15.8 C
Prizren
E enjte, 15 Maj, 2025

Bac, (nuk) u kry!

Nga Nijazi Idrizi

Një ditë pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës slogani më i përkryer të cilit nuk kishe ç’t’i shtoje e as t’i hiqje asgjë ishte “Bac, u kry”! Në këto dy fjalë emblematike u mbyllën si në një arkiv përpjekjet shekullore të shqiptarëve për liri e shtet dhe dramat familjare e kombëtare që i bartën me vete në këto përpjekje. Këto fjalë e shprehën respektin dhe mirënjohjen për legjendën e luftës, Adem Jashari, rreth emrit të të cilit u ndërtua Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe familjes së tij në strehën e së cilës shëroheshin dhembjet e dramave familjare jo vetëm të njerëzve të Kosovës, por edhe të atyre nga Lugina e Preshevës e Maqedonia. Në këtë vend të pelegrinazhit, njerëzit i mbytnin me dhëmbë psherëtimat, për njerëzit e tyre të humbur përgjithmonë dhe të gjithë ngrinin para thjeshtësisë dhe madhështisë së pinjollëve të shpëtuar të familjes Jashari.

Kosova e sfilitur e drejtoi edhe këtë herë trupin plot plagë dhe me optimizëm i drejtoi sytë në horizont, ku dielli sërish po lindte edhe për të. Me fytyrë nga Perëndimi, plot mirënjohje për përkrahje, ajo filloi t’i hedhë hapat e vet të vegjël drejt saj, si fëmija i braktisur drejt nënës së vet.

***
Qeverisja me fitoren që populli i Kosovës e arriti me përkrahjen e plotë politike, ushtarake e humanitare ndërkombëtare, ka qenë një punë jashtëzakonisht e zorshme, për faktin se shteti i ri i Kosovës solli rritje të adrenalinës së popujve të ndryshëm të cilët çlirimin e vendit nga neofashizmi serb nuk e përjetuan në mënyrë të njëjtë. Derisa fitoren e shqiptarëve serbët e përjetuan si humbje të tyre, të parët e bënin bilancin e humbjeve njerëzore në familjet e tyre të cilat i kishin prekur të gjithë, ndërsa shteti serb e fuste eshkën e ndezur kudo për t’i trazuar shpirtrat e lënduar dhe për ta rikthyer gjendjen fillestare ose së paku për ta përjetësuar kujdestarin mbi të paktën një pjese të territorit të Kosovës.

Për këtë i duheshin argatët brenda popullsisë shumicë, madje nga ata të luftës, të cilët, për shkak të kredive me merita, do të hynin më shumë në punë për arritjen e objektivave të saj. Ndarja e Kosovës në baza etnik, fetare dhe kulturore, “për mbijetesën e popullit serb në Kosovë”, ishte objektivi i madh i Serbisë!

Misionet ndërkombëtare ishin të disponuar të ofronin mbështetje maksimale për “kthimin e besimit të humbur” dhe ishin të gatshme të pranonin kërkesa nga më të ndryshmet, madje edhe nga ato që shquheshin për iracionalitet.

Me mbështetjen e kleptokracisë së verbuar të vendit, (të cilëve, pos pasurisë dhe parasë, nuk u bënte përshtypje asgjë), prekën edhe aty ku nuk patën guxuar të prekin pushtetet më të egra serbe?! Këta axhami, të frikësuar në palcë nga pak akte të pista që kishin bërë në dëlirin e madhështisë së tyre, për ta shpëtuar veten dhe piramidën e tyre të krimit, (të ngritur për mbulimin e tyre, në të gjitha shtyllat e të dy niveleve të pushteteve), me entuziazëm i pritnin të gjitha propozimet që u vinin nga të gjitha anët.

