16.9 C
Prizren
E hënë, 12 Maj, 2025

Cikel me poezi nga Mimoza Rexhvelaj

Odisejada

MIMOZA REXHVELAJ

Duart vendos mbi pllakat homerike,
Të zbritura nga lart, urdhëresat pa urdhër,
njeriun e lëshuar si pré
në arenën e luanëve,
në arenën e shumë zotave .

Është jeta . Odisejada ime .
Duhet t’i bindem.
Nuk pres shumë nga zhurma e dallgës që përplaset mbi rërë,

As nga pulëbardha që lajmëron tokë,
e as nga lajmi i fundit i gjetur në shishe
dy mijë vjet më vonë…

Tani lëri retë të vazhdojnë rrugëtimin qiejsh,
ngrij velat e tua në direk.
Mbushe me ajër kraharorin
dhe ec, ec,ec …
Vetëm ec …

S’duhet ta dëgjosh thirrjen e sirenave …
Lëre pas krahëve,
mos i ndaj sytë nga lind dielli mbi kreshtë.

Nganjëherë

Nganjëherë jeta ngec pas teje
Si ferra, pas flokëve
Dhe nuk të shqitet.

Hyre atje ku s’duhej!

Nuk e di se si
Dhe as se pse
Ajo të ngre kurthe,
Kurthe asgjëje.
Muskujt pasivë të trupit
Papritur, gjallërohen
Duke zbuluar një tjetër ego,
Një ngjyrë të verdhë
Që stina e ngrohtë e mban latente.

Muskujt e qafës tendosen,
Këtë herë jo për të mbajtur peshë,
Por,për të parë qartë.
Prespektiva është një iluzion,
Ajo pemë e zvogëluar dhjetëra herë,
Është një iluzion , po kështu rruga,
mulliri, një konstelacion botësh që presin të zbulohen …
I tillë është edhe gishti që i tregon .

Frika të pushton,fundi i egëzistencës.
Me një kërcitje dhëmbësh zgjohesh.
Dielli rezaton mbi fytyrën e zhubrosur si mësalla pas feste.
Por, neser do të kthehet sërish në vend.

Jeta vazhdon në lojen e saj
Ditë-natë, natë-ditë,
me dublime të njëpasnjëshme, të rregullta mbi parket duke na përgatitur
për momentin e gjuajtjes,
nëse ai moment vjen ndonjëherë ….

……,,.,.,,…
VAJTOJE SERENATËN, KITARË

I premtove shpirtit një serenatë,
Me kitarën e vjetër të harresës,
Kumbon vaji, zërave të natës
Puhizë mbetur, shtegtare e largët.
Trupi i kitarës së pa prekur
i varur në gozhdë, murin ledhaton
Martir i dashurisë së fjetur
Tingull i vrarë, këngëzen më zgjon.

Murg në manastirin e kujtimeve
struket bosh, shpresa melodioze
Shuhet mes qirinjve të kishës
Për dikë, luten sorrat zëçjerrë….

Shpirti i zgjat dorën premtimit
Serenatën vajtoma, zemër e kitarës.
Mes gurve të varrit, simfonia
gulçon heshtjen e zhurmëshme
Tingujt shuhen…
Nën dritën e hënës…
Këndoma serenatën
kitarë!
Paqshëm të tretem
mes tingujve të latuar…

U LUTA PËR TY

U luta për ty.
Me forcën që fluturon
hapsirave të shpresës…
Dhe fryma e shenjt
si fllad i ëmbël
me ledhatoj me mirësi.
U luta për ty
vetmija flaku zemërimin
si bishe e zgjebosur
e shpirti im puthi
ngrotësinë e pajtimit
u luta per ty
Ndeza njëmijë e një qirinj
njëmijë e një endrra,
harrove njëmijë e nje perralla të frikshme.
po ti…
do të lutesh një ditë për mua!

………………
EKSTAZË

Ndizini zjarret e shpirtit,
Mos kini frikë – hapini portat
Shkundini pluhurat
Mbushni gotat!

Jam uragan sonte.
Jam e çmendur, llahtari,
Dashuria më bën
me krahë në kaltërsi.

Me flatrat e jetës sulmoj
Asgjë s’më ndal.
Kam lindur me yllin e fatit
Qëndisur në ballë.

