21.8 C
Prizren
E premte, 29 Mars, 2024

Viti 2020, vit i pasigurisë, i frikës, i stresit, i krizave dhe i shpresës së rrejshme. Viti 2021 nuk do të jetë i tillë!

Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA

1. Vit i mbrapshtë për botën dhe Kosovën; COVID-19: Këtë vit bota u sulmua nga një armik i padukshëm që fillimisht bëri kërdi në Kinë, përkatësisht në Wuhan, ku dukej e kishte bazën deleguese e pastaj në tërë botën. Sistemet shëndetësore e të cilat i merrnim si model për Kosovën, me një fjalë u shembën, duke filluar nga Italia dhe deri në ShBA. Numri i të prekurve ishte i madh dhe kapacitetet për t’i trajtuar ishin të pamjaftueshme. Kosova ishte shteti thuaja i fundit në Evropë e që u përballë me këtë armik të padukshëm që e çrregulloi jetën sikur që i uli në shkallët më të ulëta vlerat dhe solidaritetin njerëzor. U çrregulluan raportet edhe brenda familjeve sikur që edhe varrimi i të vdekurve, si respekt i fundit që e meriton çdonjëri që ndërron jetë, u shndërrua në ritual teknik apo zhvleftësim i çdo gjëje morale. Në kohë të pandemisë kishim dukuri sikur në të gjitha krizat; shumica u varfërua kurse një grusht politikanësh dhe biznesmenësh u pasuruan, në kurriz të shumicës. Pandemia ishte profatura dhe fatura që i mbuloi të gjitha hajnitë, të gjitha poshtërsitë, injorancën e të gjitha llojeve, me një fjalë, të gjitha punët e këqija. Kinezët e kanë një mallkim: “jetofsh në kohëra interesante…”. Ne kemi jetuar dhe po jetojmë në këto kohëra, çmendurisht interesante. Në kohë të pandemisë ndodhën zhvillime politike interesante sikur, shembja e Koalicionit të Shpresës midis LV-së dhe LDK-së. Në këtë koalicion pata besuar edhe unë dhe pata lobuar për këtë duke shpresuar në rininë e LV-së dhe përvojën e LDK-së. Sa i painformuar dhe i pa ditur që u tregova, leshko fare! Populli e ka filozofinë që asnjëherë nuk dështon se: “dy atllarë, nuk lidhen në një mullarë…” Koalicioni i Shpresës u shndërrua në një Koalicion të thyerjes së besës të dhënë votuesve. Në këtë kohë ndodhën dy dukuri të cilat i kam kundërshtuar thuaja në çdo shkrim, mocion për shkarkim të qeverisë Kurti në kohë pandemie dhe preteksti për shkarkim, për mua jashtëzakonisht i pamoralshëm që e përdorën shkarkuesit, antiamerikanizmi i Albin Kurtit e që bashkëdyzohej me antigrenellizmin e Kurtit. Realisht, asgjë nuk ka qenë Albin Kurti kundër Grenellit, sa kam qenë unë! Mua, moti më kanë shkarkuar nga të gjitha postet për faktin se nuk kam pranuar kurrë asnjë post. Në jetën time kam votuar vetëm një herë në fillim të viteve të ‘90-ta për Ibrahim Rugovën dhe Rifat Blakun ndërsa votën e përjetshme e kanë, Ideali dhe Kuptimi i Lirisë dhe të Bashkimit Kombëtar, Baca Adem Demaçi dhe Luftëtari dhe Sakrifikuesi Sublim, Komandanti Legjendar, Adem Jashari dhe të gjithë ata që luftuan, kontribuuan dhe që kanë rënë për lirinë e Kosovës. Të gjithë që duan të përfitojnë nga të dy krijuesit e lirisë, të dy Ademat, janë vetëm lakra turshi, që e kanë kriposur çdo gjë! Janë zhvatësit e veprave që i kanë trashëguar! Pasi LDK-ja dhe mocionistët e kënduan, në gjuhën multietnike
(esperanto) këngën: “ra Albin Faja prej fiku…”, në vend të Koalicionit të Shpresës e formuan Koalicionin e Mbijeteses e që falë Gjykatës Klienteliste Kushtetuese të Kosovës, nuk e mbijetuan!

