7.4 C
Prizren
E mërkurë, 25 Mars, 2026

Dëmet e mëdha në fshatrat e Suharekës të shkaktuara nga vërshimet

Rreth 50 përqind e fshatrave të kësaj komunës së Suharekës pësuan dëme materiale nga vërshimet. Gjatë kësaj situate u raportua për tetë persona të lënduar, të cilët kanë marrë tretman mjekësor. Aty ka ndërhyrë edhe FSK dhe Kryqi i Kuq. Ndërkohë, është vlerësuar se dëmet materiale nga kjo katastrofë natyrore kanë kaluar shifrën 6 milionë euro.

Fshati me më së shumti dëme është fshati Sopi i kësaj komune.

Disa nga banorët e këtij fshati kanë treguar se komuna u ka sjellë disa formularë për të regjistruar dëmet, si dhe thasë me gëlqere, por ata thanë se dezinfektimin e shtëpive po e bëjnë vet.

Ukë Ndrecaj rrëfehet dëmet që shkaktoi uji dhe rëra në shtëpinë e tij.

“Na ka vërshuar katin përdhes komplet, nja 60 centin ka hy lumi brena. Dëme na kanë ba një lavatriçe, friza, një zmadhues të rrymës dhe disa tesha, ka pas tepiha, syngjera, ato i ka mbushë me rërë nja 10 centin katin përdhes”, ka thënë Ndrecaj.

Ai ka treguar se vërshimet i kanë dëmtuar edhe serrën. Ndërsa, ka shtuar se po e presin komunën që t’i dalë në ndihmë më tutje. Sipas tij, këto vërshime kanë ardhur si pasojë e ngushtimit të shtratit të lumit.

“Me u pas hapë shtrati i lumit, nuk besoj që kish ardhë deri te kjo katastrofë. Na kërkojmë që me na pastru fshatin, këtë lumin e fshatit, edhe me marrë një iniciativë komuna”, ka thënë Ndrecaj.

Dëme materiale në këtë fshat, në lagjen e Mazrekëve, ka pasur edhe familja e Kujtim Mazrekut. Edhe kryefamiljari Mazreku ka thënë se vërshimet nëpër shtëpi u kanë ndodhur si shkak i ngushtimit të shtratit të lumit dhe mbeturinave që ndodhen në lumë. Ai ka treguar se vërshimet ia kanë dëmtuar katin e parë të shtëpisë, punëtorinë e mobilieve dhe tri vetura.

“Tri vetura janë prishë aty. Njana u kanë e vajzës, 80 mijë euro ka kushtu ai kerr, ajo u kanë bijë e imja, edhe nja të djalit dhe një timin, tri kerret i ka prishë”, ka thënë Mazreku.

Ai ka treguar se komuna i ka vizituar dhe ka thënë se po shpresojnë që t’ua kompensojnë dëmet materiale.

Në të njëjtën lagje, u dëmtuan nga vërshimet edhe tri shtëpi që ndodheshin pranë lumit. Këto shtëpi i përkasin tre kushërinjëve Mazreku.

Njëra nga banoret e cila nuk ka dashur të prononcohet para kamerave, ka thënë se vet janë marrë me pastrimin dhe dezinfektimin e shtëpive. Ajo ka treguar, se kryefamiljari B. Mazreku nga lodhja e tepërt dhe stresi, ka pësuar sulm në zemër dhe për momentin gjendet në trajtim mjekësor në Prishtinë.

“Gjendet në spital për shkak të lodhjes që e kemi pastru shpinë, ka pësu infrakt, e kanë dërgu në Prizren, pastaj prej Prizrenit në Prishtinë”, ka thënë L.M.

Kurse, Enver Shabani, drejtor i Shërbimeve Publike, Mjedis dhe Emergjencë në komunën e Suharekës, ka thënë se komuna i ka vizituar fshatrat dhe po bën verifikimin e dëmeve.

Ai ka treguar se tashmë u kanë dërguar thasë me gëlqere për dezinfektim dhe ka thënë se shpresojnë që t’i përkrah edhe qeveria për rimbursimin e dëmeve materiale.

“Kapaciteti i komunës së Suharekës nuk ka mundësi me i plotësu të gjitha damet, mirë po besojmë dhe shpresojmë që qeveria, buxheti i qeverisë do të na ndihmon. Sa i përket buxhetit të komunës së Suharekës, është shumë i ulët, mundësitë janë të vogla”, ka thënë Shabani.

Ndërkohë, fshatrat Grejkoc, Sopi dhe Nëpërbisht i ka vizituar kryeministri Ramush Haradinaj, së bashku me disa nga ministrat dhe zëvendësministrat e Qeverisë së Kosovës, si dhe kryetarin e Suharekës, Bali Muharremaj.

Haradinaj ka premtuar që qeveria do t’i ndihmojë në kompensimin e dëmeve materiale.

Komuna e Suharekës deri tash ka ndarë 430000 mijë euro, kurse, Qeveria ka premtuar se në mbledhjen e nesërme do të ndaj 1.1 milion euro.

Më Shumë

Aksidentet me fatalitet në Prizren, nis task-forca për sigurinë në trafik

Tre të rinj vdiqën në aksidente trafiku dhe dy të tjerë pësuan lëndime të rënda trupore vetëm gjatë javës së kaluar në Komunën e...

Vdes një 34-vjeçar në Prizren, dyshohet se është goditur nga një veturë

Një rast i rëndë ka ndodhur sonte, më 18.03.2026, në Prizren. Një 34-vjeçar është dërguar pa shenja jete në Spitalin Rajonal të Prizrenit rreth orës...

Lajmet e Fundit