Bllokada tashmë është tejkaluar. Presidentja Jahjaga, si garantuese e funksionimit të institucioneve, duhet të kërkojë nga Flora Brovina thirrjen e seancës. Marrëveshja e koalicionit LDK, AAK, NISMA dhe VV duhet të pësojë ndryshime. Kandidat për Kryeministër do të jetë Isa Mustafa. Udhëheqja e LDK’së po kërkon mbështetjen evropiane për qeverisjen e re të Kosovës. Anëtari i Kryesisë dhe Deputeti i LDK’së, Avdullah Hoti, flet për Express
Express: Deri kur do ta prisni PDK-në për të thirrur seancës për të përfunduar konstituimi i Kuvendit?
A.Hoti: Ne presim që kryesuesja Brovina shumë shpejt të thërrasë vazhdimin e seancës konstituive. Pasi koalicioni LDK, AAK, Nisma dhe Vetëvendosje do të votojnë kandidatin e PDK-së për Kryetar të Kuvendit, mendoj se është tejkaluar ngërçi politik dhe nuk ka më arsye të shtyhet seanca e Kuvendit. Me këtë veprim, koalicioni i ka hapur rrugë formimit të institucioneve të vendit në përputhje me kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese, sado që vendimi i Gjykatës lidhur me zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit nuk është në frymën e demokracisë parlamentare.
Express: Si duhet të sillet në këtë rast Presidentja Jahjaga?
A.Hoti: Presidentja është garantuese e funksionimit të institucioneve sipas kushtetutës. Ne presim që ajo të kryejë obligimin e saj kushtetues, të sigurojë se seanca thirret dhe mbahet në përputhje me rregulloren e Kuvendit. Ne presim se Presidentja do të kërkojë nga kryesuesja që të thërrasë seancën nëse zonja Brovina nuk e bënë një gjë të tillë. Përvojat e deritanishme që i kanë deputetët e kësaj legjislature me zonjën Brovina nuk janë premtuese. Sjellja e saj në seancat e kaluara ka qenë jo demokratike, arbitrare dhe në interes të subjektit të saj politik. Kjo sjellje e saj e ka dëmtuar frymën e demokracisë në Kosovë dhe ka vendosur një standard të keq se si nuk duhet të sillet asnjë zyrtar publik.
Express: Pasi Blloku hoqi dorë nga pozita e Kryeparlamentarit LDK ka kërkuar ta udhëheq Qeverinë. Është Isa Mustafa kandidat i LDK’së apo ka ndonjë emër tjetër?
A.Hoti: Koalicioni e ka shumicën parlamentare për të formuar qeverinë. Pas heqjes dorë nga pozita e Kryetarit të Kuvendit, është e natyrshme që partisë më të madhe në koalicion, që është LDK-ja, t’i takojë posti i Kryeministrit. Sigurisht, Kryetari Isa Mustafa do të jetë kandidati për kryeministër pasi ai është kryetar i LDK-së, ka barrën e implementimit të programit qeverisë të koalicionit dhe ka përgjegjësinë para elektoratit të LDK-së.
Express: Zyrtarët e AAK’së kanë thënë se Marrëveshja s’ka ndryshuar dhe se Ramush Haradinaj mbetet kandidat për Kryeministër. Ka rrezik të prishet Blloku nëse LDK e kërkon pozitën e Kryeministrit?
A.Hoti: Nuk ka asnjë rrezik të prishet koalicioni, ose blloku siç e quani ju. Koalicionin e mban fort së bashku qëllimi i përbashkët, që është ndërrimi i qeverisjes në Kosovë dhe ofrimi i një qeverie të shpresës, zhvillimit dhe punësimit për qytetarë dhe integrimi evropian i Kosovës. Të gjithë partnerët e koalicionit janë pajtuar që të votohet kandidati i PDK-së për Kryetar të Kuvendit. Rrjedhimisht, është e natyrshme që LDK-së, si partia më e madhe në koalicion, të udhëheqë me qeverinë pasi e ka barrën më të madhe brenda koalicionit me 30 deputetë sa ka.
Express: PDK po i përmend zgjedhjet e jashtëzakonshme nëse nuk ka marrëveshje mes partive. Cili është qëndrimi i LDK sa i përket mundësisë për të shkuar në zgjedhje të jashtëzakonshme?