2. Gjykata Raciste Speciale e “Kosovës”: Më datë 03. 08. 2015, pas një seance maratonike, në rrethana të një terrori psikik dhe shantazheve, 82 deputetë të Kuvendit të Kosovës votuan për, 5 ishin kundër dhe 1 abstenim, votuan amendamentimin e Kushtetutës së Kosovës për themelimin e Dhomave të Specializuara si dhe Dhomave të Prokurorit të Specializuar, me prokurorë, gjykatës, hetues, oficerë dhe administratë krejtësisht të përbërë nga ndërkombëtarët kurse, si subjekt trajtimi janë vetëm shqiptarët përkatësisht ish drejtues dhe ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës apo individë, që në një mënyrë apo tjetër kanë ndihmuar UÇK-në dhe luftën për liri. Ndërkombëtarët kishin hallin si ta kalonin votimin në Kuvend duke deklaruar se Gjykata Speciale është pjesë integrale e sistemit të drejtësisë së Kosovës e pastaj, Kosovën dhe qytetarët e saj i trajtuan vetëm si objekt (jo subjekt) i kësaj gjykate, duke e bartur 100 për qind pronësinë e këtij procesi te ndërkombëtarët dhe në Hagë përmes marrëveshjeve që vet i bënin dhe vet i nënshkruanin. E formuan Gjykatën Kushtetuese të Gjykatës (që nuk e kishte asnjë gjykatë e ngjashme në botë), e formuan të ashtuquajturin Avokat i Popullit të kësaj Gjykate dhe mekanizma tjerë që, më shumë i përgjigjen institucioneve juridike të Serbisë se asaj të Kosovës të cilës, as që i raportojnë për asnjë zhvillim. Në shkresat e kësaj Gjykate askund nuk ka logo të institucioneve të Kosovës, Këshillit Prokurorial apo atij Gjyqësor. Materialet për të arrestuarit, avokatët mbrojtës dhe publikun përkthehen në gjuhën shqipe, me një vonesë të madhe apo vetëm pjesërisht. Për arrestimet e mundshme, së pari informohet Beogradi (ata deri më tani saktë e kanë ditur kush arrestohet dhe kur arrestohet). Politikanët e Beogradit nderojnë prokurorët e Specijallkës dhe anasjelltas. Dhe shumë të bëma të tjera që e bëjnë këtë gjykatë politike, të motivuar në baza etnike dhe raciste. Pa asnjë dyshim, sidomos nga aspekti i të drejtave të njeriut. Edhe arrestimet u bënë të planifikuara dhe të provokuara! Fillimisht u arrestua Salih Mustafa e pastaj, si në filmat e Harry Potterit nga Gjykata Speciale (thuaja e mbyllur hermetikisht) rrodhën me mijëra dhe dhjetëra mijëra dokumente shumë të ndjeshme duke përfunduar , përmes korrierit Rrufeja, aty ku më së paku pritej, para Zyrave të Shoqatës së Veteranëve të UÇK-së ku Gjykata Speciale e kishte thuaja 100 për qind klientelën për arrestime!!!! Natyrisht se u arrestuan Nasim Haradinaj dhe Hysni Gucati kurse askush nga Gjykata Raciste Speciale nuk e pësoi me asgjë. Duket se materiali që rrodhi nga Gjykata e që nga korrier Rrufeja, sipas modelit Alia Express përfunduan para Zyrës së OVL-së së UÇK-së u përdor si përshpejtues për arrestimin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit kurse, si karrem u përdorën Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj. Të gjitha gjykatat e përafërta me këtë monstrum juridik, të akuzuarit kryesorë i lënin për fund kurse në Kosovë i arrestuan menjëherë. Ashtu siç raporti i Dik Martit e pati efektin e bombës duke keqpërdorur si mbushje për shpërthim Shtëpinë e verdhë dhe trafikimin me organe njerëzore, edhe arrestimi i liderëve të luftës dhe atyre që e shpallën pavarësinë e Kosovës e kishte për qëllim të prodhonte efekte të një bombe. Ndërkombëtarët që bënë presion të madh për themelimin e kësaj Gjykate e që bënë presion edhe më të madh kur u bënë përpjekjet, sipas Kushtetutës së vendit krejtësisht të ligjshme, për shpërbërje të Gjykatës Speciale (si pjesë e sistemit të drejtësisë së Kosovës), deklaronin se kjo Gjykatë do të trajtojë 10 raste ku do të përfshihen afërsisht 8-12 të dyshuar kurse, deri më tani janë intervistuar afërsisht 400 dëshmitarë dhe të dyshuar e që numri mund edhe të rritet edhe më shumë. Thuhej se nuk po gjykohet UÇK-së në kohën kur janë arrestuar krerët e saj kryesorë politikë dhe ushtarakë, janë marrë në pyetje si të dyshuar të gjithë ata që kanë qenë udhëheqës politikë dhe ushtarakë, në Kosovë, Maqedoni të Veriut dhe Shqipëri kurse dëshmitarët e mbrojtur janë shpërndarë nëpër shtetet evropiane, SHBA, Australi dhe në Serbi. Në fakt, po gjykohet lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, po bëhen përpjekje të rishkruhet historia dhe, si qëllim të fundit është vënia në tavolinën e bisedimeve me Serbinë edhe vet statusi i Kosovës, përkatësisht akti i shpalljes së pavarësisë.

