Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Halit Barani, nëpërmjet një komunikate ka shprehur shqetësimin, për siç ka thënë ai “përcjelljen që po i bëhet nga zyrtarët e EULEX-it”, gjë të cilën ai e ka vlerësuar si “të njëjtë me atë të policisë serbe”.
“Mbrëmë, më 11.5.2014, në orën 18:51, derisa ishte para shtëpisë sime, erdhi një automjet i policisë së EULEX-it, xhip i kaltër me targa EU-2226, në të cilin ishin dy zyrtarë të EULEX-it. E ndalën xhipin 26 metra larg meje, njëri prej zyrtarëve doli nga xhipi, nxori një fotoaparat dhe me fotografoi mua që isha para shtëpisë sime, në rrugë me dy nipa të mi”, ka shkruar Barani.
Sipas tij, zyrtari në fjalë, pasi i bëri disa fotografime, rrugën, shtëpinë dhe atë, nuk vazhduan rrugën por e kthyen automjetin nga kishin ardhur dhe u larguan në drejtim të qytetit, bënë të ditur BotaPress.
“Vlen të përmendet se njëjtë si këta dy zyrtarë të EULEX-it, kanë vepruar policia dhe udbashët serb, para luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës 1998/99 dhe ushtria franceze në vitet 2000 – 2008. Unë personalisht dhe familja ime, këtë gjest shumë të shëmtuar të dy zyrtarëve në fjalë, e konsiderojmë si provokim dhe presion psikik të paarsyeshëm. Me sjellje të tilla as EULEX-i, as veglat qorre të tij dhe askush tjetër asgjë nuk mund të arrij përveç humbjes së imazhit edhe ashtu të humbur në popullin e Kosovës”, përfundon reagimin Barani.