A.Hoti: Nuk ka asnjë arsye të shkohet në zgjedhje. Kosova nuk është në ngërç politik. Në seancën e radhës të Kuvendit, do të zgjidhet Kryetari i Kuvendit dhe strukturat e tjera të Kuvendit. Pas kësaj, në përputhje me vendimit e Gjykatës Kushtetuese për mandatarin për Kryeministër, ne presim që PDK-ja të shfrytëzojë të drejtën e saj që brenda 15 dite të paraqesë në Kuvend për votim qeverinë ose të dorëzojë mandatin. Presim që në përputhje me këtë vendim dhe me kushtetutën, Presidentja herën e dytë të mandatojë LDK-në për të formuar qeverinë. Ne jemi të gatshëm që në afat rekord të paraqesim në kuvend propozimin për qeverinë e re dhe programin qeverisës. Kjo qeveri e koalicionit do të jetë qeveri e standardeve evropiane, qeveri që do të mandatohet për të kthyer normalitetin në vend dhe për të përmbushur standardet evropiane në mënyrë që në afat rekord të lëvizet pa viza.
Express: Në mbledhjen e fundit të Kryesisë së LDK është përmendur nisja e procedurave për zgjedhjet e brendshme partiake. Kur pritet të përfundojë ky proces?
A.Hoti: LDK-ja ka filluar përgatitje e saj për zgjedhjet e brendshme partiake. Ky është një proces normal që e zhvillon LDK-ja çdo katër vite në përputhje me statutin e saj. Mendoj se në këtë drejtim, LDK-ja ka vendosur standarde të larta se si duhet të funksionojë një parti politike e qendrës së djathtë. Sigurisht ju e dini, LDK-ja është vetmja parti nga Kosova që është anëtare e Partive Popullore Evropiane dhe ne kemi për obligim që të sigurojmë standardet më të larta demokratike në zgjedhjet e brendshme partiake.
Express: Është përmendur se kandidatë të mundshëm për kreun e LDK’së janë edhe Lufti Haziri, Vjosa Osmani, Arben Gashi e Bujar Bukoshi. Janë këta kandidatët potencial për të udhëhequr me LDK’në dhe a jeni edhe ju kandidat për të qenë në krye të kësaj partie?
A.Hoti: Në zgjedhjet e saj të brendshme, LDK-ja është shumë demokratike në respektimin e të drejtës që ka secili anëtar i LDK-së për të zgjedhur dhe për tu zgjedhur në strukturat e LDK-së, në cilindo nivel. Zgjedhjet do të organizohen në përputhje me statutin e LDK-së dhe Rregulloren për zgjedhje të LDK-së. Unë nuk komentoj se çfarë shkruhet nëpër medie për persona të caktuar. Unë mund të flas për veten time se nuk jam kandidat për kryetar të LDK-së. Duhet të them me këtë rast se LDK-ja ka standarde tepër të larta për kryetar të partisë, sepse është parti me traditë, e përgjegjshme, parti institucionale dhe parti që ka përgjegjësi të madhe para qytetarëve të Kosovës dhe anëtarësisë së vet.
Express: Isa Mustafa dhe disa zyrtarë të tjerë të LDK’së po qëndrojnë në Berlin. A e ka marrë mbështetjen lideri i LDK’së për pozitën e Kryeministrit?
A.Hoti: Kryetari Isa Mustafa dhe zyrtarë të lartë të LDK-së po qëndrojnë në Berlin në takime të rëndësishme me zyrtarë të CDU-së dhe institucioneve gjermane. Gjermania është partner i rëndësishëm i Kosovës, sikurse që është CDU-ja partnere e rëndësishme strategjike e LDK-së. Ne kemi pasur mbështetje të fortë në vazhdimësi nga CDU-ja. CDU-ja dhe LDK-ja janë të dyja anëtare e Partive Popullore Evropiane. Na presim shumë punë në Kosovë, në themelimin e shpejtë të institucioneve, në zbatimin e reformave për të mundësuar aplikimin e standardeve evropiane me qëllim të integrimit sa më të shpejtë në BE dhe në NATO. Ndihma e Gjermanisë është e pazëvendësueshme në këtë drejtim. Kjo vizitë në Berlin është në këtë frymë, që të konsultohemi me partnerët tanë evropiane dhe të sigurojmë mbështetjen e tyre në veprimet tona të ardhshme.