Mbrëmjen e së shtunës, në Gjonaj të Hasit, me ndarjen e çmimeve për ruajtësit me fanatikë të folklorit burimor, u mbyll edicioni i 29-të i festivalit “Hasi Jehon”, raporton PrizrenPress.
I nisur në vitin e largët 1975, si festival i shoqërive kulturo artistike të Rajonit të Hasit dhe i quajtur dasma hasjane, sot festivali “Hasi jehon” është shndërruar në dasmë gjithëshqiptare. Këtë e dëshmon pjesëmarrja e organzimave kulturorë nga e gjithë gjeografia shqiptare dhe këtë e dëshmon edhe fituesi i edicionit të 29.
Juria në përbërje Sami Piraj, Dilaver Kryeziu, Hisen Dida dhe Shaqir Hasi, çmimin “Malësori” për programin më burimor ia ndau Ansamblit “Mati” nga Bureli i Shqipërisë.
Çmimi “Malësorja iu nda ShKA “Fushë Kosova” nga Fushë Kosova, ndërsa çmimi “Lahuta” iu nda Ansambli autokton “Rugova” nga Rugova. Çmimi Nazmije Hoxha: Vlora Duraku nga Krusha e madhe.
Parpara ndarjes së shpërblimeve, në përmbyllje, drejtori i festivalit “Hasi Jehon” Haziz Hodaj tha se vitin e ardhshëm mbahet edicioni i 30, prandaj do të ketë angazhim të shtuar që ky përvjetor të shënohet me një organizim shumë më të mirë.
“Ju premtoj se edhe vitin e ardhshëm do të mbahet festivali që ta rrumbullakojmë në mënyrë sa më madhështore 30 vjetorin e këtij festivali, që është njëri ndër festivalet më te vjetra jo vetëm në Kosovë”, tha Hodaj.
Në emër të jurisë Sami Piraj tha se “festivali Hasi jehon ka arritur ti krijojë konturat e një manifestimi jashtëzakonisht të rëndësishëm të ruajtjes dhe kultivimit të vlerave të trashëgimisë të cilat janë bartur brez pas brezi si identitet kombëtarë”. Ai tha se juria nuk e kishte të lehtë por shtoi se vendimet i kanë peshuar me elementet e trashëgimisë.
Përveç tri çmimeve kryesore juria ndau edhe këto çmime:
Instrumentisti më i dalluar: Baki Xhaferi nga ShKA “Anadrinia” nga Dejni i Rahovecit
Orkestri më i mirë: Ansambli “Mati” nga Burreli
Grupi i rapsodëve: Grupi polifonik nga Gjirokastra
Rapsodi më i dalluar: Selajdin Miftari
Rituali më objektiv: Ansambli “Romaja”
Kostumet me autoktone: Ansambli “Romaja”
Loja popullore: Ansambli “Rapsha” nga Tuzi
Koreografia më e dalluar: “Shqiponja” nga Shkupi
Treshja më e mirë e valltarëve: Muhamet Sinani, Myzafer Lutfiu, Fejsal Shaqiri nga Ansambli Bresana
Valltarja e dalluar: Shkurte Dauti nga Ansambli “Kruma” nga Shqiperia
Valltari i dalluar: Zekirija Kadriu nga ShKA “Bajram Shabani” nga Kumanova /PrizrenPress.com/