7 C
Prizren
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Bota jonë dhe bota “Online”

Prof. Dr. Luan KarçanajShkruan: Prof. Dr. Luan Karçanaj

 

Jetojmë në kohën e mikroelektronikës digitale, të mikrokompjuterit, të internetit, të komunikimeve multimediale, në kohën kur teknologjia ka depërtuar në mënyrë kapilare në të gjitha fushat e jetës ekonomike, shoqërore, politike, arsimore, kulturore, në biznes, etj., dhe ka ndryshuar mënyrën e të menduarit, të jetesës së njerëzve dhe marrëdhëniet midis tyre. Me evoluimin e industrisë shkalla e integrimit të këtyre elementëve u rrit jashtëzakonisht shumë. Sot flitet për nanoteknologji. Sipas një studimi të bërë nga shkencëtari Roger Moor, që njihet me emrin ligji i MOOR-it, densiteti i komponentëve në një element (chip) dyfishohet në çdo 18 muaj, çka do të thotë se sot prodhohen chip-e me miliarda transistorë në përbërje të tyre. Viti 1970 kulmon me prodhimin e mikroprocesorit apo CPU-së që ndodhet në qendër të sistemeve mikro-kompjuterike. Tani e në vazhdim arkitektura e sistemeve elektronike do të ishte e njëjtë me arkitekturën e kompjuterit, pra do të ndërtohej me ‘Hardware” dhe me “Software”.

Programimi do të merrte në vazhdim një rëndësi të veçantë. Natyrisht, viti 1970 krijoi premisat dhe i parapriu prodhimit të mikro-kompjuterëve. Viti 1980 do të ishte viti i fillimit të prodhimit të tyre, të mikro-kompjuterëve që njihen me emrin tashmë aq popullor “kompjuterë personal” apo me shkurtimin PC (Personal Computers) të huazuar nga anglishtja. Në fillim të ngadalshëm, me kapacitet shumë të vogël kujtese operative, me disketa “5 inch” dhe të vështirë në përdorim, PC-të pësuan ndryshime shumë të mëdha nga një gjeneratë në tjetrën dhe sot me parametra tejet të lartë janë bërë mjeti më i fuqishëm në përpunimin dhe komunikimin e të dhënave multimediale etj. Automatizimi i proceseve të prodhimit, kontrolli i trafikut ajror dhe programet e hapësirës nuk do të bëheshin të mundur, pa monitorimin e kompjuterizuar, të vazhdueshëm dhe në kohë reale.

Në 25 vitet e fundit, PC-të kanë kaluar përmes një zhvillimi të paparë teknologjik, që ka revolucionarizuar prodhimin shoqëror dhe komunikimin në çdo sektor të jetës. Ky revolucionarizim duket se do të vazhdojë për shumë vite të tjera. Çdo ndryshim sjell ndryshime të tjera. Kështu ndodh edhe me teknologjinë. Zhvillimi i vrullshëm i industrisë së PC-ve për përpunimin e fluksit të informacionit në ndërmarrje prodhimi, biznese, banka, spitale, shkolla, universitete, institucione të tjera arsimore-kulturore, shkencore etj, shtroi nevojën e krijimit të rrjetave kompjuterike të natyrave të ndryshme, nga ato më të thjeshtat deri në ato me shtrirje lokale (LAN) apo me shtrirje të gjerë gjeografike (WAN). Për ndërtimin e rrjetave, krijimin e nyjeve të rrjetit, protokolleve të komunikimit, të aplikacioneve në server, etj kontribuuan shkencëtarë dhe krijues nga e gjithë bota.

Nyjet e rrjetit përfshijnë të gjitha pajisjet, që nga PC-të e përdoruesit (klientët), host-et (server-at) e deri tek pajisjet (hardware) e rrugëzimit të informacionit në rrjet. Edhe në vitet ‘60 dhe ‘70 ekzistonin rrjeta kompjuterike. Por ato lidhnin vetëm kompjuterët e mëdhenj me kapacitet të lartë përpunimi, ku ruheshin dhe përpunoheshin të dhënat, me terminale të thjeshtë, të cilët kishin kapacitet tepër të vogël kujtese dhe përpunimi. Nëpërmjet terminaleve përdoruesit dërgonin të dhënat ose/dhe kërkesat në kompjuter dhe merrnin përgjigjet apo rezultatet e përpunimit. Të gjitha këto arritje të mëdha çuan në idenë e krijimit të internetit, ide që lindi për herë të parë, në kohën e luftës së ftohtë (vitet 60), kur Ministria e amerikane e mbrojtjes kërkoi ngritjen e Agjencisë së Projektimit ARPA (Advanced Research Projects Agency) për shkëmbimin e shpejtë me mjete elektronike të burimeve dhe informacioneve midis Qeverisë, Ushtrisë, Institucioneve shkencore dhe bizneseve të natyrës ushtarake, në një rrjet kompjuterik të përbashkët, që u quajt ARPANET.