3. Skena e përçarë politike dhe zgjedhjet e parakohshme në Kosovë: Gjykata Raciste Speciale e ka përçarë edhe spektrin politik në Kosovë, ata që me ngazëllim e presin këtë Gjykatë dhe i gëzohen çdo arrestimi e të cilët rrënjët i kanë të kalbura e të stërkalbura dhe ata që kontribuuan për këtë liri, në çfarëdo forme që patën mundësi. Gjykata Speciale nuk do të ndajë drejtësi për 95 për qind të viktimave për shkak se janë shqiptarë dhe nuk do të ndajë përgjegjësi për së paku 95 për qind të atyre që kanë bërë krime shkaku se janë serbë. Përzgjedhja e viktimave si dhe kriminelëve ekskluzivisht në baza etnike e bënë këtë gjykatë, edhe raciste, edhe politike, pa asnjë dyshim. Kjo Gjykatë ka ndikuar dhe do të ndikojë në stabilitetin e skenës politike kosovare dhe, në një mënyrë është shkaktare e zgjedhjeve të parakohshme, tash dhe ato pas tyre. Kjo Gjykatë është në funksion të bisedimeve me Serbinë dhe një marrëveshjeje të imponuar ku pala kosovare nuk do të pyetet për asgjë. Nëse zgjedhjet do të mbahen pas një jave rezultatet do të ishin:
4. LV-ja do të fitonte, por nuk e besoj se do të jetë rezultati siç e parashohin Albin Kurti dhe Besnik Bislimi – Bisla me, së paku 65 deputetë. Deklarata e Albinit është politiko – psikologjike kurse e Bisles është profesionale, përkatësisht deformitet profesional. Bisla është ekspert i numrave dhe aty është në element. Në politikë është thjeshtë jashtë fushës ku luan mirë. Bisla më ngjanë pakëz në Ernesto, jo Gevarën por Sabaton, shkrimtarin e njohur argjentinas, me prejardhje shqiptare, nga nëna. Sabato ishte doktor i fizikës dhe matematikes dhe shkencëtar premtues në këto lëmi. Kur vendosi ta lë shkencën për t’ia kushtuar jetën letërsisë dhe artit, shefi i tij deklaroi se: “Sabato po e lë shkencën, për t’u bërë sharlatan (shkrimtar)”. Edhe Bisla po e lë shkencën, ku është shumë i mirë për t’u bërë politikan i keq. Apo, më mirë ta them për t’ia dorëzuar integritetin të pakontestueshëm profesional, një politike amatoreske, siç bëhet në Kosovë. Nëse Albin Kurti dhe Bisla (që ka deklaruar se e ka humbur krejtësisht gjumin shkaku se në mënyrë marramendëse po rritet përkrahja për LV-në, tash mbi 65 për qind) ia qëllojnë rezultatit,unë botërisht do t’ua uroj fitoren dhe do t’i qeras nga një kafe. Nëse nuk ka ndonjë ndryshim dramatik, sipas meje LV-ja mund të marrë diku 35 – 37 për qind të votave. Është diçka interesante dhe për mua pozitive, se, për herë të parë, femrat në LV do ta kenë primatin dhe cilësinë përkatësisht në LV do të ketë matriarkat politik. LV-ja e ka “vrastare” pjesën femërore si: Albulena Haxhiu, Fitore Pacolli, Arbërie Nagavci, Saranda Bogujevci, Mimoza Kusari, Vjosa Osmani, Donika Kadaj, Kimete Berisha dhe të tjera. Është ekip dhe përbërje mbresëlënëse që ngjallë frikë por meriton shumë respekt.

