20.8 C
Prizren
E shtunë, 27 Korrik, 2024

Atentati ndaj Hasan Prishtinës, zbardhet historia e panjohur e 14 gushtit të vitit 1933 në rrugën “Tsimiski” në Selanik!

NGA DR. LUAN ZYKA

E hënë ishte edhe atëherë, dhe 14 gusht, por para 90 vjetësh… Atë mesditë të nxehtë të 14 gushtit 1933, rreth orës 14:15, një zotni po ecte me ritëm të ngadaltë përgjatë rrugës “Tsimiski” të Selanikut, që gëlonte nga gjallëria e kalimtarëve, tramvajit dhe makinave të ndryshme.

Zotnia me barsolinë, veshur më një kostum gri dhe një bastun ngjyrë argjendi në dorë, dukej se kishte dalë për shëtitjen e zakonshme pas ngrënies së drekës në hotelin “Ariston” ku banonte prej disa ditësh.

 

 

Pas një itinerari të gjatë dhe plot peripeci nëpër Turqi, Rumani, Austri dhe Bullgari, emigranti i vjetër politik, i kthyer në qytetin e tij të shkollimit, ndoshta shikonte me melankoli zhvillimet e reja të qytetit grek, duke pasur në mendje dhimbjen e kujtimeve të atdheut të tij, që nuk po hynte akoma në udhën e zhvillimit perëndimor.

Teksa kishte arritur në kryqëzimin e rrugëve Tsimiski dhe Vogkatsiko, rrjedhën e hamëndësive të tij do ta ndërprisnin plumbat e ardhur pas shpine, lëshuar prej revoles së një personi të bëshëm.

Zotnia me borsalino i gjendur në befasi, kthehet paksa nga vrasësi, dhe duke u përkulur mbi bastun, fut dorën në xhep të nxjerrë revolen e tij, një Smith amerikan me këmbëz të fildishtë dhe veshur në serm.

Por, vrasësi vërsulet me mani shtazarake sipër trupit të përkulur, duke e qëlluar me dy plumba të tjerë në kokë e në gjoks, për të arritur deri në fund qëllimin e tij.

 

 

Mbi trotuarin e përgjakur ra duke dhënë frymën e fundit, njëri nga shqiptarët më të famshëm të shekullit të 20-të.

“Këtu e vranë Hasan Prishtinën”, do më thoshte emigranti i vjetër shqiptar në Selanik, dardhari Kosta Konopulli, në nëntor të vitit 1981, kur unë sapo kisha arritur atje për studime në universitetin “Aristotel”.

Kush ishte dhe çfarë ideologji kombëtare përfaqësonte Hasan Prishtina?

Po kush ishte zotnia fisnik që e vranë në rrugën Tsimski të Selanikut?

Ishte e rastësishme vrasja e një njeriu pa pasur më parë asnjë incident debati apo konflikti, në rrugën kryesore të Selanikut kozmopolit, nyjës ballkanike të politikës, biznesit, korrupsionit, por edhe labirinteve të shërbimeve të fshehta?

Prokurori i gjykatës së Selanikut Eksarhopulos, më datën 23 shkurt 1934, deklaronte në sallën e gjyqit, me emocion jo të zakonshëm për një jurist, gjatë leximit të aktakuzës ndaj vrasësit të Hasan Prishtinës:

“Unë, tha prokurori, nuk jam këtu të vlerësoj personalitetin e Hasan Prishtinës, por dua të deklaroj se Hasan Prishtina ishte një patriot i madh shqiptar, që punoi dhe luftoi për lirinë dhe mbrothësinë e atdheut të tij, dhe që rrethanat e sollën të ishte jashtë atdheut të vet”.

Hasan Prishtina ndoshta mban rekordin në historinë shqiptare, ku për shkak të veprimtarisë së tij politike, është dënuar gjashtë herë me vdekje; nga xhonturqit, nga Esat Pasha, nga Serbia dhe tri herë nga qeveria e Ahmet Zogut.

Hasan Prishina lindi në Vushtrri të Kosovës, në 27 shtator të viti 1873. Deri në vitin 1908 është quajtur Hasan BerishaPolaci, diku tjetër Hasan Vuçitërni, kurse prej kohës kur zgjidhet deputet i Prishtinë në parlamentin otoman, Hasan Prishtina. Edhe pse ka letra të viteve 1920, të nënshkruara me dorën e tij si Hasan Vuçiterni.

Mësimet e para i kreu në vendlindje, të mesmen në Selanik dhe studimet e larta në Fakultetin e Drejtësisë në Stamboll.

