6 C
Prizren
E shtunë, 20 Dhjetor, 2025

Arkeologjia letrare për traumën ruse

“Ju erdhët këtu si nipi im, jo si hetuesi im”, i tërhoqi vërejtjen gjyshi i tij Alex Halberstadtit kur ai e vizitoi në qytetin ukrainas të Vinnytsias në fillim të viteve 2000. Një emigrant sovjeto-hebre, që u rrit në New York, Halberstadt e shtyn gjyshin e tij, një zyrtar i dikurshëm në policinë sekrete që ishte truproja e fundit e gjallë e Stalinit, për t’i rrëfyer krimet e tij. Në bisedat e tyre, 93-vjeçari ofron dromca tmerresh që pa me sytë e tij ose i bëri me dorën e vet, por asnjë rrëfim të tepërt.

Fjalitë e shkëputura, sytë e përlotur që vështrojnë në një distancë mesatare; Vassily mbetet i padepërtueshëm. Ai “e mbyllte veten në dëmet e buta të moshës, që bënin e hiqnin vija që e fshinin nga fytyra e tij pamjen e mjeshtërisë, madje edhe të mizorisë”. Halberstadt orvatet të dekodojë “rolet e Vassilyt si doras dhe viktimë”, por ai sikur detyrohet të pranojë një disfatë: “E kuptova sa naiv kisha qenë. Përgjegjësia e tij ishte një kontinent i pafundmë e i panjohur i mbushur me ambiguitete të padeshifrueshme. Vassily thjesht më kishte pranuar mua veç në hajatin e së kaluarës së tij”.

Vassily është enigma në zemër të odisesë së Halberstadtit përgjatë historisë traumatike të familjes së tij në atë që tash është bota e shuar e BRSS-së. Një akt i arkeologjisë letrare, “Young Heroes of the Soviet Union” qëmton nëpër kujtimet e fëmijërisë së Halberstadit, fotografitë e mbetura dhe reminishencat e prindërve dhe gjyshërve për të gërmuar të errëtat themele të historisë sovjetike. Proza e tij fine nis prej Moskës në vitet ’30 deri në Vilnius në vitet ’50 e New York në vitet ‘80, duke i bërë bashkë zhanret e biografisë, historisë dhe memoareve. Libri është më shumë sesa një kronikë e krajatave të një familjeje: është një përshkrim tërheqës i diktaturës, luftës dhe gjenocidit, dhe asaj se si trashëgimia e helmët që kanë lënë pas është thadruar në brezat e njëpasnjëshëm të qytetarëve sovjetikë. E shteruar prej gjakimit të Halberstadtit për kuptim, ajo përsiat mbi fuqinë e rrëfimtarisë për të lidhur kujtimet tona të hapërdara dhe episodike në një narrativë koherente – dhe mbi humbella e enigma që e bëjnë këtë të pamundur. Halberstadt është edhe hetues, edhe nip: një “hartograf amator” i jetës së të afërmve të tij dhe një protagonist i vendosur që rreket t’i bëjë të plota lidhjet e tyre të fragmentuara.

Halberstadt qëndron në nyjëzimin jo të një, por dy tragjedive familjare. Puna gjakftohtë e Vassilyt në policinë e sigurimit e largoi atë prej gruas dhe fëmijëve, dhe e bëri të largët e të paqasshëm, burim i “një pikëllimi që u shpërhap nga prindi te fëmija…nga shoqi te bashkëshortja”. I turpëruar se “mbante gjenet e një oficeri të KGB-së dhe një vrasësi të sanksionuar ligjërisht”, i ati i Halberstadtit, Viacheslavi, kërkoi strehë në botën e nëndheshme të filmave amerikanë, incizimeve, librave dhe modës. Ai qëlloi të ishte një bashkëshort i pabesë dhe i papërgjegjshëm, një baba i shkujdesur. Për Halberstadtin, Vassily është burimi i dështimeve morale të babait të tij, dhe një kod për “babanë” që i avitet gjithë historisë së Bashkimit Sovjetik: “Pesëdhjetë vjet pas vdekjes së tij, Stalini erdhi edhe në jetën time”.