5. PDK-ja: Do të bëjë garë me LDK-në për vend të dytë dhe, varësisht nga lista për deputetë, nuk e besoj se mund të kenë më pak se 22-25 deputetë. Nëse i bëjnë listat si më parë, teze dhe dajë, nipa dhe mbesa, burrë dhe grua, babë dhe djalë apo vajzë, atëherë keq do t’i kenë punët. PDK-ja duhet të shkojë e vetme në zgjedhje ndërsa, për koalicione paszgjedhore e vendosë në bazë të rezultatit. Pas zgjedhjeve, PDK-ja nuk e ka, as të nevojshme e as të domosdoshme që me çdo kusht të bëhet pjesë e qeverisë.

6. LDK-së: Po i parashohin ditë dhe net të vështira. Madje, po të dëgjohet Haxhi Avdyli, LDK-ja do ta ketë vështirësi kalimin e pragut zgjedhor. Mendoj se e kanë shumë gabim. LDK-ja ka themele të forta për t’u shembur aq shpejt dhe aq lehtë. Qeverisja e LDK-së sikur ajo e LV-së nuk mund të vlerësohet drejt për shkak të kohës së shkurtër dhe rrethanave. Jam i sigurt se, në këto rrethana, asnjë parti në Kosovë, përveç premtimeve mashtruese, nuk do të kishte mundësi të bënte diçka më shumë. LDK-ja mund të ketë deputetë sikur edhe PDK-në, në variantin më të keq nuk mund të bjerë nën 20 deputetë. Mund edhe të mos pajtoheni me mua por, sot në Kosovë politikani më i kompletuar është Isa Mustafa që asgjë nuk po përfiton personalisht por e ka shpëtuar LDK-në nga një përçarje e madhe dhe ka ndikuar në deradikalizimin e skenës politike kosovare.

7. AAK-ja: qeverisë në 6 komuna të Kosovës ku ka ndërtuar struktura partiake dhe, sikur edhe të gjitha partitë e tjera politike në Kosovë, edhe klientelizmin politik. Nuk e shoh se mund të bjerë nën 10 deputetë, nëse nuk do të ketë tërmet në Holandë. Lehtësisht mund të bëhet lojtari kyç për formimin e qeverisë së Kosovës dhe i pashmangshëm për koalicione paszgjedhore.

8. Nisma Socialdemokrate dhe AKR: mund të mbijetojnë vetëm nëse bëhen pjesë e listave zgjedhore të subjekteve tjera, AKR-ja e LDK-së, Nisma e PDK-së ose AAK-së.

9. Iniciativa Vjosa Osmani në LV-ja: Po të kishte mbetur në LDK-ja, Vjosa Osmani do të forcohej shumë dhe, pa asnjë dyshim, pas një kohe do ta merrte edhe kreun e kësaj partie. Gjithashtu, po të ndahej nga LDK-ja menjëherë pas çarjeve të forta dhe ta formonte një parti apo lëvizje, sot Vjosa Osmani do të kishte të garantuar, së paku 10-12 për qind të votave. Në rastin konkret kur do të garojë, thuaja si anëtare e LV-së (pjesë e listës së LV-së), të gjithë votuesit e kanë të qartë se vota e tyre përmes Vjosa Osmanit do të jetë votë për Albin Kurtin dhe LV-në prandaj, asnjë votues tradicional i LDK-së, nuk do të votojë për Albin Kurtin dhe LV-në përmes Vjosa Osmanit. Vjosa Osmani personalisht do të përfitojë ndonjë post të dhuruar nga Albini, si Lëvizje do të mbetet embrion i pazhvilluar mjaftueshëm politikisht. Vjosa Osmani është tepër e re në moshë për të pasur urrejtje ndaj atyre, që, me luftën dhe sakrificën e tyre ia mundësuan të ketë poste dhe ardhmëri në politikë. Këta që po e përkrahin Vjosa Osmanin, në me krye kamikazin Haxhi Avdyli, kur të ndahen nga trungu i LDK-së, do të shndërrohen në ashkla politike që edhe zjarri më i vogël do t’i bëjë hi. Në fund të fundit, ashklat nuk përdoren për ta mbajtur zjarrin por për ta ndezë zjarrin!