Gjatë shkollimit fitoi kulturë të gjerë, ku përveç turqishtes mësoi gjuhë të huaja si frëngjisht, greqisht dhe arabisht, si edhe u brumos me ide përparimtare evropiane.

Në kryeqytetin otoman krijoi lidhje të ngushta me bashkatdhetarët e tij dhe u njoh me veprat e tyre epokale si të Sami dhe Naim Frashërit, Pashko Vasës, Hoxhë Tahsinit, etj, si dhe do të njihet me veprat e iluministëve francezë: Volterit, Monteskie, Zhan Zhak Rusos etj.

Fillimisht ai punoi në administratën qendrore në Stamboll, ku arriti postin e Kryekonsullit të shtetit, dhe njohu mekanizmat e ndërtimit dhe funksionimin e administratës shtetërore. Janë për tu admiruar stili dhe gjuha e përzgjedhur që përdori Hasan Prishtina në komunikimin e tij si oratorik, ashtu edhe në fjalën e shkruar.

Ai u zgjodh tri herë deputet i shqiptarëve nga Prishtina (1908 – 1912) në parlamentin Osman, ku u dallua si deputeti shqiptar më aktiv në mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve edhe të popujve të tjerë pa të drejta veçanërisht kundër politikës shtypëse antishqiptare të xhonturqve.

Një ditë pas fjalimit historik të Hasan Prishtinës në Parlamentin Otoman më 11 janar 1912, me nismën e Ismail Qemalit u mbajt “Takimi i Taksimit”, ku morën pjesë Ismail Qemali Hasan Prishtina Esad Toptani Myfid Libohova, Syrja Vlora, Aziz Vrioni, të cilët dhanë betimin për organizimin e Kryengritjes gjithëshqiptare për autonominë e gjithë Shqipërisë.

Disa ditë më pas, duke parë përkeqësimin e gjëndjes së popujve të perandorisë otomane, 5 depute të parlamenti turk i kërkuan takim stulltanit. Në mes tyre edhe Hasan Prishtina. Të nesërmen, gazeta “Tanin” e Xhonturqëve shkruante “Hasan begu nga Vulçitirni, deputet i Prishtinë, filloi me na kërcënue përpara sulltanit”.

Pasi mori detyrën, ai shkoi në Kosovën e tij për organizimin e Kryengritjes së përgjithshme kundër Perandorisë Osmane.

Më 5 maj 1912, Hasani, ashtu siç kishte paralajmëruar, doli në Drenicë ku iu drejtuar krerëve të tubuar atje i shpalli luftë Turqisë, sepse: “Më mirë një pushkë në male se një thes fjalë në Parlament”. Dhe “Në vend të një kulluku me turp në Stamboll, preferova kryengritjen me nder në malet e Kosovës”

Ishte Kryengritja e Përgjithshme e shqiptarëve dhe të Kosovës kryesisht, që i dha goditjen vdekjeprurëse ngrehinës së sëmurë otomane në Ballkan.

Ideali i Hasan Prishtinës ishte çlirimi i Kosovës dhe bashkimi i kombit shqiptar. Ai ishte i papajtueshëm me çdo ide përçarëse, veri-jug, toskë e gegë. Në një fjalim në Parlamentin shqiptar, më 1921, ai deklaroi: “Unë nuk jam as tosk, as geg, por jam shqiptar”

Kjo ishte moto e jetës së tij në gjithë veprimtarinë politike, organizative, diplomatike kulturore dhe luftarake nga të gjitha pozicionet ku e çoi fati i luftëtarit të përjetshëm.

Hasan Prishtina, ishte i fundmi i mbetur nga krijuesit e Shqipërisë dhe në vizionin e tij, të formuar e mbrujtur në mitrën e sapo formuar të kombit shqiptar nuk mund të kishte tjetër hapësirë se sa ajo e bashkimit të shqiptarëve në një shtet. Ashtu, si pak a shumë ndodhi me popujt e tjerë ballkanik, ku edhe ata nuk ishin krejt të plotësuar nga kaosi etniko-territorial ballkanik. Por Shqipëria e Konferencës së Londrës të vitit 1913 nuk ishte ajo për të cilën Hasan Prishtina ishte ngritur edhe kundër Perandorisë Otomane. Për më tepër vendilndja e tij dhe toka, për të cilën luftoi me armë në dorë, Kosova, ishte lënë jashtë trungut mëmë.

Ky ishte dhe mbeti gjithë jetën vizioni dhe kredoja e tij politike. Ai mendonte se Shqipëria pa Kosovën nuk mund të ishte shtet normal që mund të mbijetonte.

