2.8 C
Prizren
E shtunë, 20 Prill, 2024

Arif Ziberi – Elitari i ”ELITA 5”

Elita5-Arif ZiberiSuksesi i tyre duket se ka qenë i paracaktuar! Emri është kaq domethënës dhe kuptimplotë! Por jo vetëm! Skena është ndjesia e tyre më e bukur dhe njëkohësisht e papërshkrueshme. Një pikë kulmore emocionesh. Emocione, të cilat ne i kemi ndjerë çdo herë që i kemi parë tek përformojnë dhe presim t’i ndjejmë gjithmonë e më shumë.

Intervistoi: Gazmend Kajtazi

Muzika e do pasionin, atë zjarrin që ne e kemi si popull. Por në art, këtë çelës jo të gjithë e kanë. “Elita 5” nisi rrugën e jetës dhe karrierës me një ëndërr të madhe…Të jenë të suksesshëm në karrierën e tyre, por edhe duke treguar zotësi në krijimin dhe ruajtjen e imazhit të suksesit.

Këngët e tyre reflektojnë dashuri, krenari, dhembje, bardh e zi, madje edhe çmenduri. Thjesht mjafton t’i dëgjosh dhe ritmi i këngëve të tyre t’ju rrëmbejë, menjëherë.

Në këtë intervistë për Telegrafin, vokalisti Arifi Ziberi, na njeh me historinë e elitarëve të pëlqyer kudo e kurdo, tregon vendosmërinë për të ruajtur reputacionin e tij përballë publikut; rrëfen copëza të përditshmërisë dhe jetës së tij, e cila përherë është e lidhur me jetën e natës, pa kërkuar nga ai që të na zbulojë sekrete të vogla, edhe pse të fshehura shpesh pas ndonjë buzëqeshjeje.

“Mohikani i fundit” i cili vjen pas 10 vjetësh duket se është pjekur dhe gatuar shumë gjatë për të qenë një projekt tepër serioz dhe afatgjatë. A është kjo një periudhë e gjatë për një publik të etur për muzikën tuaj?
Çdo dalje në skenë të jep mundësinë të kuptosh se çfarë duhet të ndryshosh dhe çfarë duhet të përmirësosh. Elita 5 është bend i cili gjithmonë është munduar të japë më të mirën për publikun. Pra, na janë dashur 10 vite të rrumbullakësojmë dhe ta pjekim albumin ashtu siç dëshirojmë ne, sepse, kemi këngë që këndohen qe 25 vite dhe nga gjenerata të ndryshme.

Elita5-Arif Ziberi1Çka ju shërbeu si frymëzim për këtë titull mjaft interesant dhe domethënës?
Ideja e titullit ishte e Wirusit. E kemi përcaktuar këtë titull, sepse domethënia e tij është lufta që kemi bërë për këto 25 vite, që të jemi në këtë estradë me shumë batica dhe zbatica.

A po dëshmon ‘Elita 5’ se me këtë album dëshiron të tregojë se anëtarët e grupit tuaj janë “mohikanët e fundit”?
Duke qenë se vërtet kemi mbetur mohikanët e fundit të rokut, na pëlqeu që albumi të titullohej kështu. Megjithatë, ne përpiqemi të mos jemi mohikanët e fundit të dhe ta shtyjmë rininë të mos heqin dorë nga ëndrrat e tyre. Shpesh dëgjojmë bende të reja e me perspektivë, që heqin dorë nga ëndrra e tyre, që në pengesat e para. Duhet ta dinë se kjo rrugë është shumë e vështirë, por nëse vërtet e do, do të mund t’ia dalësh.

