19.8 C
Prizren
E shtunë, 27 Prill, 2024

Ali Pasha, pas humbjes së Eminesë, e mbushi haremin me djem

92793_1Në libër vijnë rrëfime për Eminenë, Vasiliqinë, që e mbajti në saraje pasi anuloi vrasjen e familjes së saj, si edhe nusen e të birit, Veli Pashës.
Të gjitha, mbas një rrëfimi për nënë Hankon.

Më në fund satrapit të Janinës i ishte realizuar dëshira. Në pallatin e tij përrallor buzë liqenit, ai mund të përmbushte kënaqësitë e tij epsharake, pa e vrarë më mendjen për Pargën. Por, tashmë, me shtatëdhjetë e shtatë dimra mbi kurriz, mosha bënte të vetën dhe sëmundjet edhe mund ta vinin poshtë. Ai shihte ëndrra me gjak e vrasje dhe fshihej dhomave të stolisura me ar, të zbukuruara me arabeska, të dekoruara me parzmore të shtrenjta dhe të shtruara me qilima të rrallë orientalë, por pendimi nuk i shqitej. Në mes të këtij mjedisi madhështor që e rrethonte, kalonte herë pas here fantazma e Eminesë, në krye të një kortezhi të gjatë viktimash. E atëherë, Pashai mbulonte fytyrën me duar dhe vikaste thershëm e dëshpërimisht për ndihmë…”. Kjo pjesë është shkëputur nga romani historik i sapobotuar në shqip, “Ali Pasha, krime fatkeqe”. Nën siglën e “Saras”, libri i Aleksandër Dyma sjell Shqipërinë e fillimshekullit XIX dhe hedh dritë mbi jetën e një prej personazheve më kontradiktorë të historisë sonë, siç është Ali Pashë Tepelena. Në libër vijnë rrëfime për Eminenë, Vasiliqinë që e mbajti në saraje pasi anuloi vrasjen e familjes së saj, si edhe nusen e të birit, Veli Pashës.

Libri
I tërhequr qysh herët nga figura e pashait shqiptar, shkrimtari i “Konti i Monte Kristos”, Duma e ka shkruar këtë libër diku në vitin 1862 dhe është botuar fillimisht në “L’Indipendente”, në kohën kur ai ishte vendosur në Napoli, gjatë revolucionit të “këmishave të kuqe” të Giuseppe Garibaldi-t. “Ky roman ka qenë pikënisja e parë mbi të cilën u zhvilluan më pas ngjarjet në romanin e njohur të Dumas, “Konti Monte Kristos”. I përkthyer në shumë gjuhë, libri ka qarkulluar si një manual në Parisin e pas viteve 1900-ës dhe rekomandohej si një libër leximi për të gjithë ata që donin suksesin”, thotë Alda Bardhyli, redaktorja e librit. Nuk kishin kaluar as 40 vjet nga vdekja fatale e Ali Pashës, kur ky francez nisi të shkruante një histori për të. Bardhyli vëren se “i nisur të bënte një biografi të pashait shqiptar, Duma nuk i është shmangur dot shkrimtarit”. Ndërsa vetë ajo e ka zbuluar këtë roman, teksa lexonte autorë të huaj, shprehet se “ai është një prozë ku ndërthuret letërsia me historinë, imagjinata me faktet, për të dhënë një përshkrim deri në detajet më të vogla të arsyeve që e bënë Ali Pashën, mizor dhe të pamëshirshëm”. Në këtë botim marrin përgjigje arsyet e masakrave të mëdha të ndodhura në krahinat e Kardhiqit dhe Hormovës, ku Ali Pashë Tepelena ka kryer krimet më të rënda, duke shfarosur burra e gra. “Ky libër na njeh me Hankon, gruan së cilës i atribuohet i gjithë suksesi dhe dhuna e Aliut, në emër të vënies në vend të nderit të saj. Duke bërë një përshkrim të historisë shqiptare dhe të historisë familjare të Ali Pashës, historive të Hormovës dhe Kardhiqit, Pargët dhe veçanërisht të Suljotëve si dhe fundit tragjik të Ali Pashës, Dyma flet me një simpati të veçantë për shqiptarët si popull”, – thotë Bardhyli.