Familja e Halberstadtit nga ana e nënës së tij, Anna, ishin hebrenj lituanë që përjetuan vuajtjet nën okupimin e parë sovjetik, pastaj nazist e më në fund prapë sovjetik. Vetëm 5 për qind e hebrenjve të Lituanisë i mbijetuan Holokaustit, duke i bërë gjyshërit e Halberstadit, Raisa dhe Semyon, “mrekulli statistikore”. Anti-semitizmi vijoi në Lituaninë e pasluftës, i përforcuar prej politikave diskriminuese të shtetit sovjetik. Promovimet ishin bllokuar; fraza urrejtjendjellëse thuheshin në rrugë; ende bëheshin akuza për shpifje gjaku; jashtë Vilniusit, familjet mblidheshin për të shijuar piknikë në varrezat masive të hebrenjve të masakruar nga Wehrmachti. Edhe si filloriste, Anna “nisi ta ndiente peshën dhe errësirën e vendit, dhe kohës ku po jetonte” dhe vite më vonë, kur Qeveria sovjetike më në fund u pajtua, nën trysninë ndërkombëtare, të lëshonte viza për hebrenjtë e BRSS-së, ajo i dha karar të emigronte. Kur ai fluturoi drejt Vjenës me të ëmën më 1979, Halberstadt la pas vetes tokën amtare dhe të atin, që mbeti në Moskë.

Nocionet psiko-analitike të traumës kuadrizojnë qëmtimet e Halberstadtit. Si tinejxher në New York, ai “u bë tapë me amerikanizmën”, i gatshëm për të rizbuluar veten në një gjuhë dhe kulturë të re. Ai praktikonte të folurit në anglisht përpara një pasqyre, i zhytur në labirintin e rregullave të bejsbollit dhe hakërrehej kur e ëma e tij dëgjonte incizimet “depresive” të poetes ruse, Anna Akhmatova, kur lexonte vargjet e saj. Duke mos e ditur që “shtypja sjell trauma”, ai nuk e kuptonte që “ankthet që më vizitonin mua shpesh gjatë javës kishin të bënin diçka me bërjen time radikale në amerikan”. Kështu, libri është një përpjekje për t’i shëruar plasaritjet që u hapën në kuptimin e Halberstadtit për veten, për të pretenduar e rirenditur një të kaluar që kishte provuar ta harronte.

Historia “nuk është një rrëfim i renditur i librave”, shkruan Halberstadt, por në fund ai zgjedh për të dhënë narrativën më të renditur të mundshme. Ky është një lament për rusët liberal gjatë shekujve që ia atribuon “despotizmin e sundimtarëve të vendit dhe tumirjes së njerëzve” asaj që ai e quan si “trauma formuese e kombit” në duart e mongolëve. Invazioni mongol në shekullin e 13-të yshti “një reaksion të pandalshëm – një përcjellje ndërbreznore të frikës, dyshimit, vuajtjes, melankolisë dhe hakërrimit që, me kalimin e kohës, u përzie me fatkeqësitë e reja historike, traumat e reja që do të kalonin te të rinjtë”.

Marrë nga “The Guardian”. Përktheu Salih Mehmeti

Më Shumë

Nuk ka të lënduar nga zjarri mbrëmë që përfshiu disa lokale në Prizren

Një zjarr ka përfshirë disa lokale në afërsi të stacionit të autobusëve në Prizren. Zëdhënësi i policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ka bërë...

Spitali i Prizrenit dhe Policia, bashkë për shëndetin dhe sigurinë e qytetarëve

Drejtori ekzekutiv i Spitalit të Përgjithshëm “Prim. Dr. Daut Mustafa” në Prizren, Osman Hajdari, së bashku me drejtorin mjekësor, Dr. Shefki Xharra, drejtoreshën e...

Lajmet e Fundit