Për fat të mirë aftësitë reaguese të ARPANET-it në rastin e një lufte atomike, nuk u vunë në provë, por ai shërbeu si prototip për ngritjen e rrjetave të tjera kompjuterike. Shumica e shkencëtarëve pjesëmarrës në zhvillimin e ARPANET-it punonin në universitete dhe institucione kërkimore shkencore. Në fillimin e viteve 70, ndaj tyre por dhe mjaft institucioneve të tjera, u shtrua detyra e krijimit të një rrjeti kompjuterik, që të përfshinte të gjithë bashkësinë e Institucioneve shkencore. Rrjeti mori emrin CSNET (Computer Science Net). Për komunikim të drejtpërdrejtë, në vitin 1982, të dyja këto rrjete u integruan në një të vetme. Në mesin e viteve 80, u integruan në të edhe rrjete të tjera dhe aksesi u zgjerua edhe për persona privatë. Me këtë filloi zgjerimi i shpejtë i këtij rrjeti. Që nga kjo kohë e në vazhdim, në treg shfaqen vazhdimisht pajisje të reja rrjeti, që rrisin mundësitë ndëraktive në rrjet.

Megjithatë deri në vitin 1991 interneti nuk ishte më shumë se një rrjet. Ai ishte i fuqishëm, eficent dhe shumë premtues, por i aksesueshëm vetëm nga shkencëtarë dhe ekspertë të fushës së kompjuterëve. Ndyshimi radikal erdhi nga dy zbulime (shpikje) të mëdha: I pari lidhet me punën disa vjeçare të shkencëtarit Tim Berners-Lee të Qendrës së Kërkimeve Bërthamore Europiane (CERN) në Gjeneve të Zvicrës, që hodhi bazat e gjuhës HTML (Hypertext Markable Language), e cila me konceptet bazë të adresës së internetit, të faqeve dhe të urave lidhëse (Links) u bë themeli i rrjetit global botëror (WWW= World Wide Web). Pra viti i fillimit të internetit si një sistem global i bashkësisë së rrjeteve kompjuterike, që përdor kompletin e protokolleve standarde të saj (TCP/IP) për tu shërbyer miliarda përdoruesve në të gjithë botën konsiderohet viti 1991, vit i publikimit të shpikjes së Tim Berners- Lee.

Shpikja e dytë ka lidhje me daljen në dritë të Web Browserit (shfletuesit- Web) të parë, me ndërfaqe grafike për përdoruesin USG (Graphical User Interface) të quajtur “Mosaik”, i cili duke përdorur ikonat, mënjanoi vështirësitë për t’u lidhur dhe kërkuar informacione (tekst, figurë, video) në faqet-web të internetit. Me kalimin e kohës numri i Web Browserave ka ardhur duke u rritur. Më të përmendurit janë: Internet Explorer, Netscape, Firefox, GoogleChrome, etj. Interneti, ky rrjet i rrjeteve, që përbëhet nga miliona rrjete private, publike, qeveritare, akademike, biznesi me shtrirje lokale dhe globale, është bërë sot një pasuri e përbashkët për gjithë njerëzimin. Mediat tradicionale të komunikimit, telefonia, muzika, filmat dhe televizioni janë riformatuar apo ridefinuar duke u bërë pjesë e internetit nëpërmjet protokolleve VoIP (Voice over IP) dhe IPTV (Internet Protocol Television).

Telefonat inteligjentë celularë, duke shfrytëzuar këto protokolle, janë bërë pjesë e internetit në komunikimet multimediale. Bota “Online” virtuale ofron një univers burimesh, shërbimesh (shkëmbime e-mail-i, mesazhi, bisede, video, etj) dhe informacionesh. Nuk mund të ndërtohet një hartë për këtë botë virtuale, sepse dhe po të kishte, do të duhej të ndryshohej çdo ditë, madje çdo minutë. Vazhdimisht vijnë faqe të reja dhe hiqen faqe të vjetra interneti. Të kesh sukses në internet do të thotë të ndërtosh një hapësirë, sipas masës tënde, për të zgjedhur çdo herë në mes të mundësive të pafundme që na ofron rrjeti atë që në atë moment na intereson. Fleksibiliteti i pafund i internetit është një risi e paprecedent, që duhet shfrytëzuar maksimalisht.

 

Më Shumë

Haxhi Shala e Sabit Januzi pranojnë akuzën se frikësuan një dëshmitar

Haxhi Shala dhe Sabit Januzi pranojnë akuzën e frikësimit të një dëshmitari dhe pengimit në marrëveshje për pranimin e fajësisë me Zyrën e Prokurorit...

Policia shqiptoi 1960 gjoba trafiku për 24 orë

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se brenda 24 orëve të kaluara ka shqiptuar 1960 gjoba në trafik. Sipas raportit të policisë, gjatë 24...

Lajmet e Fundit