Emineja, gruaja e parë
Ndërsa libri flet për Vasiliqinë, miqtë, armiqtë, krimet dhe gjithë ç’e rrethoi Ali Pashën, Dyma ndalet edhe tek Emineja, gruaja e parë e Pashait.
I martuar me Eminenë, për t’u pajtuar me babain e saj, Kapllan Pashën e Delvinës, Aliu, përfitoi shumëçka. Me të ai pati djemtë, Myftarin dhe Veliun. Vite më vonë, kur Aliu do të vriste nipin, Murat Beun, do të humbte edhe gruan. Dyma, në romanin e tij historik shkruan se qëkur ndodhi kjo katastrofë, Emineja u shkëput thuajse tërësisht nga i shoqi, që i kishte duart e lara me gjak dhe e kaloi jetën në skutat e errëta të haremit, duke u lutur si një e krishterë për vrasësin dhe viktimat e tij. “Duket paksa e çuditshme që, në mes të kësaj tabloje të përgjakshme, të ndeshesh me këtë figurë fisnike, zemërbardhë dhe paqësore, e cila ashtu si një oaz në shkretëtirë, të çlodh mendjen e rraskapitur me kaq shumë ligësi, pabesi e tradhti”, – shkruan ai.

Sipas tij, kështu Aliu humbi dashurinë e Eminesë, e me të, engjëllin mbrojtës dhe femrën për të cilën përkushtohej në lidhjen bashkëshortore. Deri atë kohë, duket se vetëm Emineja pat mundur t’ia kufizonte pasionet e shfrenuara. “Aliu fillimisht u hidhërua, për shkak se e shoqja u mbyll në vetvete dhe u mundua më kot të rifitonte zemrën e saj. Në atë gjendje të vrerosur, ai filloi të përlyhej nga vese të tjera; i dukej sikur kompensonte dashurinë që kishte humbur. Kështu, iu mbush mendja se nuk do të dashuronte më kurrë dhe i harbuar siç ishte, iu fut një jete të shthurur. Haremet i mbushi me vajza e djem të bukur. Sikur sarajet të mos i mjaftonin për t’i përmbushur dëshirat, ai nganjëherë dilte natën i maskuar për të shfryrë epshet me femra e meshkuj. Ndonjëherë ditën sulmonte kisha apo shtëpi private për të rrëmbyer djem të rinj e virgjëresha sa herë tërhiqej nga bukuria e tyre dhe i çonte në haremin e tij”, – shënon Aleksandër Dyma.

Mandej, ai kalon dhe te jeta e bijve: Edhe bijtë e tij, në gjurmë të të atit, bënin një jetë plot skandale; dukej sikur po konkurronin babanë sa i përket ligësisë, secili sipas mënyrës së vet. Alkooli ishte specialiteti i të madhit, Myftarit, i cili nuk kishte rival në pije në të gjithë Shqipërinë dhe mburrej se kishte përpirë një fuçi me verë brenda natës. Edhe tek ai ishte trashëguar mizoria e familjes. Një natë, i bërë tapë, të krisurin e kishte kapur dalldia. I xhindosur siç ishte, kishte therur disa persona, ndër të tjerë, edhe mbajtësin e shpatës së tij, shok i ngushtë që nga fëmijëria. Ndërsa Veliu kishte të tjera vese. Duke imituar, ndonëse pa e njohur, markezin e Sadës, ashtu si i ati Makiavelin, Veliu këndellej duke ndërthurur orgjitë me mizoritë; e kishte fiksim të kafshonte buzët që sapo i kishte puthur, e më pas të gërricte e shqyente me thonj format trupore që sapo i kishte fërkuar e ledhatuar. Banorët e Janinës kanë parë të tmerruar shumë gra pa hundë e pa veshë, të cilat sapo kishin shpëtuar gjallë nga kthetrat e tij.

Vdekja e gruas
Eminesë, vdekja do t’i vinte nga Aliu. Në një prej atyre netëve të errëta të vitit 1803, ndërsa ai iu kishte shpallur luftë suljotëve. E prekur thellë dhe duke parashikuar disfatë, ajo doli nga ngujimi në harem dhe u gjunjëzua para të shoqit duke iu përgjëruar. Ai e dëgjonte me vëmendje sikur po prekej e merakosej për të shoqen, derisa ajo përmendi suljotët. Papritmas u egërsua, nxori pistoletën dhe qëlloi drejt saj. Plumbi nuk e kapi, por ra përdhe e llahtarisur, ndërsa shoqërueset e saj nxituan për ta nxjerrë që andej. Ndoshta, për herë të parë në jetën e tij, Aliu u trondit përpara tmerrit të një vrasjeje.