Projekti juaj filmik, “Më Fal”, i ka lënë pa fjalë, madje edhe njohësit e analistët e artit marcial, si dhe të gjithë adhuruesit e shumtë. E kujt ishte ideja që hiti aq i arrirë të shërbente si bazament për këtë album?
“Më fal”, përshkruan një lidhje dashurie mes një vajzë të re dhe një ushtari. Kënga është një baladë e punuar me shumë përkushtim. Si gjithmonë, ‘fajtor’ i zakonshëm tek ne, për këngët dhe klipin, është Wirusi. Regjisori i klipit nga Ohri, Daniel Joveski, ka bërë një punë shumë të madhe, ka bërë një film, jo si bëhen klipet e sodit. Ka qenë surprizë e bukur edhe për ne kur e pamë të përfunduar. I kishte kaluar edhe parashikimet tona. E natyrisht tani presim që ky emocion të transmetohet te publiku. Shkurt ia kemi arritur qëllimit që donim të realizonim mesazhin qe jep arti!
Poashtu këtyre ditëve, publikuam këngën e re të quajtur “Si një meteor”, që është pjesë e këtij albumit, i cili përmban 11 këngë. Shpresoj të pëlqehet dhe të vlerësohet puna dhe mundi që kemi bërë një ekip shumë i madh i njerëzve profesionist.

Fillet e grupit tashmë elitar, Elita 5, i gjejmë në fillim të viteve të ’90-ta. A mund të na përshkruani rrugëtimin e elitës nëpër vite, në mënyrë që opinioni ynë muzikor të ketë sa më shumë informacione për ju dhe sukseset tuaja?
Në fund të viteve 80-të, ëndrra për të kënduar bëri që të formohej një grup prej pesë vetash. Themelues kanë qenë Agroni dhe Besimi. Ata kërkonin një vokal të mirë dhe pas ftesës që ma bënë, iu bashkëngjita grupit. Pastaj me radhë erdhën Wirusi, më vonë Valoni…Pas shumë përpjekjesh nxorëm një album, i cili për atë kohë qe shumë i mirë. Pastaj, albumi i dytë “Nuk jam Al Kapone”, na hapi dyert e suksesit dhe filluam që këtë punë ta marrim me seriozitet. Gjithsesi, pas kaq vjetësh së bashku, kemi realizuar 7 albume, ndër të tjera: Fol, Si Merlin Monro, Greatest Hits, Elita 5 Live, Bardh e Zi dhe Mohikani i Fundit.

Këngët tuaja kryesisht janë balada për dashurinë e të rinjve. Por, shpeshherë dashuritë e mëdha nuk realizohen, për të mos thënë, dështojnë. Ju, këto dashuri të parealizuara sikur i qani me lot krokodili dhe dashuritë e tilla i përjetësoni deri në himnizim. Ka diçka personale, apo ju jeni vetëm interpretues i dramave, drithërimeve, zhgënjimeve të të tjerëve?
Nuk është dedikim personal, por është personale. Është zhargoni i formës se si ne i përjetoj sot ndjesitë. I këndojmë dashurisë, sepse mendojmë se është më e shenjta të cilën na e ka falur Zoti. Ne personalisht, ato dashuri për të cilat edhe ndoshta kemi vuajtur ndopak, i kemi pranë vetes dhe i përjetojmë së bashku të mirat dhe të këqijat e jetës.

Bendi, i cili ekziston tashmë 25 vjet, pashmangshëm duhet të ketë kaluar nëpër disa faza të ndryshme. Në rastin tuaj, si duket, ato faza nuk kanë qenë gjithaq transparente së paku sa i përket muzikës. Sa kanë qenë të kushtëzuara ato faza me momentet politike dhe historike, në të cilat jetoni dhe veproni?
Si shqiptarë që jemi, nuk ka mundur e të mos ndikojë politika dhe situata historike tek ne. Shtypja e popullit shqiptar në Maqedoni, lufta në Kosovë e Maqedoni, na kanë bërë shpeshherë të mendojmë të heqim dorë nga muzika. Por këtu gjithmonë duhet duartrokitur publiku shqiptar, i cili na ka vlerësuar dhe ka qenë sovrani më i madh që ka vendosur për fatin tonë. Ata na dhanë një sens fushëpamje apo rrugëdalje, apo hapësirë që ne artistë të mos kishim frikë nga sfidat, dilemat, nga të papriturat.

