11.8 C
Prizren
E premte, 18 Tetor, 2024

Beqiri: Qeverinë do ta formojë opozita

IsmetBeqiriIsmet Beqiri nuk ka dashur t’i komentojë akuzat e Vetëvendosje!-s që janë bërë për keqqeverisje dhe korrupsion për LDK-në dhe liderin e saj. Po ashtu, ai nuk ka komentuar as akuzat e zyrtarëve të LDK-së, të cilat e kanë akuzuar AAK-në për vrasjet e veprimtarëve të LDK-së pas luftës së fundit në Kosovë.

Sekretari i përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ismet Beqiri, ka thënë të mërkurën se formimi i qeverisë nga LDK-ja, AAK-ja dhe NISMA tashmë është punë e kryer, pasi PDK-ja nuk e ka shumicën në Kuvend.

Ai ka thënë se kjo marrëveshje e arritur nuk është në shpërputhje me Kushtetutën.

“Në asnjë mënyrë nuk janë në shpërputhje me Kushtetutën kjo marrëveshje dhe ky koalicion. Kushtetuta është shumë e qartë dhe aty e përcakton qartë se mandatarin e propozon ai që e ka shumicën e numrave në Kuvend, e në këtë rast partitë e opozitës i kanë numrat. Pra, nëse Thaçi e ka shumicën në Kuvend, le ta formojë qeverinë, por këtë nuk mund ta bëjë, sepse nuk e ka shumicën, se shumicën e kemi ne partitë nënshkruese të marrëveshjes për formimin e qeverisë së re. Dhe jemi të bindur se qeveria e re do të formohet dhe do të udhëhiqet nga ne”, ka thënë Beqiri në intervistën për “Epokën e re”.

Ai ka treguar se ky bllok opozitar është formuar vetëm e vetëm për t’ia pamundësuar Thaçit mandatin e tretë qeverisës.

Në këtë kontekst, Beqiri ka thënë se nuk ka asnjë pengesë për jetësimin e marrëveshjes.

“Nuk shohim asnjë pengesë që kjo marrëveshje të mos jetësohet, sepse është e drejtë e subjekteve politike, që edhe pas zgjedhjeve të bëjnë marrëveshje dhe koalicione të tilla”, ka theksuar Beqiri, duke shtuar se detajet e ndarjes së posteve ministrore do të bëhen publike në ditët në vijim.

Ndonëse është shprehur i bindur se qeveria e re do të udhëhiqet nga partitë e opozitës, Beqiri ka thënë se në të kundërtën janë të gatshëm të shkojnë edhe në zgjedhje të jashtëzakonshme.

“Por, sido që të jetë, jemi të gatshëm të shkojmë edhe në zgjedhje dhe nuk ka kurrfarë problemi. Përkundrazi mendojmë se do të kishte më shumë mobilizim dhe do t’i fitonim zgjedhjet. Nëse PDK-ja mendon se e frikëson dikë duke thënë ‘ose ne, ose do të shkojmë në zgjedhje’, e ka gabim, sepse edhe ne jemi të gatshëm për variantin e zgjedhjeve”, ka deklaruar ai.

Mirëpo, sipas Beqirit, është ende herët të flitet për mundësinë nëse partitë nënshkruese të marrëveshjes do të shkojnë në koalicion parazgjedhor nëse do të ketë zgjedhje.

Beqiri ka thënë se për LDK-në nuk ka qenë e vështirë të hiqet dorë nga posti i kryeministrit në momentin që kjo parti nuk i ka fituar zgjedhjet.

“Posti i kryeministrit është bërë i negociueshëm në momentin kur LDK-ja nuk ka dalë partia e parë”, ka vlerësuar Beqiri.

Sekretari i LDK-së ka bërë me dije se lideri i kësaj partie, Isa Mustafa, nuk e ka në plan të japë dorëheqje, ndërsa analiza e rezultatit zgjedhor do të bëhet tek pas konstituimit të institucioneve shtetërore.

Më Shumë

Punime në sistemin e ujësjellësit në tri lagje të Prizrenit dhe fshatin Gjonaj

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” në Prizren njofton se sot do të zhvillojë punime në sistemin e furnizimit me ujë. Ekipi i operimit dhe...

Fillon rrënimi i objektit “Liria” në Prizren

Komuna e Prizrenit  sot nisi punimet për rrënimin e objektit të ndërmarrjes “Liria”, që gjendet në lagjen "Bazhdarhane", prapa "Shtëpisë së Bardhë". Si pasojë...

Lajmet e Fundit