Ejani dhe ju me mua
në qiellin e shtatë.
S’do lëmë gur dashurie
Pa kthyer mbrapsht.

……….

Asgjë e re

Asgjë e re,
Veç fishkëllima monotone e fletës që kthehet,
Meridianëve të humbur
Mbuluar me pluhura.
Gjurmoj…
Kthesën e fundit në pentagram
Si gjethe me krahë ere fluturojnë
Minutat bosh.
Ora mban frymën me ritmin e zemrës
Tingull trishtimi
Varur mbi buzeqeshjen-gozhdë,
Në cep të buzës.
Asgjë e re
Në horizont . . .

…….

Sot

Sot e pashë sërisht atë djalë i parritur
Dhe të rritur para kohe,
Atê statujë skamjeje
Që tërheq më tepër se gjithkush.
“Zotni , sa don?
Prit, të bajmë pazar…!”

Aereola e njeriut të pafat, kurora e tij me gjemba nuk hiqet kurrë nga koka,
As kur dremit.
Emrin nuk ia di,por, ai është gjithashtu një mbret sovran,
Në tokën pa zot
Të pamundësisë!
………..

Babit

Në kërkim të imazhit tënd,
Humba në skutat e rrudhave.
Varka letre mbyten në detin e syve . . .

Cigaren kafshon me buzët e trashura me kallo
Nga pauzat e gjata midis fjalëve
Dhe sapo kujtoj se po hy ne mendjen tënde
Filli këputet ,ne mbesim prap dy skaje.

Por, kur rrëshqas ndër valë e përplasem brigjesh. . .
Zëri yt më rri pas,më mbron shpatullat
‘Boxh! Të ka babi djalë!’
Cila përendi ta bën udhëtimin të lehtë:
E uji, stuhisë,e luftes apo e mallit për te gjallët?

Numeroj hapat e tu të shpejtë
Nga dy e tre shkallë njëherazi,
Frymëmarrjen e zënë “mat” midis tyre,
Dhe fëmijen e zënë “mat” brenda burrit.

Në mbrëmjen e njomur nga vesa
Pres kthimin tënd ulur në prag
E njëjta perëndi që të merr prej meje,
Të kthen sërish tek unë, në Itakë.

MIMOZA REXHVELAJ, ka lindur në Fier më 21.01.1981 dhe është rritur mes Durrësit dhe Malësisë së Madhe. Ka studiuar për Gjuhë-Letërsi, me profesion mësuese.
Diplomuar per Gjuhë-letërsin dhe Mastër ne Universitetin e Shkodrës për “Etnokulturë”; vazhdon në vitin e tretë të Fakultetit të Drejtësisë. Është autore e tre librave me poezi dhe një studimi letrarë përkatësisht:

“Dashuri ti je mëkati im”, “Fshima lotin”, “Jepi fjalës kohë”, autore e studimit “Vështrim mbi poezinë e Diasporës”.
Në vitet e fundit ka botuar herëpashere në shtypin letrar të kohës dhe është përfshirë në disa antologji poetike si në atë me titull “Korsi i hapur” 1,2,3 – botim i Pegas-it, “100 poetë për dashurinë”, “Struga 2012?.
Antrologji ” Sabbat” , si edhe tek “Fluturim Pulëbardhash ” ku u vlersua me mirënjohje .
Vlersuar ndër vite me cmimet : ” Penda e Artë e Migjenit’ , ” Ibrahim Rugova ” në Istog, “Mirënjohje” Takimi i Poeteshave , “Mirënjohje’ Takimet letrare në Ulqin , titulli ” Poete e talentuar” nga revista “Fjala” , “Poete e psikologjisë dhe përformamcës poetike ” Pegas Albania .

Më Shumë

Sfida 2: Trepça synon barazimin, Bashkimi epërsinë 2:0 drejt titullit

Super finalet e “Play-off”-it të ProCredit Superligës vazhdojnë me super sfida interesante. Beteja zhvendoset në Mitrovicë, ku të mërkurën nga ora 19:00 zhvillohet ndeshja...

Nuk ka konstituim të Kuvendit as pas 14 përpjekjeve

 Deputetët sot nuk arritën ta konstituonin Kuvendin e Kosovës, as pas 14 përpjekjeve. Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, u bëri thirrje partive politike që të...

Lajmet e Fundit