18.8 C
Prizren
E enjte, 2 Maj, 2024

Baladë në kohën e murtajës

Hajdar MallakuShkruan: Hajdar Mallaku

Ishte hera e dytë që në fshatin Mollak po binte murtaja. Kështu thoshte legjenda. Herën e parë, thuhej herën e parë se nuk dihej në kishte rënë edhe herë të tjera, kishte rënë para shumë vitesh dhe nuk rronte më askush prej gjeneratës së atëhershme që të tregojë diçka për të, por çdo gjë ishte përcjellë gojarisht brez pas brezi. E besojmë se ngjarja historike, pasi s’kish mundur të regjistrohej me shkrim, ia kishte lëshuar vendin legjendës që t’i flakë imtësirat për ta ruajur vetëm thelbin e saj amshueshëm.

Se kush e solli, ditët e para e rrahën kokën i gjithë fshati, por pastaj i rroku paniku dhe çdokush merrej me shpirtin e vet, me familjen e vet. Më të vjetrit thonin se nuk u mbushëm mend as pas të parës dhe Zoti na dënoi dhe një herë. Të dytët thonin se e sollën qenët me ngordhësira, të tretët se e sollën lakmiqarët për vend, duke e drejtuar një të sëmuar me simtome murtaje drejt fshatit tonë, e të katërtit se e solli ushtria turke, me qëllim, përmes një ushtari të sëmuar që u varros buzë rrugës, larg fshatit, dhe vendi e mori emrin Vorri i Ushtarit. Këtë e bënë se fshati prej pesëdhjetë shtëpish, i fortifikuar edhe me Kalanë e Shëngjergjit, (Fshati Mollak do të quhet Shëngjergj nga shigjetasit që i populluan truallishtet e zbrazura) i qëndroi, nuk ia pagoi obligimet, iu kundërvu me armë, ia grabiti karvanet që çarkullonin me mallra dhe u mallkua me emrin Karashëngjergj. Kjo e fundit ishte më bindëse sepse pushteti nuk i ofroi asnjë ndihmë, por vetëm i izoloi banorët që të mos hynin në Prizren kur vinin nga Shëngjergji.

Kulla e Kurt Pashait qëndronte hijerëndë në mes të fshatit. Të dukej se ishte varur në mjegullen e lehtë që po ngrihej atë mëngjes drejt qiellit, ndërsa shtëpitë përreth i kish pllakosur heshtja, thuase s’kishte njërëz të gjallë në to. Ditët e para ndihej xhëma e bërë për të vdekurit, dhe ajo xhëmë bëhej larg kufomave që të mos përhapej sëmundja. Por, ditët në vijim, njerëzit i kapi paniku, disa familje morën çka mundën dhe e braktisën fshatin duke shkuar drejt fshatrave apo qyteteve nga perëndimi. Tashmë ishte bërë e përditshme vdekja dhe për ata që qëndronin pa u larguar nga fshati kishte vetëm këto detyrime: kujdesi për të sëmurët derisa vdisnin dhe këtë e bënin të moshuarit, kujdesi për varrimin e të vdekurve që e bënin katër djem më të fuqishëm, të cilit ishin imunizuar nga xherrrahu që e kryente dhe punën e mjekut dhe ata që i kryenin punët e shtëpisë.

Të gjallët duhej të hanin e të pinin. Kishte dhe të tillë që s’pranonin t’ia kthenin shpinën asaj pasurie, sado e vogël që ishte, e, sidomos bagëtisë së shumtë që e kishin. Ditët e para varrimin e bënin në varrezat e fshatit që ndodheshin në të dalë, andej nga lindja, e kur ato u bënë shumë, me qëllim që të liroheshin sa më parë nga kufomat, varrimin filluan ta bënin në mes të Arave të Gjeçit. Ato varreza lindën me emrin e trishtë dhe u quajtën Vorret e Murtajës. Nga këto varreza një kohë të gjatë mbetën kujtime të tmerrshme, por kujtimi për Laureshën dhe Sokolin ishte ndër më të dhimbshmit. Lauresha, bijë e Kurt Pashait dhe nënë Vajzanës, qe martuar në Lugishtë pesë javë para se të plaste murtaja. U martua në një familje të pasur, derë e madhe e Kajëve, derë princore dhe dasma u bë me aq madhështi sa nuk ish parë ndonjëherë edhe në shtëpinë e Sokolit që po e merrte , edhe në shtëpinë e Pashait që po e përcillte. Dhe sipas traditës në krye të muajit familja e Pashait e mori në të pamë, pasi e kish kryer më parë ardhjen për një copë herë dhe për adet vetëm një natë. E pamja zgjaste sipas traditës pesë javë, por Lauresha nuk kishte nevojë të bënte vek rishtaz, se kishte mjaft, prandaj e caktuan që të zgjasë vetëm dy javë.

