2.3 C
Prizren
E shtunë, 30 Nëntor, 2024

Blloqet parazgjedhore nxisin trafik deputetësh pas 11 qershorit

Bazuar në pritjet e analistëve politikë, për nga mënyra se si ndodhi ndarja e skenës politike të Kosovës në tri blloqe të partive kryesore në koalicione parazgjedhore, me përjashtim të VV-së dhe vendosjes paraprake të vijave të kuqe për fazën paszgjedhore, krijimi i ngërçit të ngjashëm politik si në vitin 2014 shihet si rrezik potencial, që do të mund t’i përsëritet vendit, madje edhe me rrezik të shkuarjes së shpejtë në zgjedhje të reja të jashtëzakonshme, pasi asnjëri bllok i partive, sipas parashikimeve, nuk mund të marrë numër të mjaftueshëm të votave për të qeverisur vendin, qoftë kjo edhe duke përfshirë pakicat.

Ky rrezik shihet tepër real, nëse blloqet e mbajnë fjalën, nëse mbesin të pozicionuara për të mos u futur në koalicion paszgjedhor me fituesin e zgjedhjeve, dhe atëherë do të jetë e vështirë të krijohet qeveria. Në këtë rast, me një vlerësim hipotetik, mundësi shpëtimi mbetet vetëm ndonjë tendencë e lëvizjes së deputetëve nga një bllok në tjetrin për çështje të interesave personale, pra dezertimi i disa deputetëve pas zgjedhjeve që do të mund t’i bashkohen koalicionit fitues, e sidomos këta të partive më të vogla, që janë futur në listat e partive më të mëdha si koalicion parazgjedhor.

Prof. i së drejtës, Riza Smaka, rrezikun e përsëritjes së skenarit të krizës ngjashëm me atë të vitit 2014 e sheh për shkak të polarizimit të skajshëm të skenës politike dhe interpretimit të Gjykatës Kushtetuese në vitin 2014 rreth të drejtës për formimin e qeverisë nga partitë politike garuese në zgjedhje. Kushtetuesja gaboi Ky interpretim i Gjykatës, sipas Smakës, ka qenë i gabuar, madje kundërkushtetues dhe i ndikuar nga politika, që mund të sjellë pasoja edhe pas zgjedhjeve të tanishme.

“Sikundër edhe disa herë më parë Gjykata Kushtetuese ka miratuar opinionin , në vend se në bazë të Kushtetutës, në bazë të kërkesave politike ditore, ashtu që e ka autorizuar vetëm partinë politike me më shumë mandate, përkatë- sisht partitë politike në koalicion me numrin më të madh të votave, për ta propozuar mandatarin për formimin e Qeverisë. Në atë mënyrë në kundërshtim me dispozitën e nenit 95 par. 1 të Kushtetutës, ajo Gjykatë pati krijuar bazë kushtetutare për bllokadë të mundur dhe të ditur për formimin e Qeverisë pas zgjedhjeve të përgjithshme, natyrisht nëse partia apo partitë në koalicion me më shumë vota do të dështonin në atë drejtim. Vetëm gjatë vitit 2014 mbi dhjetë shtete të BE-së e kanë formuar qeverinë, jo nga koalicioni parazgjedhor më i madh dështues në formimin e ekzekutivit, por pikërisht nga koalicioni i dytë për nga numrat fillestarë. Rasti i tillë është më i freskëti aktualisht edhe me Maqedoninë fqinje”, tha Smaka për “Kosova Sot”.

Ai potencon se ky interpretim i padrejtë do të duhej rishikuar dhe anuluar, në mënyrë që të mos përsëritet kriza e ngjashme, aq më tepër tani kur skena politike është shumë e tensionuar dhe mund të pritet që asnjë koalicion nuk mund ta ketë fituar shumicën për ta bërë qeverinë në raundin e parë, koalicioni fitues me numra jo të mjaftueshëm. “Lidhur me këtë ekziston droja e bazuar se pas zgjedhjeve të përgjithshme të pritshme, asnjë koalicion të mos e fitojë numrin e nevojshëm për formimin e Qeverisë, në mënyrën e kërkuar me nenin 95 par. 1 të Kushtetutës. Së andejmi, nëse Gjykata Kushtetutare, në ndërkohë nuk do ta modifikonte qëndrimin e vet në fjalë në konformitet me dispozitën kushtetutare të theksuar, pashmangshëm do të mund të ndodhte edhe një bllokadë apo siç e kanë quajtur disa kolegë edhe një ngërç parlamentar, që do të pengonte themelimin dhe funksionalizimin e Qeverisë”, theksoi Smaka./kosova sot/

Më Shumë

Prizreni feston: Liria merr fitoren e radhës

Liria ka shënuar fitoren e katërt me radhë në Ligën e Parë - Grupi A, duke e kapur kështu formën më të mirë nën...

Abdixhiku me mesazh nga Malisheva: Ne jemi ndryshimi për Kosovën

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se Malisheva së shpejti do të bëhet qytet i LDK-së. “Nga sonte qëndrojmë të bashkuar!...

Lajmet e Fundit