Ata e çarmatosën shpejt dhe e mbyllën një pjesë të UÇK-së në kazerma, pa i definuar rolet dhe përgjegjësitë e tyre, duke i shndërruar herë në pastrues të rrugëve e herë në manekinë sfilatash, pa mision për të ardhmen e saj. Ata i çarmatosën dhe i lanë në rrugë pjesën më të madhe të luftëtarëve, duke i braktisur si kopilë, i lanë pa të ardhura e pa të ardhme për familjet e tyre të cilët, për shkak të problemeve materiale, u bënë edhe të rrezikshëm! Ua zvarritën për 15 vjet statusin e veteranit dhe një pjesë të këtyre alamet burrave dhe grave i shndërruan në vegla të partive politike dhe i përdorën në luftën për pushtet.

Ata e hoqën jo vetëm flamurin shekullor shqiptar, por i braktisën edhe ngjyrat kuq e zi nga flamuri i ri, ndërsa himnit “ia prenë gjuhën” dhe e vunë në gojë të memecëve, e cila i ngjanë muzikës së varrimit!
Ata e izoluan dhe e mbyllën në Prekaz (lëçitja) familjen emblematike Jashari, (sipas modelit serb të dënimit me harresë), duke e acaruar tej mase! Për më keq, disa nga ata i hipnin e i zbrisnin nëpër karrige, ndërsa ndonjë e peshonin me gram duke e larguar për “faj trungu”!

Ata e ndanë Kosovën në baza etnike, me komuna dhe asociacione të komunave serbe, shqiptare, turke…!

Dhe tash në fund u dorëzua edhe fatura! Kuvendi i Kosovës me 82 vota pro, pas një teatri kryeneçësie, e themeloi Gjykatën Speciale, për t’i hequr përfundimisht nga faqja e dheut jo vetëm ata që kanë luftuar për liri, por edhe kujtesën për ata! Për më keq, një nga tri shtyllat e shtetit u shkul dhe u dërgua jashtë vendit për t’u riparuar nga kalbëzimi që e kishte përfshirë atë pas infektimit të sërishëm nga jashtëqitjet e kleptokracisë dhe klaneve mafioze institucionale të shtetit të Kosovës.

Kaq e pati madhështia e luftës për liri!

Ata për ta mbyllur me ironi edhe këtë kapitull, u kujtuan që, mu në kohën kur bëhej debati dhe shtrohej trysnia mbi deputetët e Kuvendit të Kosovës për themelimin e Gjykatës Speciale, shoqatat e veteranëve të luftës së UÇK-së i udhëzuan t’i shpërndanin certifikatat për njohjen e statusit të veteranit, luftëtarëve të vet, të cilat përcilleshin me fotografi me buzëqeshje të ngrira! Këto akte të përcjella me fotografi janë pamjet e fundit të krenarisë së një brezi që u sakrifikua për lirinë e vendit! Ndërsa pamjet e votimit të Gjykatës Speciale janë pamjet e fundit të mohimit dhe degjenerimit të saj!

Tash shpejt do të fillojë epilogu i një drame me një fund të paparashikueshëm jo vetëm për bartësit e saj, por edhe për historinë e saj! Brezat që do të vijnë do ta kenë të zorshme ta ndajnë heroin nga krimineli, luftëtarin nga banditi, patriotin nga tradhtari, pushtetarin nga hajduti. E slogani “Bac, u kry”, u përtyp edhe një herë në ndërgjegjen e njerëzve patriotë të këtij vendi, me shpresë që në një të ardhme të afërt të shpërthej edhe një herë, jo vetëm si përmbajtje, por si betim!

Më Shumë

Wendell Green shpallet MVP i ndeshjes Trepça-Bashkimi

Basketbollisti i Bashkimit është shpallur MVP i finales së katërt, raporton PrizrenPress. Ai ishte në garë të ngushtë me Michael Myers të Trepçës, por me...

Prizren/ Aktakuzë për fajde dy personave të cilët u kapën në flagrancë

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj E.K. dhe B.K. për fajde, pasi ishin zënë në flagrancë në mars sivjet duke marrë 10...

Magjia e dritës

Lajmet e Fundit