Java e parë kaloi si më së miri. Laureshën e merrnin për darkë sipas adetit herë një familje e herë një tjetër, familje të një barku dhe kjo i kushtoi shtrenjt. Fati i qëlloi që të qëndrojë në njërën prëj familjeve të prekur nga murtaja dhe pikërisht këtë e preku të tretën. E para qe një grua që i kish ofruar bukë dhe ujë lypësit të kamufluar, të ardhur nga otomanët, ndërsa i dyti qe i shoqi i saj. Shenjat e sëmundjes u shfaqën në formë lodhjeje dhe askuj nuk i shkonte mendja te sëmuarja e murtajës deri sa nuk u shfaqën shenjat e para që plakat i kishin mbajtur në mend nga rrëfimet e nënave të tyre. Gjyshe Gjyla, që e quanin dhe lokenënë, e ëma e Pashit, e hetoi, por nuk e tha me fjalë që të mos krijonte panik. Pashai i mori masat me njerëzit e besueshëm, një xherah dhe dy plaka me përvojë që merreshin në mënyrë laike me shërimin e sëmundjeve. I filluan shartimet me të grrithura të gjilpërës duke i ngjyer në dregëzat e lungës, së pari te pesë- gjashtë djem të rritur dhe patën sukses. Plakat i bënë lutjet me rite të trashëguara, madje dhe yshtje në maje të malit Pashtrik.

Në anën tjetër vunë roje në hyrje- dalje të fshatit që të dalin prej andej vetëm njerëzit e shëndoshë që një ditë mund të kthehëshin, e të mos hyjnë njerëz të shëndoshë dhe të dyshimtë që vetëm merrnin masa dhe largoheshin pa u vërejtur, se mund ta merrnin me vete dhe sëmundjen. Pashai nuk la pa e lajmëruar dhe mikun e tij në Kajë të Lugishtës, Vjetar Kajën dhe të shoqen e tij, Dojen, të cilët do ta lajmëronin në mënyrën më të pranueshme, më të butë, djalin e tyre, Sokolin, megjithëse lajmi për sëmundje gjithënjë ishte i rëndë sa bjeshka.

I biri nuk kishte njohuri për këtë sëmundje shfarosëse dhe e pranoi rëndë, por me besim se shëndeti i së shoqes si molla do ta tejkalojë këtë të shkuar të rastit. I erdhi keq dhe për një gjë: nuk kishte qenë ende dhëndër së pari, që ishte pritur si drita për sytë, ditën kur do ta merrte prej së pari nusen dhe me bisht të syrit do ta shihte Laureshën të veshur si zanë mali, që fshehur pas një qosheje do ta përpinte me sy duke ia bërë me shenjë se e ka në shpirt. E ky, në ekstazë, do ta shihte veten në fluturim, atje mbi re ku një laureshë dhe një sokol, sqep për sqepi qajnë si dy disqe kaltrinë magjepse të qiellit. Por kjo nuk ndodhi.