Hasan Prishtina, për shumë vite, bashkëpunoi me të gjitha forcat dhe vendet që mund ti shërbenin realizimit të qëllimit të tij. Përveç Serbisë. Sa edhe historiani serb Milosav Jeliç shkruan në librin e tij “Albanija” më 1933, “Këtë njeri, ne serbët, duhet ta kishim bërë për vete”.

Por koha gjeopolitike nuk punonte për shqiptarët. Dhe Hasan Prishtina e kuptoi këtë edhe kur kërkesës së tij për të mbështetur pavarësinë e Shqipërisë, konsulli anglez në Shkup iu përgjigj “Mbretëria e Bashkuar nuk ka interes të merret me këtë çështje”.

Por një prijës popullor si ai, luftëtar i së drejtës dhe vetëvendosjes së popujve, kishe besim të patundur tek të drejtat natyrore të çdo kombi për mvetësi.

Por nuk mendonin kështu prijsat lokalë shqiptarë me frymë orientale dhe despotike. Atyre u mjaftonte që të kishin nën hyqëm një fshat e të kishin titullin bej, pasha etj. Dhe për të arritur këtë qëllim ishin të gatshëm të shërbenin edhe djallit vetë. Shqipëria e katandisur një thelë nga Konferenca e Londrës ishte tamam kostumi që i shkonte për shtat Esad Pashës, Ahmet Zogut e përkrahësve të tyre.

Apo ndoshta këta e nuhatën se kaq ishin fuqitë e shqiptarëve dhe në fillim duhej ndërtuar kjo pjesë Shqipëri dhe në të ardhmen shikojmë e bëjmë, ata vetë, apo brezat e ardhshëm…

Të dy palët i mbetën besnikë deri në fund pikëpamjeve të tyre. Me një ndryshim: Lokalistët ofiqarë ishin gati të jepnin çdo gjë, dhe të bashkëpunonin me çdo shtet tjetër me kusht që ata vet; mos të humbnin kolltukun e pushtetit.

Ndërsa Hasan Prishina gjatë gjithë jetës së tij, dëshmoi se ai do të mbështetej te çdo shtet që do ndihmonte në realizimin e qëllimit të tij etnik.

Kështu veproi sapo u formua shteti shqiptar si deputet, ministër, kryeministër apo i emigrant politik nëpër Europë duke vazhduar misionin e tij me të gjitha mënyrat e mundshme. Derisa e gjetën plumbat vrasëse që vërtetuan profecinë e tij kur u kishte thënë bashkëluftëtareve të ngushtë “herët a vonë, mu, ty Gurakuq, dhe ty Bajram beg ka me na vra dora e Ahmet Zogut”. Vrasjet janë dëshmuar, ndërsa vrasësi apo vrasësit mbeten për t’u vërtetuar plotësisht./Panorama

ATENTATI KUNDËR HISTORISË NË SELANIK
(Me rastin e 90-vjetorit të vrasjes së Hasan Prishtinës, sipas fakteve të reja arkivore)

neser

Më Shumë

Rahovec, mbahet punëtoria për mbrojtje nga dhuna në familje

I kryesuar nga zyrtari për barazi gjinore, Alban Gashi, njëherësh kryesues i grupit punues dhe i shoqëruar nga kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl...

Digjet një shtëpi në Celinë të Rahovecit, dyshohet se e goditi rrufeja

Një shtëpi në Celinë të Rahovecit është djegur. Shkak i djegies dyshohet të jetë goditja e rrufesë. Po ashtu raportohet se nuk ka të lënduar.   Marketing https://prizrenpress.com/hotel-albes-ne-korishe-zgjedhja-me-e-mire-per-qetesi/ https://prizrenpress.com/kompania-gm-stone-lidere-ne-perpunimin-dhe-prodhimin-e-gureve-ne-kosove/ https://prizrenpress.com/37456990786/ https://prizrenpress.com/128754321689087654-2/ https://prizrenpress.com/guraziu-ne-prizren-me-20-vjet-pervoje-pune-ne-vendosjen-e-dyerve-laminatit-parketit-kuzhinave-dhe-dhomave-te-fjetjes/   https://prizrenpress.com/adi-plast-ne-prizren-nje-emer-i-njohur-ne-tregun-e-kosoves-dhe-nderkombetar-per-vendosjen-e-dyerve-dhe-dritareve/   https://prizrenpress.com/7890875432-2/ https://prizrenpress.com/banesa-ne-shitje-nga-renelual-tahiri/      

Lajmet e Fundit