Kur për herë të parë Blerand Stavileci u zgjodh ministër i bujqësisë, komentet ishin nga më të ndryshme: Ministër që kurr nuk ka qenë në ara: Ministër që nuk e din se lopa prodhon qumësht; Ministër i gjeneratës së coca-colës…. Por, pas dy mandateve rresht ai doli të jetë ndër ministrat më të suksesshëm në një qeveri të dështuar, si ishte ajo “Thaci 2”. Por, tash vjen befasia tjetër. Stavileci e lë (detyrohet) ministrinë ku u akomodua mjaft mirë dhe merr përgjegjësitë për zhvillimin ekonomik. Pjesërisht mund të duket në rregull, pasi, ndoshta, nga ai pritet që të jep energjinë edhe në sferën e zhvillimit. Por, pa dyshim se dëmi është shumë më i madh, meqenëse edhe bujqësia është sektor me rëndësi për zhvillim, ku ende ka pasur çfarë të jep ai.
Problemi nuk mbetet vetëm këtu. Tash, politikat e bujqësisë do t’i udhëheq Memli Krasniqi, i cili deri më tani asgjë nuk kishte të përbashkët me këtë sektor.Në të dyja rastet, si Stavileci, ashtu edhe Krasniqi punën duhet të nisin nga zeroja. Jo pse këto sektore janë në këtë pikë, por pse njohuritë e tyre me problematikën, ta zëmë të energjisë, minierave, apo të bujqësisë nuk janë shumë larg nga kjo shifër.
Të gjitha këto rrotullime janë të kuptueshme nëse kemi parasyshë një periudhë jo normale nëpër të cilen kaloj vendi që nga 8 qershori, pra që nga zgjedhjet. Është dashur me çdo kusht të bëhet një qeveri, ku duhet të shpërblehen një numër i caktuar i njerëzve, më shumë me afinitete të dëgjueshmërisë ndaj të parit të partisë, se sa që kanë zhvilluar identitetin e tyre profesional në fushat për të cilat tash janë përgjegjës. Pra, është lënë anash bagazhi profesional, si kriter i rëndësishëm. Kjo del qartë edhe nga marrëveshja e koalicionit PDK-LDK, ku thuhet se në kabinetin qeveritar nuk do të ketë emra të individëve të dënuar, apo që kanë aktakuzë të ngritur. Por, se vërtetë a janë të gjithë të pastër, do të shohim më vonë, meqenëse ka emra që përmenden në afera të ndryshme, duke filluar që nga kryeministri aktual.
Se kjo qeveri është e përbërë nga ata që është dashur të shpërblehen, dëshmon rasti i Skender Hysenit, i cili duhej të bëhet ministër me çdo kusht. Por, çfarë ka të përbashkët puna e tij e deritashme me policinë dhe me punët e brendshme ? ! Ky post i erdhi se shpërblim për punën jo edhe aq të suksesshme që dikur e bëri në politikën e jashtme.
Një profesor i urtë dhe me përplot potenciale profesionale nga fusha e drejtësisë, si Haki Demolli, akomodohet në Ministrinë e Forcave së Sigurisë. Emri i tij dhe puna me ushtrinë e ardhshme nuk korrespondojnë aq mirë ndërmjet vetes. Ai, pa dyshim se më mirë do të akomodohej në Ministrinë e Drejtësisë. Por, kjo do të prishte planet rreth angazhimit të Hajredin Kuçit në këtë post, si edhe për punët që ndërlidhen edhe me dosiet që mbajnë emra të individëve me poste të klarta publike. Për (mos)trajtimin e tyre, Kuçi mund të jetë më mjeshtër se Demolli.
Përbërja e kabinetit të ri qeveritar sjell edhe disa emra të ri, të cilëve iu duhet shumë punë dhe kohë që të të dëshmojnë se a ishte emërim i qëlluar, apo shpërblim. Është Avdullah Hoti, një person që për shumë kohë qëndroj menjëherë pas Isa Mustafës, si në parti, po ashtu edhe në komunën ku i humbën zgjedhjet – në Prishtinë. Duke qenë nën hijen e tij, është e vështirë të vërehet se sa ka punuar, sa ka qenë i anagzhuar dhe sa ishin të drejta qëndrimet e tij. Mirëpo, ka lënë gjurmë si udhëheqës i grupit të ekspertëve për çështje ekonomike, në kohën kur LDK-ja ishte opozitë. Angazhimi më i madh ishte i fokusuar në trajtimin e problemeve që kishin të bëjnë me qeverinë, si edhe ndikimin e dëmshëm të saj në relacion me pushtetin lokal. Sfida e parë e tij si ministër do të jetë buxheti për vitin 2015. Nëse kalon drafti i miratuar nga kabineti “Thaçi 2”, atëherë ky do të jetë minusi i parë i tij. Kjo fare nuk ka të bëjë me faktin se cilës parti i takon, por pse ky drat ka mangësi të shumta: është buxhet që nuk garanton zhvillim- në dëmë të shpenzimeve kapitale, stimulon segmentet sociale, duke përfshirë edhe rritjen e pagave 25 për qind.
Ndërkaq, Hykmete Bajrami që në ditën e parë në MTI duhet të merret me çështjen e Brezovicës, projekt mjaft i rëndësishëm për vendin, por që po has në kundërshtyim pikërisht nga disa kolegë të saj në kabinetin qeveritar. Kësaj kategorie i takon edhe Valon Murati energjik, por fillimisht ai duhet ta kuptoj se çështjet e diasporës janë të një natyre krejtësisht tjetër në krahasim me bashkimin e trojeve etnike, për çka është angahzuar në vazhdimësi. Njësoj sikurse Kujtim Shala, i cili tash do ta vërej se problemet e kulturës janë dicka më shumë se kritika letrare, apo prezantimi në opinon i qëndrimeve të kryetarit dhe të partisë që i takon.
Por, kjo qeveri ka edhe individë, si Aleksandër Jabllanoviq, i cili angazhohet për interesat e një shteti tjetër dhe si i tillë do të paraqte problem edhe për Isa Mustafën.
Por, nuk duhet harruar se kjo është politikë dhe kabineti qeveritar zakonisht formohet nga njerëzit në të cilët kanë besim kryeministri dhe partnerët e koalicionit. Tek e fundit ata do të japin llogarinë për zbatimin e programit qeverisës. Ndërkaq, një pikë e ndritshme është fakti se në kabinetin qeveritar janë dhjetë individë, të cilët asnjëherë më parë nuk kanë pasur poste ministrore. Ndoshta ky është shansi i tyre ?!