Ajo ishte gruaja e tij, nëna e fëmijëve të tij, të cilën e pa të shtrirë para tij; kujtimi i atij momenti e mundonte pa masë. Në mes të natës u ngrit nga gjumi dhe shkoi në odën e Eminesë. Trokiti dhe i thirri së shoqes, e cila refuzoi ta takonte. I zemëruar nga sjellja e saj, Aliu shkallmoi derën. E lebetitur nga zhurma dhe pamja e të shoqit të tërbuar, Emineja u përplas në tokë nga tronditja; konvulsionet nuk i ndaluan derisa dha shpirt. Kështu vdiq e bija e Kapllan Pashës, gruaja e Ali Tepelenës, nëna e Myftarit dhe Veliut, e cila, e dënuar të jetonte mes ligësisë, mbeti sa ishte gjallë zemërgjerë dhe e virtytshme.

Veçse, nuk mbaronte këtu. Ndërsa për vdekjen e Eminesë, Dyma shkruan se vajtoi e gjithë Shqipëria. Por edhe në mendjen e tij humbja la vraga të thella. Hija e Eminesë e ndiqte ngado, në orgjitë e tij, në dhomën e këshillit, gjatë orëve të natës. Aliut i bëhej sikur e shihte, e dëgjonte dhe zgjohej nga gjumi duke gërthitur: – Gruaja ime! Gruaja ime!… Ja ku është! Sytë e saj shprehin zemërim; ajo po më kërcënon! Shpëtomëni! Mëshirë! Për më shumë se dhjetë vjet, Aliu nuk guxoi të flinte vetëm në një dhomë.

Zybejdja
Një tjetër femër për të cilën Aliu nuk njohu kufij ishte Zybejdja, nusja e djalit të tij, Veli Pashës. Pas largimit të të birit, Aliu u përpoq ta joshte, por ajo refuzoi. Duke u ndier i poshtëruar nga refuzimi i saj, Zybejden e vunë në gjumë dhe ajo e mori vesh se ç’i kishte ndodhur vetëm kur mbeti shtatzënë. Duke nxjerrë me zor ndonjë fjalë nga shërbëtoret e saj, Zybejdeja zbuloi të vërtetën e tmerrshme. E zhytur në dëshpërim, duke mos ditur kujt t’i drejtohej për ndihmë, ajo i shkroi Aliut një letër, në të cilën i lutej që ta takonte menjëherë në harem. Vetëm ai mund të hynte në harem, sepse, duke qenë kreu i familjes, kishte të drejtën të mbikëqyrte sjelljen e grave të bijve të tij; ligji nuk e kishte parashikuar një krim të tillë, marrëdhënie seksuale mes vjehrrit dhe nuseve të bijve të tij. Sapo Aliu u shfaq te porta e haremit, Zybejdeja iu hodh te këmbët, pa qenë në gjendje të thoshte gjë, pavarësisht se ndihej jashtëzakonisht e pikëlluar. Aliu e pranoi fajin, u justifikua se pasioni për atë bukuroshe e kishte verbuar dhe qau së bashku me viktimën e tij e, duke iu lutur që të tregohej e përmbajtur dhe të ruante sekretin, i premtoi se këtë histori nuk do ta merrte vesh kush, pasi kopilin do ta zhduknin. As lutjet e as lotët e Zybejdes nuk ia ndryshuan mendjen Aliut që të hiqte dorë nga fshirja e gjurmëve të krimit të parë, duke kryer një të dytë edhe më të tmerrshëm./FATMIRA NIKOLLI/

Më Shumë

100 vjet nga vrasja e Avni Rrustemit

Avni Rustemi vdiq pas një atentati në Tiranë pranë Pazarit të Ri, më 22 prill 1924. Atentati ndaj tij u krye më 20 prill,...

KPF-ja e rekomandon Kuvendin e Prizrenit që të bëjë bartjen e mjeteve për vitin 2024

Në mbledhjen e sotme të Komitetit për Politikë dhe Financa në Komunën e Prizrenit, u shqyrtua dhe diskutua pika e rendit të ditës lidhur...

Lajmet e Fundit