5 C
Prizren
E martë, 4 Shkurt, 2025

Çfarë i duhet Ushtria një shteti të vdekur?

Sali Bytyçi

Është një rit – besoj që jo vetëm te ne, po që ka një shtrirje kombëtare, edhe më tej – që kur të vdesë një njeri dhe të mos ketë kohë të varroset atë ditë, gjatë natës t’i bëhet rojë. Sipas këtij riti, kufoma e të ndjerit duhet ruajtur gjatë gjithë natës, të mos mbetet pa njeri afër asnjë minutë, të bëhen sytë katër mbi të.

Mua personalisht nuk më ka ndodhur ndonjëherë të ruaj ndonjë të vdekur, po gjithnjë më është dukur absurde të ruhet i vdekuri. Përse ka nevojë të ruhet një i vdekur? Mos ngjallet ai? Mos ik? Mos e sulmon dikush? Mos ka nevojë për ndonjë gjë? Përse duhet qëndruar të vdekurit mbi kokë, kur ai më nuk ka asnjë nevojë prej të gjallëve, përveç të varroset prej tyre?

E pyetje të tjera, po gjithnjë pa një përgjigje të saktë.

Këtë rit ma kujtoi iniciativa e presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, për të krijuar Ushtrinë.

Tani dikush do të thotë, ç’lidhje ka iniciativa e Thaçit me shembullin e ruajtjes së të vdekurit?

Për mua ka, bile jo pak, po shumë.

Po para se të përgjigjem në këtë pyetje, së pari do të bëj përpjekje t’i jap përgjigje pyetjes: Përse i duhet ushtria Kosovës?

Përgjigjja: Për t’u mbrojtur nga Serbia.

Kosova nuk rrezikohet as nga Maqedonia, as nga Mali i Zi, nga Shqipëria as që mendohet se i vjen ndonjë rrezik. Kosova Rrezikohet nga Serbia, e cila e quan si zemër të saj, ndaj edhe i duhet ushtria. Në këtë kontekst, Republika e Kosovës nuk mund të presë kurrë miratimin e Serbisë për të formuar ushtrinë e saj, po as të pakicës serbe, e cila gjithnjë ka qenë dhe mbetet vegël e politikës që bën Serbia në Kosovë.

Të kthehemi në temë, te iniciativa e presidentit Thaçi për themelimin e Ushtrisë.

Sipas mendimit tim, me ndarjen në dy pjesë: pjesën multietnike, pra pjesën e të gjithëve, dhe pjesën njëetnike, Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, Serbia fiton pjesën e saj në Kosovë. Kush mund t’i ndalë serbët që këtë Asociacion pas tre vjetësh, mos ta kthejnë në një zonë serbe të pavarur? Ndaj, natyrshëm lind pyetja: Çfarë i duhet Ushtria Kosovës kur juridikisht Serbisë, nga lidershipi i tashëm politik, i njihet “hisja” territoriale në Kosovë.

Shkurt, me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe Kosova është një shtet i vdekur, ndaj, t’ia ruash kufijtë Kosovës kur me këtë Asociacion ia ke vendosur minat në të katër anët, është njësoj si t’ia kurosh lëkurën një personi, të cilit ia ke injektuar në organizëm një virus vdekjeprurës! Dhe, në këto rrethana, çfarë kuptimi ka themelimi i kësaj ushtrie, çfarë do të mbrojë kjo ushtri? Përse të shpenzojë Kosova 200 apo 300 milion euro për të mbrojtur një shtet të vdekur? Apo mos themelimi i Ushtrisë është veç një biznes i radhës? Tani pasi e fëlliqët Kosovën me universitete publike e private, të cilat prodhojnë në përgjithësi ose analfabetë, ose kandidatë për të ikur nga Kosova, doni të bëni biznes edhe me “ushtri”? Siç bëtë analfabetë profesorë, dekanë e rektorë, doni të bëni majora, kolonela e gjeneralë, që kështu, krejt në rregull me letra, të krijoni mirëqenie për njerëz, kryesisht tuajt, po edhe të “të tjerëve”, po gjithsesi të pavlerë?

Ky është vizioni juaj për Kosovën, e cila përreth një shekull lëngoi nën thundrën sllave?

Ushtritë krijohen për t’i mbrojtur shtetet e gjalla, jo të vdekurat.

Krejt në fund, nuk ka shqiptar me dy para mend në kokë që e kundërshton themelimin e Ushtrisë së Kosovës, po ama më parë të krijohet një Kosovë pa virus në zemrën e saj, pastaj të krijohet edhe ushtria që do ta mbrojë këtë Kosovë, se, po ia fute virusin në zemër, atëherë nuk ka mjekësi në botë që e shpëton!

 

Më Shumë

Rritet interesimi për qasje në dokumentet publike të Komunës së Prizrenit, 181 kërkesa në vitin 2024

Kërkesat e palëve të ndryshme për qasje në dokumentet publike të Komunës së Prizrenit gjatë vitit të shkuar kanë shënuar rritje krahasuar me vitin...

Prizreni përforcon sulmin me dy transferime të reja

FC Prizreni ka zyrtarizuar dy afrime të rëndësishme në repartin ofensiv, duke forcuar skuadrën për sezonin e ardhshëm. Klubit i janë bashkuar sulmuesit Edin...

Lajmet e Fundit