Prokurorja e EULEX-it, Maria Bamieh ka thënë se EULEX-i e ka sulmuar atë me metoda të stilit të Millosheviqit. Në një konferencë për media, ish-prokurorja e EULEX-it ka treguar për akuzat dhe shpifjet që sipas i janë vënë pas publikimit të dyshimeve të forta për korrupsion në EULEX.
“Më janë sulur dhe tani jam subjekt i një drejtësie të stilit të Milosheviqit”, ka thënë Bamieh, e cila më tej ka shtuar se EULEX me vite ka pasur më shumë rrjedhje të informatave sesa një shoshë.
“Koha Ditore ka marrë informata nga brenda EULEX-it me vite të tëra lidhur me çështjet për të cilat unë nuk jam e lidhur fare.
E njëjta gjë ka ndodhur edhe me shtypin tjetër në Kosovë që shpesh kanë marrë prej EULEX-it dhe atje pohojnë se unë isha ajo që i kishte dhënë dokumente Kohës Ditore”, ka theksuar Bamieh, transeton Koha.net.
Ajo ka shtuar se do të kërkoj publikisht mbrojtje për veten, avokatin e saj dhe gazetarin Vehbi Kajtazi, pasi siç ka thënë ajo, besoj që EULEX-i do t’iu japë atyre trajtimin e njëjtë hakmarrës që më është dhënë mua. “Unë do të shkoj në shtëpi, por ata do të jenë ende këtu dhe kjo sjellje e keqe e turpshme duhet ndaluar. EULEX inuk do ta ndalë kurrë vetvetiu, dikush duhet të veprojë dhe të ndalojë këtë”, ka pohuar Bamieh.
Prokurorja angleze ka sqaruar pohimet se Vehbi Kajtazi i ka thënë njërit nga personeli i tyre se Bamieh i ka dhënë atij dokumente dhe informata konfidenciale.”Unë besoj shumë se Vehbi Kajtazi nuk i ka thënë askujt se unë i kam dhënë atij dokumente. Kjo thjeshtë nuk është kredibile. Ky fabrikim është bërë për të justifikuar vendimin e padrejtë për të më suspenduar pa fakte.
“Hetuesit nuk kanë hetuar para suspendimit dhe kanë filluar hetimet vetëm pas datës 27 tetor, dy ditë pas suspendimit tim që ka ndodhur më 24 tetor”, ka thënë Bamieh.
Sipas saj, ka pasur shumë individë keqdashës në EULEX të cilët i kishin mëri dhe donin ta poshtëronin pasi që ajo është ankuar për korrupsion jo vetëm në lidhje me rastet Novotna dhe Flori por gjithashtu në lidhje me faktin që ata po e shtrembëronin rregullat për t’iu dhënë miqve të tyre vende pune, posaçërisht një numri të prokurorëve të cilët nuk i përmbushnin kriteret. Bamieh ka thënë se angazhimi i tyre në Kosovë është i jashtëligjshëm sipas Ligjit kosovar.