Partitë politike në Prizren ende nuk kanë arritur të gjejnë emrat e kandidatëve, që do të konkurrojnë për kryetar të Komunës . Edhe pse Presidentja, Atifeta Jahjaga ka shpallur 3 nëntorin si datë që do të mbahen zgjedhjet lokale, asnjëra prej partive më të mëdha politike nuk po munden ta gjejnë së paku një emër të përveçëm, që do t’ia sigurojë bindshëm fitoren.
Partia më e madhe (PDK), që aktualisht qeverisë në Prizren, edhe përkundër përpjekjeve nuk ka arrit që të reformohet. Zgjedhjet e brendshme në këtë subjekt politik tashmë janë shndërruar në ‘telenovelë’. Dega e PDK-së në këtë qytet nuk ka arritur deri më sot të zgjedh as kryetarin e ri. Emri i vetëm që është lakuar nga kys subjekt politik që do të garon në zgjedhjet e lokale, ka qenë vetëm i Edita Tahirit.
Zëvendëskryeministrja Tahiri, ndërkaq e ka mohuar se do të garojë për kryetare të Prizrenit.”Unë nuk pranojë pozita lokale”, ka thënë Tahiri. PDK-ja në Prizren nuk ka nxjerrë asnjë emër tjetër që do të garonte në zgjedhjet e nëntorit. Përfaqësuesit e këtij subjekti politik, thonë se emrimi i kandidatit për kryetar të Prizrenit, është në dorën e liderit të tyre Hashim Thaçi.
As LDK-ja nuk ka arritur të përcaktohet për kandidatin për kryetar të Prizrenit. Dega e LDK-së në këtë qytet ka propozuar dy emra për kryetar, atë të Eqrem Kryeziut dhe Hanifi Muharremit. Nijazi Ademaj, ndërkaq është propozuar nga Dega e LDK-së në Zhurë. Mbi 20 nëndegë të këtij subjekti politik, kanë kërkuar nga lideri i tyre Isa Mustafa, që kandidati për kryetar të Prizrenit të bëhet me marrëveshje. Këto nëndegë kanë paralajmëruar se do të bojkotojnë zgjedhjet nëse kërkesa e tyre nuk merret parasysh nga Mustafa. Sipas tyre nuk duhet të riciklohen njerëzit që i kanë humbur zgjedhjet përballë kryetarit aktual të Prizrenit, Ramadan Muja.
Emrin e kandidatit për kryetar të Prizrenit, nuk ka arritur të nxjerrë as AAK-ja,LDD-ja dhe Lëvizja Vetëvendosje!
Bashkimi Demokratik, është i vetmi subjekt politik që deri më tash ka nxjerrë emrin për kryetar të Prizrenit. Këshilli Drejtues i BD-së, unanimisht ka marrë vendim që Zafir Berisha të kandidojë për kryetar të Prizrenit. Berisha ka thënë do të dalë fitues i këtyre zgjedhjeve. “ BD-ja do t’i fitoj bindshëm këto zgjedhje”, ka thënë Berisha./PrizrenPress.com/