda”. Postma u bë e para në këtë edicion. Bashkë me trion e jazz pianistit belg, Ivan Paduart, interpretuan tetë melodi. Në ndihmë për të përthekuar u dolën edhe kontrabasisti Philippe Aerts dhe bateristi Jan de Hass.
Postma në skenë doli me dy saksofona në duar. I përdor varësisht prej kompozimit. Altit i bën kontrast saksofoni-soprano që jep një tingull me të ndjeshëm. Në Prishtinë ajo erdhi si e ftuar e Paduartit. Salla e mbushur plot, dëgjoi meloditë nga këta instrumentistë për një orë e gjysmë, të mërkurën në mbrëmje.
“Është mirë të shohësh kaq shumë të rinj në një festival të muzikës jazz”, ka thënë Postma, tek në dorë mori mikrofonin për të prezantuar këngën e radhës e cila titullohej “Lila”. Paduart këtë këngë ia ka kushtuar vajzës së vet.
“Kompozimet që dëgjuat të gjithat janë të Ivanit. Ai bën muzikë shumë të bukur dhe shumë elegante në të njëjtë kohë”, ka thënë Postma, fill pas koncertit. Ajo dhe Paduart njihen për një kohë të gjatë, por kanë filluar të bashkëpunojnë para 4 vitesh.
“Jemi takuar shumë kohë më parë. Ndërsa si bend rregullisht bëjmë muzikë për një vit tashmë dhe gjithmonë është shumë qejf. Evropa nuk është aq e madhe, por ka shumë muzikantë të mirë”, ka shtuar Postma, e cila ka studiuar në Konservatoriumin e Gjermanisë për jazz muzikë dhe më pas ka vazhduar studimet në New York. Pas një eksperience gati 10-vjeçare, ku pati rastin të performojë edhe në “Carnegie Hall” në New York, mikpritja kosovare e ka befasuar shumë.
“Audienca e mrekullueshme, salla shumë e mirë për të luajtur. Jam shumë e emocionuar që po vizitoj një qytet të ri siç është Prishtina. Kam dëgjuar shumë për këtë vend dhe për historinë e tij. Është mirë të shohësh kaq shumë pozitivitet dhe do t’i them tërë botës për këtë vend të mirë. Mendoj se të gjithë duhet të vijnë dhe ta vizitojnë Kosovën”, ka thënë Postma, e cila pas diplomimit do të arrinte të bënte një marrëveshje me një shtëpi diskografike dhe më 2003 nxori në shitje CD-në e parë. Më pas ajo filloi bashkëpunimin me bateristen e njohur Terri Lyne Carrington, e cila është fituese e çmimit “Grammy Awards”.
“Ajo më ka ndihmuar që të bëj karrierë në New York. Së bashku kemi luajtur në mbarë Amerikën dhe në vende të tjera”, ka thënë Postma, e cila deri më tani ka gjashtë CD të veta si lidere. Ndërsa ka bashkëpunuar në 10 albume me muzikantë të tjerë siç janë Dianne Reeves dhe Esperanza Spalding.
Për Paduart, mundësia e bashkëpunimit me Postman ka shumë rëndësi. Ai e vlerëson lart punën e saj.
“Është kënaqësi të punosh me Tienke. Ajo është e mrekullueshme”, ka thënë Paduart, i cili në vitin 1989 fitoi vendin e dytë në garën ndërkombëtare të jazzit në Paris. Ndërsa në po të njëjtin vit ai fitoi çmimin e parë në “Brussels’s Jazz-Rallye”.
Kjo është hera e dytë që ai viziton Kosovën. Ai ishte pjesë e “Prishtina Jazz Festival” edhe vitin e kaluar.
“Më pëlqen të interpretoj këtu, sepse zakonisht jam mësuar të jem në festivale më të mëdha dhe është më problematike, sepse sallat janë më të mëdha dhe mund ta dëgjosh më pak njëri-tjetrin. Kur ndodhesh tetë metra larg baterisë, edhe pse e dëgjon në altoparlant është më e vështirë dhe nuk është e njëjta gjë”, ka thënë Paduart, i cili thotë se e do kompozimin.
Ai pranon se te muzika klasike mund të gjejë inspirim, por ajo që i përshtatet më shumë është muzika jazz.
“Kur vjen puna tek interpretimi i muzikës klasike, nuk do të thosha se më shkon. Çështja është se unë kam një problem me autoritetin. Kur dikush më thotë se duhet të luash këtë notë me këtë temp, nuk funksionon me mua”, ka shtuar Paduart.
Ai dëshiron të jetë i lirë dhe jazzi i përshtatet më shumë personalitetit të tij. Për të dhe anëtarët e grupit, për interpretim të lirë, skena e “Prishtina Jazz Festival” është një vend ideal./Koha Ditore/