Sa e mori lajmin e kobshëm, Sokoli mori lejen e babait dhe u nis për në Mollak. Në hyrje të fshatit rojet i thanë se ishte vetëm një të shkuar që do të kalojë shpejt. Kur hyri në fshat, pa se ai kishte marrë pamjen e nje vdekjeje kolektive, asnjë zë, vetëm një zë trishtues i shpendkeqes, majë Lisit të Kuvendit. Iu duk se po hynte në varr për së gjalli kur hyri në shtëpinë e Pashait, aty ku jeta gjallëronte si zgjua blete. E drejtuan në dhomën ku qe e shtruar Lauresha, edhe pse sipas traditës dhëndri në shtëpinë e vajzës nuk duhej të bënte as hije dhe, posa e kaloi pragun, u step. E pa nusen të shtrirë. Kufomë e gjallë, mbuluar me një çarçaf nusërie dhe një cohë të bardhë mbi ballë. U përkul mbi trupin e saj duke i vënë duart njërën andej e tjetrën këndej dhe e përqafoi duke e shtrënguar fort e fort. Askush nuk pati guxim t’ia tërhiqte vërejtjen që ta kursente në atë gjendje që ishte. Gjyshe Gjyla, që i rrinte pranë, e dinte fundin e kësaj katrahure dhe i la të shmalleshin së paku tri a katër ditë. Kur nuk u ngi me të përqafuar, Sokoli shpërtheu në vaj, ashtu si nuk i kishte hije një mashkulli dhe e zbrazi shpirtin:

– Laureshë, shpirti im i shtrenjtë ! Engjëll që më rri si aurorë rreth zemrës! E lus Zotin që të shërohesh sa më shpejt !

– Sokoli im i ëmbël ! Ti nektar që të thith si bleta e uritur lulen. Pasi të pashë dhe një herë, malli s’ma lë më shpirtin e varur. Të lutem, më kupto si burrë dhe mbaju si e mban bjeshka dëborën e dimrit. Unë nuk kam shpëtim. Më vjen keq që po e lëndoj zemrën tënde të shëndoshë, por më përqafo dhe një herë fort, ma ledhato ballin, ma shtrëngo dorën dhe largohu. Ti jeto dhe mos më harro. Të ka dashur një nuse që fluturoi si engjëll. Kështu qenka thënë nga Perëndia.

– Të lutem, shpirt! Mos m’i thuaj fjalët që ma humbin shpresën dhe guximin se ti do të shërohesh. Unë do të qëndroj pranë teje dhe pranoj, po të më dëgjonte Zoti, që ta marr dhe dhimbjen tënde. Po nëse ka vendosur ndryshe, unë i lutem të më marrë edhe mua dhe të pushojmë në një varr, dy trupa, dy shpirtëra dhe dy zemra që kemi jetuar si një..

-Shko, Sokol, shko ! Vetëm kështu ma lehtëson dhembjen para vdekjes.

Foli kështu dhe ra në një kllapi të thellë. Sokolin e mbuluan mornica të ftohta dhe i dolën sumbulla djersësh mbi ballë. U përqëndrua me shikim dhe humbi në një vizion sentimental. E paramendoi ditën e martesës. Ajo duke nusëruar në dhomen e dhëndërisë ,si një lule vënë në vendin më solemn, me pajën e shumtë dhe të punuar me përkushtim, me shtrojën e re ku mbi të ishin ndërtuar me sheqer të bardhë kubëz dy zemra që e kishin kafshuar njëra tjetrën dhe shiheshin vetëm përgjysmë. Ai pranë saj me plis të bardhë, xhamadan dhe tirqe, ndërtuar si një lis që po krijonte një shtyllë familjare.

Erdhi në vete vetëm atëherë kur ia freskuan ballin me një pecë të lagur ashtu si ia bënin dhe asaj. E pa veten pranë nuses gadi kufomë që kish filluar t’i rridhte gjaku nga hundët. Ajo iu duk se po i numëronte momentet e fundit të jetës. Iu lutën që të largohej, por nuk pranoi. Pranoi të qëndrojë, me lejen e Pashait, gjer kur kësaj dhimbjeje do t’i vinte fundi.

