22.1 C
Prizren
E martë, 24 Qershor, 2025

Blerim Destani, aktori shqiptar i filmave botërorë

Të vetëm në tavolinë meshkujt flasin për anën më të errët të femrave. Dinë të jenë të ashpër në gjuhën e tyre dhe të thonë edhe gjëra që nuk janë të qëndrueshme. E krejt kjo duket se vjen nga frika që meshkujt kanë përballë femrave. Të paktën në një përfundim të tillë vijnë aktorët e filmit gjerman “Frauen”, në të cilin aktori Blerim Destani luan bashkë me Heiner Lauterbach dhe Martin Brambach.

“Gratë” është film i zhanrit komedi, pjesa më e madhe e të cilit është xhiruar në veturë.

“Aty jemi tre aktorë, ka shumë kamera, varësisht prej skenës, janë pajisjet teknike dhe në këtë hapësirë duhet të realizosh dialogët”, tregon Destani për “Zërin”.

Ai thotë se komedia është zhanri më i rëndë për t’u realizuar, prandaj shprehet se ka respekt për ata që bëjnë komedi.

Blerim Destani, i cili në “Frauen” luan rolin e Lis Tushës, tregon se me aktorët Heiner Lauterbach që luan rolin e të pasurit K.O. Schott, dhe aktorin Martin Brambach në rolin e Rüdiger Kneppke ka pasur fatin të bashkëpunojë edhe para dy vjetëve në një tjetër film.

“Jemi tre meshkuj që kemi pasur eksperiencë në jetë e që flasim keq për femrat”, ka thënë Destani, i cili në rolin e tij, pasi ka frikë nga martesa, ik në ditën e dasmës.

Në makinë xhirohet 60 për qind e filmit, flasin keq pas shpinës së femrave.

“Secili prej nesh flet për gratë e gjeneratës së vet”, thotë Destani, duke shtuar se për të ka qenë një eksperiencë e veçantë, që më parë nuk e kishte provuar se si realizohet një projekt në makinë. “Ka qenë shumë e vështirë. Kur ishte i ulur, kamerat ishin përreth dhe nuk mund të lëvizje pasi dilje nga fokusi. Kemi pasur disa elemente që është dashur t’i përmbahemi kamerës”, tregon Destani, sipas të cilit ka pasur skena kur është dashur dy deri në tre minuta incizim dhe u ka kërkuar regjisori që të kthehen përsëri sepse ka pasur lëvizje që kanë dalë jashtë kamerës.

Blerim Destani në këtë film flet edhe në gjuhën shqipe, ndërsa fjalët e para janë ato kur i telefonon nënës së tij duke i thënë se nuk mund të martohet me vajzën që nuk e do.

“Unë kur kam mundësi, po flas për tregun e Gjermanisë ku luaj shumë karaktere të huaja, kur nuk prishet skenari i propozoj gjithmonë regjisorit që të flasë shqip. Dhe në këtë rast regjisori tha se nuk prish asgjë në dramën e filmit, dhe pse kjo. Kështu erdhi ideja t’i them nja dy a tri batuta në shqip”, ka thënë Blerim Destani për gazetën.

Destani shprehet se aktrimi është një top bore, kur starton pastaj nuk ndalesh. Ai tregon se ka filluar me filma aksion dhe se aktualisht është në xhirime të një filmi të tillë, derisa ka qenë një audicion të një tjetër filmi komedi, ndryshe nga filmi “Gratë”.

“Mendoj se çdo zhanër që realizohet në mënyrën profesionale, është kënaqësi të luash. Jam i hapur për çdo zhanër. Natyrisht se duhet të përshtatesh, janë disa role që nuk përshtaten, por kur është projekti i mirë, jam i hapur”, ka thënë aktori shqiptar.

Destani tregon se filmi komedi përçon një mesazh.

“Rinia pak i ikën përgjegjësisë, duke u nisur nga vetja dhe nga shokët që i kam. Flas për rininë e tashme. Unë shpesh duke i parë shokët kur u përmendet martesa duan të ikin nga kjo e që bëhet shprehi, i ikën përgjegjësisë, i ikën familjes”, është shprehur Destani, për të cilin filmi e jep mesazhin që gjinia mashkullore gjithmonë e lë në faj gjininë femërore.

“Kur jemi ulur vetëm në tavolinë. Nuk tregojmë ndjenja, jo të gjithë, të mos e bëjmë dramë”, ka thënë aktori, duke shtuar se shumica e meshkujve nuk janë në gjendje të bëjnë kompromis.

“Jetojmë bukur, shëtisim, edhe unë e di se kjo rrugë nuk të shpie askund, por të jep njëfarë lirie, një liri siç thuhet, je gjithmonë me vetminë, por nuk je i plotë”, ka treguar Blerim Destani, i cili nuk është “singel” dhe është i lumtur.

“Për mua lumturia është gjëja më e bukur”, është shprehur aktori i cili është i angazhuar në një projekt filmik kinez.

“Jam i kufizuar të flas për këtë projekt. Sepse vetëm tek ky filmi kinez është me kontratë që aktorët nuk kanë të drejtë të flasin për filmin, prandaj unë nuk mund të them as titullin e filmit. Janë aktorë të mëdhenj të filmit”, ka thënë Blerim Destani.

Ai shprehet se ka shumë aktorë shqiptarë të talentuar për të cilët uron që të kenë fatin të futen në projekte internacionale sepse ka shumë për të treguar.

“Shpresoj se një ditë të bëhemi të gjithë bashkë dhe të realizojmë një projekt shumë të madh vendor”, ka thënë Destani, për të cilin eksperienca është gjëja më e bukur që mund të krijojë një aktor.

“Deri më tani kam bërë shumë projekte. Secili prej tyre është ndryshe. Secili audicion është ndryshe. Secili regjisor flet ndryshe, të shpjegon ndryshe. Domethënë flet për një eksperiencë të veçantë”, është shprehur Blerim Destani, i cili ka dëshirë që një ditë, pse jo të provojë fatin edhe në regji. /Zëri/

Më Shumë

Oda e Ndërmarrësve dhe Zejtarëve në Prizren u bën thirrje nxënësve: Zgjedhni shkollat profesionale, ato garantojnë punësim

Oda e Ndërmarrësve dhe Zejtarëve në Prizren ka bërë një apel për  nxënësit  që kanë përfunduar shkollën fillore, që në zgjedhjen e shkollës së...

Certifikohen 12 policë patrullues me biçikletë në Prizren

Dymbëdhjetë zyrtarë policorë nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren dhe ajo e Gjakovës janë certifikuar sot pas përfundimit me sukses të trajnimit për...

Lajmet e Fundit