Jeni ndër të rrallët të cilët e keni përballuar kohën dhe sfidat e saj, madje keni dëshmuar një elitizëm të paparë. Këtë primat po e ruani edhe tash, kur të kënduarit është lehtësuar së paku në aspektin teknik.
Sinqerisht, nuk e di se ka ndonjë rok grup që ekzekuton gjithmonë ‘live’ dhe, që është shumë me rëndësi, ta mbajnë krejt koncertin vetëm me këngët e tyre dhe të gjitha t’i këndojnë njëzëri. Një këngëtar në studio nuk mund të japë kurrë atë emocion që i jep publikut kur këndon “live”. Këtu mendojmë se është përparësia jonë.

Ku qëndron sekreti i suksesit të muzicientit, sepse, duket se, femrat shpesh janë të pasionuara pas tyre, madje deri në vuajtje?
Kush është ai që nuk do të donte të mos merrte vëmendjen e duhur gjatë kohës kur përformon në skenë? Gjithçka nis nga mënyra e të vështruarit. Skena është e magjishme. Të arrish deri tek ajo, ndoshta është më lehtë se të vazhdosh të jesh prezent në të për një kohë të gjatë. Ndoshta kjo i shtynë njerëzit për adhurimin e muzicientëve.

Ju kemi parë nëpër fushata elektorale, por jo edhe nëpër festivale. Keni ndonjë dyshim, zhgënjim, paragjykim, apo është çështje parimi?
Elita s’është bend i festivaleve dhe ato kurrë nuk do të jenë në planet tona. Arti, nuk e kërkon as nxitimin, as zhgënjimin, sado që është i prekur nga të dyja këto fenomene! Por, ne po i rezistojmë!

Muzikantët, shpesh ankohen se udhëtimet janë të mundimshme, kurse mungesën larg familjes e konsiderojnë anën më të errët të këtij profesioni. A e ndieni këtë edhe Ju?
Absolutisht, kur e bën një zanat me një dëshirë kaq të madhe edhe me pason të madh, vështirësitë i ndjen më pak.
Megjithatë, kur nisemi në ndonjë turne më të gjatë, rrallë mund të shihni më shumë fytyra të ngrysura në një vend. Jemi shumë të lidhur me familjet tona dhe mezi presim t’i përfundojmë koncertet dhe të kthehemi në shtëpi.

Si ia keni arritur ta ruani këtë harmoni me vite të tëra. Ju ka lidhur arti, biznesi, apo ju nuk jeni “diktator”?
Ne, njihemi me njëri-tjetrin për një jetë të tërë. Mendoj se ajo që na ka bashkuar dhe ende na bashkon, është shoqëria. Thjesht, s’mund të rrimë pa njëri-tjetrin. Në grup, po nuk pati harmoni, ai shuhet si të mos ekzistonte kurrë. Elita 5 nuk e ka këtë problem. Jemi pesë, por jemi edhe një!

Ju jeni grupi më i veçantë, me këngë të veçanta, me stil dhe me tekste, poashtu. Duket se në krejt këtë sukses ka hise edhe një “virus” në kuptimin pozitiv. A është kështu?
Kemi fatin që në grup e kemi ‘kokën’ e grupit, muzikantin gjenial Wirusin (Nexhat Mujovi), i cili kurrë nuk ia huq anës muzikore, që shihet edhe nga hitet e shumta të grupit.

Pas gjithë kësaj, a keni ende dëshira të parealizuara, apo të gjitha i keni konsumuar?
Dëshira të parealizuara do të ketë gjithmonë. Por, në sirtarët tonë, gjithnjë e më pak ka dëshira të parealizuara.

Emrin e grupit ia keni vënë vajzës suaj. Ndërkohë Elita, duket gjithashtu një vajzë me talent të lindur. Shihni tek ajo një shëmbëlltyrë tuajën, të cilën kërkoni ta ushqeni dhe si përpiqeni ta arrini këtë?
Ndjehem shumë i lumtur që edhe vajza ime ka filluar të këndojë dhe më vjen shumë mirë që kritikat e para nga njohësit e mirë të muzikës kanë qenë shumë pozitive, megjithatë i mbetet asaj që ta dëshmojë veten. Elita, tashmë ka formuar edhe grupin e saj muzikor XXL ku vazhdon të paraqitet në mbrëmje të ndryshme, ka qenë pjesëmarrëse edhe në disa evente muzikore.