E fundi nuk i erdhi shpejt. Ditën e tretë te ky u paraqitën shenjat e para të murtajës. Ndër shalë iu paraqitën lunga të zeza jeshile dhe në llërë njolla të zeza sterrë. Edhe ky po fundosej me vetëdëshirë, po flijohej dalëngadalë në fundin e jetës, për një gjë tepër të shtrenjtë, si në fund të një oqeani me furtunë. Nusja si dukej po e priste si ato në baladat e moçme, jo tashmë nëntë vjet, por kurdo që të vijë, po e priste që të kalonin bashkë në amshim. Ditën e fundit zgjoheshin nga kllapia herë njëri e herë tjetri. Kur vinin në vete pyesnin për njëri tjetrin dhe thirrnin: ”Laureshë, eja shpirt, po shkojmë..!”. Edhe ajo shumë më e lodhur fliste si përqart: “Po shkojmë, zemër po shkojmë. Me ty edhe në amshim…”.

Kur perëndoi dielli, perënduan edhe ata. Lauresha një orë përpara e Sokoli një orë prapa. Gjyshe Gjyla ua mbylli sytë që u mbetën hapur thuase donin ta përpinin këtë botë që u kishte mbetur prapa. E shpaloi palën e marhamës, i fshiu lotët që u përhapën nëpër rrudhat e faqeve reliev. I shkoi mendja se sa jetë i dha Zoti kështu të qëndrojë në ballë të katër gjaneratave dhe t’i përjetojë të gjitha këto trishtime. U fik ngadalë edhe pisha e ndezur, vënë në kalanicën e dheut me zërin mbytës të vlimit të rrëshirës, me pëlcitjet e rralla dhe me tymin që mbulonte çdo gjë me ngjyrën gri.

Varrimin e bënë katër djem varrmihës në varrezat e Mollakëve. Edhe prindërit e Laureshës, edhe ata të Sokolit, lamtumirën ua dhanë nga larg. I ngritën duart në lëvizje imagjinare, ta mbikalojnë fytyrën e tyre, që t’ua heqin si prindër ndonjë mëkat të mundshëm dhe t’u thonë: ”Lamtumirë, engjëjt tonë të dashur! Ju qoftë dheu i lehtë !”

Të dy i mbështollën në një çarçaf të bardhë, me teshat që i kishin në trup. Vënë në arkivol, mbi qerre kuajsh, me dy lule mbi dhënë nga prindërit, i përcollën atje ku do të shkojnë të shumët. Varrin ua mbaruan në skaj të rrugës. Nuk patën mundësi që ceremoninë e varrimit ta bënte imami përgjegjës, por varrmihësit iu lutën Zotit gjatë tërë rrugës që të pushonin në paqe dhe të kujtoheshin si shembull i dashurisë dhe besnikërisë familjare.

Skaj rrugës, në varreza, edhe sot ndodhet ai varr i dy martirëve të dashurisë. I ndërtuar me gurë, i veshur me myshqe dhe likenë, si një shtrat i florinjtë ku pushon një nuse dhe një dhëndër, vdekur pas një muaji martese. Mbi të prekin qiellin kurorat e lisave gjashtëqindvjeçarë, përreth zbulohen gongjet e luleve në pranverë, pingërijnë zogjët këngetarë në një harmoni ngazëlluese . Udhëtarët lënë mbi të nga një lule, nga një sheqerkë, që udhëtari tjetër ta marrë dhe ta ëmbëlsojë gojën. Kështu le të ëmbëlsohet e nemura murtajë dhe të mos përpijë fshatra të tëra, si bëri me Mollakët.

Mbi varrin e tyre ka një lis që, posa ngritet pak mbi varr, ndahet në dy degë. Herëpashere i gjen të pushojnë në të një laureshë dhe një sokol mali për t’ua kujtuar njerëzve baladën e hidhur,( shfarosjen e fshatit me pesëdhjetë shtëpi, prej të cilave mbijetoi vetëm një) e pastaj fluturojnë qiellit të pambarim.

Më Shumë

Pasuria e kryetarit të Suharekës e deklaruar në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit

Në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionin po vazhdon deklarimi i pasurisë së zyrtarëve publikë. Pasurinë në këtë agjenci e ka deklaruar edhe kryetari i Komunës...

Aktori i njohur i humorit pranon Islamin?

Rezart Veleshnja, një ndër aktorët më të njohur të humorit, afirmuar e bërë emër në Portokalli, për të vijuar më pas në performanca të tjera...

Lajmet e Fundit