Nuk ka pushim për Superligën e Kosovës as në mesjavë, pasi sot dhe nesër do të zhvillohet java e 12-të.
E gjithë vëmendja do të jetë në Suharekë, tek derbi më i madh i viteve të fundit.
Ballkani do ta presë Dritës sot, në përballjen e dy skuadrave të dy vendeve të para.
Tabelës i prin kampioni i Kosovës, Ballkani me 26 pikë, katër më shumë se Drita, që është e dyta, shkruan “Gazeta Express”.
Të kaltrit nga Gjilani gabuan në xhiron e kaluar, pasi barazuan me Lirinë, derisa therandasit fituan ndaj Feronikelit, për t’u arritur kjo diferencë prej katër pikësh.
Tetë fitore e dy barazime është bilanci i Ballkanit deri më tani, derisa Drita i ka gjashtë fitore e katër barazime.
Sulmin më efikas deri më tani e kanë portokallinjtë, kurse të kaltrit fazën e mbrojtjes.
Të dy ekipet e kanë nga një ndeshje më pak të luajtur, për dallim nga të tjerët dhe ajo është mes njëra-tjetrës, pra kjo është përballja e parë këtë edicion mes tyre.
Përveç këtij takimi, në program janë edhe katër të tjerë.
Ekipi i tretë i Superligës, Llapi e pret Fushë Kosovën dhe është favorit për t’u rikthyer tek tre pikët.
Llapjanët i kanë 20 pikë, derisa Fushë Kosova e mbyll renditjen me gjashtë pikë.
Sfida e parë ishte mbyllur në favor të Llapit, 2:1.
Këtë xhiro takohen edhe ekipi i pestë dhe i katërt në tabelë, Malisheva dhe Prishtina.
Kryeqytetasit janë të katërtit me 16 pikë, tri më shumë se malishevasit.
Me rezultat 3:1 kishin fituar bardh e kaltrit në duelin e parë.
Liria – Dukagjini është sfida tjetër e javës së 12-të.
Në pesë takimet e fundit, prizrenasit kanë marrë vetëm një pikë, derisa klinasit një fitore e katër barazime.
Dueli direkt mes tyre përfundoi pa gola, shkruan “Gazeta Express”.
Sa i përket renditjes, Liria është e parafundit, e Dukagjini i gjashti.
Ndeshja e fundit është mes Gjilanit e Feronikelit 74.
Të dy ekipet kërkojnë fitoren, pasi pësuan javën e kaluar.
Sikurse Gjilani, ashtu edhe Nikli kanë nga 11 pikë në pozitat shtatë e tetë. /Gazeta Express