Dy nga shumë barrikada, të cilat ishin vendosur në vitin 2011 nga serbët lokalë në veri të Kosovës, vazhdojnë të qëndrojnë ende, njëra mbi urën kryesore mbi lumin Ibër, që ndan pjesën jugore me atë veriore të Mitrovicës, dhe tjetra, në afërsi të Lagjes së Boshnjakëve, përmbi urën lindore.
Barrikadat vazhdojnë të paraqesin pengesë për qarkullimin e lirë të qytetarëve në atë pjesë të vendit, madje edhe tash kur zgjedhjet lokale të 3 nëntorit në Kosovë, janë paralajmëruar të mbahen edhe në veri të vendit.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se barrikadat kanë vështirësuar jetën e qytetarëve në përgjithësi.
“Barrikadat gjithsesi që paraqesin pengesë në çdo sferë të jetës, në radhë të parë për qarkullim të lirë. Përderisa ato janë prezent aty, ne nuk mund të flasim për një lëvizje dhe qarkullim të lirë të qytetarëve. Prandaj, në çdo sferë të jetës ato mund të paraqesin problem”, ka thënë Hoti.
Hoti ka shtuar se çështja e largimit të barrikadave është e karakterit politik dhe se për largimin e tyre kërkohet përfshirja e të gjitha institucioneve të sigurisë.
“Vendimet e tilla sigurisht që ende nuk janë marrë dhe çështja e procesit të largimit të barrikadave, tashmë e dini se ka qenë edhe pjesë e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për faktin që ka marrë një karakter të tillë politik. Sigurisht, që ne presim një urdhër, i cili duhet të jetë i përbashkët, besoj edhe nga vetë Qeveria e Kosovës, por edhe nga KFOR-i, e pastaj të merren vendimet, të përcaktohen autoritetet se kush dhe me çfarë mënyre do të largohen këto barrikada”, është shprehur Hoti.
Komandanti i KFOR-it, Uolker Halbauer, ditë më parë ka theksuar se KFOR-i nuk do ta urdhërojë largimin e dhunshëm të barrikadës në urën mbi lumin Ibër, e cila, sipas tij, është simbol politik dhe paraqet frikën dhe dëshirat e popullit në veri.
Ndryshe nga Halbauer pati deklaruar paraardhësi i tij, Erhard Drevs, i cili e pati quajtur barrikadën mbi Ibër “turp dhe simbol të ndarjes”.
“Natyrisht, që e ndjej edhe si turp këtë barrikadë. Jo që e pengon lirinë e lëvizjes, por ajo barrikadë e paraqet simbolin e ndarjes së një qyteti, i cili në fakt nuk është i ndarë dhe mund të bashkëjetojë”, pati thënë gjenerali Erhard Drevs, gjatë vizitës që i pati bërë Mitrovicës.
Gjatë komandës së tij, KFOR-i pati hequr shumicën e barrikadave, të cilat serbët i kishin vendosur në rrugët magjistrale.
Por, sot, zëdhënësi i KFOR-it, Guenter Bohn, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se sa u përket barrikadave, përkatësisht vendosjes së lirisë së lëvizjes, si dhe krijimit të mundësive për përgatitjen e zgjedhjeve lokale, KFOR-i nuk është adresa e saktë.
“Këto pyetje duhet t’ua bëni politikanëve përgjegjës. Mendoj se kjo është shumë me rëndësi, por KFOR-i nuk është adresa e saktë. Për këtë gjë duhet të bisedojnë politikanët. Ashtu siç edhe ka thënë komandanti i KFOR-it, ajo (barrikada) është simbol politik dhe kur thoni se ai simbol duhet të largohet para zgjedhjeve, mendoj se për këtë duhet të flisni me politikanët përgjegjës për këtë problem, për të cilin mendoni se mund të shfaqet”, ka thënë Bohn.
Sa i përket lirisë së lëvizjes së KFOR-it, ai ka thënë se barrikadat nuk ndikojnë në lëvizjen e tyre dhe se ata kanë mjaft rrugë të tërthorta dhe mundësi që të shkojnë te cilido vend në Mitrovicë.
Lideri i serbëve të veriut, Oliver Ivanoviq, ish-sekretar për Kosovën në qeverinë paraprake serbe, thotë për Radion Evropa e Lirë se çështja e barrikadave duhet të zgjidhet me mjete politike, duke pasur parasysh se ky është problem politik, si dhe reflektim i mosbesimit të serbëve ndaj institucioneve të Kosovës.
Sipas tij, heqja e barrikadave deri në fund të këtij viti, është gati e pamundur.
“Barrikadat, si pengesa në rrugë, thjesht nuk kanë kuptim në shekullin 21, por nuk ka as shembull të ngjashëm të kësaj situate kudo në Evropë – që një bashkësi, e cila numerikisht është më e vogël, të jetë e rrezikuar edhe në kuptimin fizik, në fillim të shekullit 21”.
“Mendoj se kërkohet durim dhe se duhet pritur që të ulet shkalla e lartë e mosbesimit te serbët, në mënyrë që ata vetë t’i largojnë barrikadat. Heqja e barrikadave nga kushdo qoftë tjetër, e sidomos nga institucionet e Kosovës, vetëm mund të nxisë erupsionin e pakënaqësive dhe në atë mënyrë të kthehemi prapa për 10 vjet”, ka theksuar Ivanoviq.
Në anën tjetër, Rroksana Qarri, drejtuese e Zyrës për informim në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Qeverisë së Kosovës, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se institucionet e Kosovës presin që gjatë zgjedhjeve të nëntorit, të mos ketë më barrikada në veri të vendit.
“Barrikadat, realisht paraqesin pengesë në lirinë e lëvizjes. Nga nata e mbrëmshme kemi informata se ato kryesisht janë hequr. Një pjesë e marrëveshjes ka të bëjë me lirinë e lëvizjes pa kushte, ne me të drejtë presim që gjatë zgjedhjeve të 3 nëntorit nuk do të ketë barrikada, për arsye se pengesat në zgjedhjet lokale, do të shkojnë në dëm të vetë komunitetit serb”, ka thënë Qarri, duke shtuar se institucionet e Kosovës duhet të besojnë se komuniteti serb do të jetë i arsyeshëm. Megjithatë, ajo ka pohuar se përgjegjësia për heqjen e barrikadave bie mbi institucionet e vendit dhe misionin EULEX.
“Realisht, Policia e Kosovës dhe EULEX-i janë ata, të cilët duhet ta bëjnë të mundshme lirinë e lëvizjes, pra edhe heqjen e barrikadave, por për shkak të kapaciteteve të pamjaftueshme dhe të pajisjeve përkatëse, shpeshherë këto dy institucione kërkojnë ndihmën e KFOR-it”, ka theksuar Qarri.
Barrikadat në veriun e Kosovës ishin vendosur si shenjë e pakënaqësisë së serbëve lokalë ndaj intervenimit të Policisë së Kosovës për futjen nën kontroll të vendkalimeve kufitare në veriun e vendit.