Bisedimet me Serbinë: Këto bisedime do të jenë përcaktuese për jetëgjatësinë e qeverisjes e jo mënyra e qeverisjes. Këto bisedime ndikuan që Qeveria Kurti të bëhet Qeveria ish-Kurti. Serbia, e përkrahur nga ndërkombëtarët po luan lojë të ndyrë në Kosovë duke ndërhyrë në të gjitha punët e brendshme të një shteti. Serbia ka përparësi absolute sepse luftën nuk po e bënë në Serbi por në Kosovë. Serbia ka interes që të mbajë gjendjen e konfliktit të ngrirë të Kosovë, duke shkaktuar dhe mirëmbajtur krizat e të gjitha llojeve. Serbia nuk është e interesuar të rikthejë apo ta mbajë Kosovën nën Serbi, por është e interesuar të çnukë nga Kosova territor që i intereson dhe, vetëm pas kësaj do të pranojë të nënshkruaj marrëveshje me Kosovën. Kosova është e gozhduar nga Serbia dhe bashkësia ndërkombëtare për të pranuar çfarëdo marrëveshje dhe, pa asnjë dyshim, pa u nënshkruar një marrëveshje me Serbinë, Kosova do të vendnumërojë. Bashkësia ndërkombëtare po e kushtëzon Kosovën për çdo përkrahje me nënshkrimin e marrëveshjes me Serbinë. Edhe liberalizimi i vizave është i kushtëzuar me dëgjueshmëri politike, kushtet teknike janë plotësuar moti. Një ekip negociues, i përbërë nga të gjitha subjektet politike kosovare, mund të ndikojë që dëmi të jetë më i vogël dhe më i menaxhueshëm. Në momentin kur keni kërkuar dhe pranuar ndërmjetësim ndërkombëtar, kompromisin e keni të garantuar. Ky kompromis kushtëzohet nga ekipi negociator. Albin Kurti po e luan një shah të gabuar politik duke manipuluar me disa piona (ushtarë të lodhur) të LDK-së. Në lojën e shahut politik, Albini veten e konsideron si mbret të pakundërshtueshëm, Vjosën do ta bëjë mbretëreshë të LDK-së kurse, disa pionë të LDK-së, thjesht do të mund të bëhen, më së shumti kuaj ose mish për topa (figurë e shahut). Oficerë nga pionë nuk mund të bëhen sepse hierarkinë e oficerëve e ka bërë LV-ja, ndërkaq që në lojën e shahut nuk ka figura të tjera përveç mbretit, mbretëreshës, topit, kuajve, oficerit dhe pionëve (ushtarëve). Edhe nëse LV-ja i fiton 65 deputetë, nuk e besoj se do ta marrë përgjegjësinë për një marrëveshje me Serbinë, pa pajtimin e subjekteve të tjera kosovare. Është kafshatë që nuk kapërdihet e lëre më të tretet, edhe nëse kapërdihet me forcë! Albini këtë e ka të qartë. Po e mbushi pushkën për derra të egër, nëse na del lepur, do ta kemi më lehtë./Epoka e re/

Më Shumë

 Marrëveshje për zhvillim ekonomik dhe inovacion në Prizren

Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj ka nënshkruar sot një Marrëveshje të Mirëkuptimit me Innovation and Training Park (ITP) dhe Makerspace – Innovation Center Prizren për të bashkëpunuar në agjendën digjitale të...

Ish-zëvendësministri për vrasjet në Kosovë: Duhet të angazhohet edhe AKI-ja, kjo është shndërruar në problem kombëtar

Ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha, ka folur mbi ngjarjet e fundit në vend, ku është rritur numri i vrasjeve. Ai tha se pjesën...

Lajmet e Fundit