Rreshteri i Policisë së Kosovës, Habib Morina, i cili akuzohej për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, të hënën, është shpallur fajtor nga Gjykata Themelore në Prizren dhe është dënuar me dy mijë euro gjobë.
Fillimisht, trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtari Xheladin Osmani, të akuzuarin Morina e ka dënuar me burgim efektiv prej gjashtë muajsh, por me kërkesë të të akuzuarit, dënimi me burgim prej gjashtë muajsh i është zëvendësuar me dënim me gjobë prej dy mijë eurosh.
Para se të shpallej aktgjykimi në këtë rast, palët në procedurë kanë paraqitur fjalët e tyre përfundimtare, andaj me këtë rast, prokurori i çështjes, Mehdi Sefa, ka deklaruar se nga administrimi i provave dhe dëgjimi i dëshmitarëve është vërtetuar fajësia e të akuzuarit.
Sefa ka kërkuar që i akuzuari të shpallet fajtor dhe me rastin e shqiptimit të llojit dhe lartësisë së dënimit, të merret parasysh se i akuzuari për herë të parë është akuzuar, se i njëjti është familjar dhe ka shërbyer për shumë vjet në Policinë e Kosovës.
Ndërsa, i akuzuari, Habib Morina, ka paraqitur me shkrim fjalën e tij përfundimtare, në të cilën ka thënë se është akuzuar padrejtësisht pasi që, sipas tij, edhe dëshmitarët kanë vërtetuar se ai nuk ka pasur dijeni për kamionin e ndalur me çimento qysh pretendon prokuroria.
Morina ka thënë se të gjitha veprimet i ka ndërmarrë sipas normave ligjore dhe kompetencave të tij, duke mohuar se me qëllim ka kryer një veprim për t’i sjellë dobi pasurore dikujt tjetër, apo për ta dëmtuar dikë. Për më tepër, ai ka thënë se rasti atë natë vetëm ka filluar dhe veprimet për të cilat pretendon prokuroria se nuk i ka ndërmarrë, të njëjtat veprime sipas tij, janë ndërmarrë ditën e nesërme dhe se të dëmtuarit në këtë rast i është kompensuar dëmi.
I akuzuari, po ashtu në fjalën përfundimtare, ka thënë se nuk ka pasur qasje në tërësinë e lëndës kundër tij andaj ka thënë se është dashur të merren të gjitha procesverbalet e bëra nga policia në këtë rast ku do të dëshmoheshin veprimet e ndërmarra dhe koha kur janë ndërmarrë.
Sepse, sipas Morinës, nuk qëndron fakti se ai është lajmëruar menjëherë kur është ndaluar i personi me çimento, por më vonë kur edhe është lajmëruar rasti për vjedhje nga i dëmtuari, e që veç personi ishte larguar nga pika e kontrollit. Andaj ka kërkuar që të lirohet nga akuza.
Ky rast zhvillohej në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, të ngritur ndaj Habib Morinës, të cilin e akuzon se duke vepruar në cilësinë e zyrtarit policor, ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare. Sipas aktakuzës, Morina, me qëllim që t’i shkaktojë përfitim material Miftar Papës, ka lejuar që i njëjti të largohet me 39 thasë çimento të vjedhur, me ç’rast i ka shkaktuar dëm Nuhi Bytyqit.
Aktakuza përshkruan se si pala e dëmtuar Nuhi Bytyqi nga Suhareka, kishte lajmëruar rastin në Stacionin Policor të Suharekës, për vjedhjen e 39 thasëve çimento nga oborri i shtëpisë së tij.
Sipas aktakuzës, në të njëjtën kohë, gjatë një pike kontrolli është ndaluar Miftar Papaj, i cili kishte të ngarkuar në automjet 39 thasë çimento, mirëpo rreshteri Morina nuk kishte lejuar që i njëjti të ndalohej dhe të konfiskohej sasia e çimentos së bashku me automjetin.