Çfarë mendoni kur shihni që një këngë e dobët artistikisht pëlqehet në masë nga publiku. Duhet të ndryshojë shijen publiku, apo ju duhet të bëni këngë që t’i afrohen shijeve që pëlqehen sot?
Publiku konsumon çka t’i ofrohet. Edhe këngën e dobët, publiku e konsumon, nëse nuk ka ndonjë këngë tjetër më me vlerë. Neve na mbetet që gjithmonë të bëjmë këngë të mira, që publiku të edukohet, kështu.
Diferencën e bën cilësia muzikore, vokale…Gjithashtu edhe kontributi që artisti ka dhënë në krijimtarinë e tij personale.

Elita5-Arif Ziberi2“E vështirë është të bësh para me artin e vërtetë. Muzika do të bëhet art kur të mos ketë para”, thotë Duke Ellington. A e ka humbur kuptimin muzika në këtë det arritjesh teknologjike dhe të muzikës elektronike?
Në një ditë kur mjafton të mos jesh muzikant, por vetëm ta kesh një kompjuter dhe të bësh muzikë, s’ka si mos të thuhet ndryshe. Muzika nuk është edhe aq profesion i thjeshtë. Kërkon shumë punë, talent dhe disiplinë!

Si e keni imagjinuar jetën e artistit dhe sa jeni afër plotësimit të pritjeve tuaja?
Sinqerisht, nuk e kam imagjinuar shumë më ndryshe, sepse e di ku jetojmë, e di se tek ne nuk ekziston definicioni Yll. Ne, vetëm mundohemi ta bëjmë punën tonë.. e ardhmja, pastaj na jep vendin tonë të merituar!

Ndonëse arti nuk njeh moshë, megjithatë ju a mendoni ndonjëherë se keni arritur në atë periudhë kur është e domosdoshme që njeriu të bëj një lloj bilanci për të kaluarën dhe të nxjerrë një përfundim për jetën?
Besoni se ende nuk kemi menduar për këtë. E vetmja gjë që e mendojmë është se si të japim sa më shumë këngë dhe koncerte të bukura për adhuruesit tanë. Dhe, këtë, mendoj se po e bëjmë!

Ju veproni dhe jetoni në Maqedoni, por shpesh ju shohim edhe në Kosovë e Shqipëri, ku duket se keni shumë shoqëri, shumë miq, fansa, dhe e ndjeni veten sikur në shtëpi? Çka ju tërheq më së shumti…
Elita 5 ka shumë fansa në të gjitha trojet shqiptare dhe, kudo që jemi, e ndjejmë veten si në shtëpi, sepse ata janë shtytja jonë kryesore që të vazhdojmë më tej. Pa ta, ne nuk do të mund të ishim këta që jemi. Prandaj, i falënderoj pa masë!

Me punën dhe qëndrimin tuaj në skenë, pashmangshëm jeni imponuar si model për të rinjtë. Çka do të dëshironit që ata të mësojnë nga ju?
Neve na vjen shumë mirë që në koncertet tona shohim edhe të rinj që i dinë dhe i këndojnë këngët tona. Besojmë se ata, marrin porositë më të mira nga këngët tona.

Aktualisht me çka jeni duke u marrë dhe ku mund të dëgjohet muzika juaj?
Jemi në turneun veror promovues të albumit të ri, dhe do jemi kudo që flitet shqip.

Më Shumë

Si u vra para syve të gruas e vajzës? – Zbulohen detaje tronditëse të vrasjes së Beqir Morinës në Prizren

Beqir Morina u vra në mënyrë mizore me dhjetë plumba në kokë para syve të bashkëshortes dhe vajzës së tij 8-vjeçare. Aktakuza e Prokurorisë Themelore...

Kalon në Komisionin për Arsim Projektligji për Provimin e Maturës, Nagavci: Evidentohet mundësia për të kopjuar

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka deklaruar se nxënësit të së njëjtës klasë do të shpërndahen në Provimin e Maturës,...

Lajmet e Fundit