3.3 C
Prizren
E shtunë, 21 Dhjetor, 2024

Buzhala: Kuçi fëmijëror

Buzhala-KuciËshtë e vërtetë që largimi i Fatmir Limajt e Jakup Krasniqit mund të ketë ndikuar në dëmtimin e Partisë Demokratike të Kosovës, por kthimi i tyre nuk është shpëtimi i PDK-së. Mossuksesi i PDK-së nuk mund të lidhet me Fatmirin apo Jakupin, sepse PDK ka bërë lëshime të tjera që e kanë dëmtuar atë shumë më shumë.

Kështu tha për ‘Zëri’ Berat Buzhala, deputet i PDK-së.

Duke komentuar ofertën e nënkryetarit të partisë Hajredin Kuçi, i cili një ditë më parë në një intervistë televizive tha se Krasniqi e Limaj mund të kthehen në parti dhe të marrin të njëjtat pozita që i kanë pasur, Buzhala deklaratën e tij e cilësoi të ulët, joserioze e madje fëmijërore.

“Fillimisht shpresoj se kjo deklaratë e Kuçit nuk është bërë në koordinim me kreun e PDK-së dhe nënkryetarit të tij, sepse kjo deklaratë më së paku është e sinqertë, pasur parasysh që veprimet e tilla të unifikimit të partisë nuk bëhen përmes studiove televizive”, tha Buzhala, duke shtuar se në fund të fundit kush është Kuçi, ai mund të jetë nënkryetar, por nuk mundet që në emër të gjithë partisë të thotë ‘hajde tash Limaj kthehu nënkryetar dhe ti Krasniqi sekretar’.

Ndarja e këtyre dy figurave nga PDK nuk ka qenë e thjeshtë, qysh nuk është e thjeshtë as edhe bashkimi, të paktën jo në këtë mënyrë kaq turpëruese, tha ai.

“Me deklaratën e Kuçit, PDK e mori flakareshën e parë duke kërkuar mëshirë prej Limajt e Krasniqit, i konsideroi si shpëtimtarë të partisë dhe tani vjen ai momenti që edhe Limaj edhe Krasniqi të mund të tallen me të”, tha Buzhala, duke shtuar se më e pakta që mundet me pritë PDK prej Limajt e Krasniqit është mëshira nga dikush që ti nuk ke treguar mëshirë për të.

“Kemi rastet kur Limaj është ballafaquar me 100 peripeci dhe PDK e zhvilloi kuvendin pa e pritur atë. E tani si mundesh me pritë mëshirë prej dikujt që ti nuk tregove mëshirë për të”, shtoi ai.

Sidoqoftë, edhe nëse Kuçi e konsideron kthimin e tyre shpëtim të partisë, Buzhala vlerëson se një parti serioze do të duhej të funksiononte edhe pa dy figura si Limaj e Krasniqi.

“Dihet që PDK është dëmtuar me largimin e tyre dhe nuk jam kundër kthimit të tyre, por jam i bindur që bashkimi nuk e shpëton partinë. PDK ka bërë lëshime të tjera që e kanë dëmtuar atë dhe tani ajo nuk bën të merret me pasojat por me shkakun”, tha Buzhala.

Shpëtimi i PDK-së janë reformat në shëndetësi, edukim e sektorë tjerë, pastaj prurja e figurave të reja, projektet të tilla që e përgatisin partinë për tregun e shekullit 21, e jo të shekullit 20. Është vetë elektorati ai i cili së fundi na dëshmoi se kërkon figura të reja e jo të vjetra, tha Buzhala.

“Nëse PDK-në e kanë kapur ethet, ajo duhet t’i largojë ato, të shërohet e jo t’i shtojë me tendenca të tilla si të Kuçit”, përfundoi Buzhala.

Më Shumë

Dy personave në Prizren u gjendet pistoletë dhe thikë në çanta

Policia e Kosovës njofton se të hënën është raportuar që te dy persona të dyshuar në çanta u është gjetur një pistoletë me gaz...

Mbyllet nata e dytë e Fest 63, plotësohet mozaiku i 30 këngëve në garë për finalen e madhe

Kompletohet paraqitja e 30 këngëve në garë për trofeun e Fest 63, këngë e cila do të përfaqësojë Shqipërinë edhe në Eurovizion. Me mbylljen...

Lajmet e Fundit