25.8 C
Prizren
E shtunë, 18 Maj, 2024

Deputetët e papërgjegjshëm karshi votës së qytetarëve

Mungesat e shpeshta të deputetëve në seanca plenare vazhdojnë të jenë pengesë për mbarëvajtjen e punës së Kuvendit të Kosovës, që shpeshherë rezulton me shtyrje të pikave të ditës, ose edhe me ndërprerje të punimeve për mungesë kuorumi.

Derisa legjislatura e kaluar e Kuvendit të Kosovë ishte karakterizuar për numrin e madh të seancave të ndërprera për shkak të mungesës së kuorumit, në këtë legjislaturë ndodhi që një seancë plenare të nis vetëm me 32 nga 120 deputetë sa i ka Kuvendi i Kosovës. Ndodhi kështu në seancën plenare të 21 majit të këtij viti, e cila filloi punimet me çerekun e deputetëve dhe përfundoi me praninë e gjysmës së përbërjes së Kuvendit të Kosovës, gjë që flet për një papërgjegjësi të deputetëve.

Që nga fillimi edhe legjislatura e pestë e Kuvendit të Kosovës po ballafaqohet me papërgjegjësinë e deputetëve për të qenë të rregullt në seanca dhe të anëtarëve të kabinetit qeveritar.

KosovaLive ka siguruar të dhëna nga Kuvendi i Kosovës lidhur me pjesëmarrjen e deputetëve në seanca nga muaji dhjetor 2014 deri në prill të vitit 2015, periudhë kjo gjatë së cilës 86 deputetë kanë munguar në një seancë plenare, 28 deputetë në dy seanca plenare dhe 7 deputetë në tri seanca plenare.

Në bazë të këtyre të dhënave në muajin dhjetor 16 deputetë nuk kanë marrë pjesë në një seancë, 3 deputetë nuk kanë marrë pjesë në dy seanca plenare, ndërsa 5 deputetë nuk kanë marrë pjesë në tri seanca plenare.

Gjatë muajit janar 15 deputetë nuk kanë marrë pjesë në një seancë dhe 3 deputetë nuk kanë marrë pjesë në dy seanca.

Në muajin shkurt 20 deputetë nuk kanë marrë pjesë në një seancë, ndërsa në dy seanca kanë munguar nga 7 deputetë.

Mos prani të deputetëve në seanca ka pasur edhe gjatë muajit mars. 12 deputetë nuk kanë marrë pjesë në një seanca plenare dhe nga 9 deputetë kanë munguar në dy seanca plenare.

Gjatë muajit prill 23 deputetë nuk kanë marrë pjesë në një seanca plenare, nga 6 deputetë kanë munguar në dy seanca dhe nga 2 deputetë kanë munguar në tri seanca plenare.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës njihen si shpenzuesit më të mëdhenj të buxhetit të shtetit. Ata përpos pagës mujore prej rreth 1.500 euro, marrin edhe 240 euro në muaj për pjesëmarrje në seanca plenare, pastaj mëditje për pjesëmarrjen në mbledhje të komisioneve, si dhe para për shujtë dhe shpenzime të rrugës, diku mbi 300 euro.

Por, a ka sanksione ndaj deputetëve që nuk marrin pjesë në seancë plenare? Lidhur me këtë sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi, ka thënë shkurt për KosovaLive se “për çdo mospjesëmarrje në seancë plenare deputetit i bëhet ndalesa në mënyrë proporcionale me seancat e mbajtura gjatë muajit”.

Këtë pohim të Krasniqit nuk kemi arritur ta konfirmojmë edhe nga ndonjë burim tjetër, madje as të sigurojmë një dëshmi valide se një deputeti iu ka ndalur ndonjë metelik për mospjesëmarrje në mbledhje.

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) kohë më parë ka bërë vlerësimin për tremujorin e parë të legjislaturës së pestë të Kuvendit, duke e vlerësuar këtë sezon si shumë të dobët. Sipas KDI-së, ndonëse puna e Kuvendit të Kosovës ishte e bllokuar për 6 muaj, tremujori i parë i punës karakterizohet me një dinamikë të ultë e punës.

Në raportin e KDI-së për tremujorin e parë të legjislaturës së tashme të Kuvendit të Kosovës, theksohet se Kuvendi nuk ka miratuar asnjë ligj me përjashtim të Ligjit për buxhetin që ka qenë i obliguar.

Sipas KDI-së, një barrë e madhe e përgjegjësisë i bie edhe Qeverisë së Kosovës, e cila më së shumti propozon ligje. Ajo për këtë vit ka parapara 101 projektligje që duhet t’i sjellë para Kuvendit, gjë që nuk u pa se kjo dinamikë po zbatohet në tremujorin e parë.

Edhe qytetarët nuk janë të kënaqur me përfaqësuesit e tyre në Kuvendin e Kosovës. Në bazë të disa opinioneve që i ka KosovaLive, qytetarët e thonë hapur se ka deputetë që nuk e meritojnë të jenë fare aty. Sipas qytetarëve, janë disa deputetë që marrin vetëm të ardhura marramendëse nga buxheti i shtetit, pra nga taksapaguesit kosovarë, ndërsa nuk flasin asnjëherë e lere më të mbrojnë interesat e qytetarëve për çka edhe janë aty.

Bekim Kastrati, qytetar nga Prishtina, ka thënë për KosovaLive se shumë prej deputetëve që janë në Kuvendin e Kosovës nuk e din se për çka janë aty dhe se pritja nga ta nuk është e madhe.

“Nuk pres asgjë nga ata deputetë. Faji është i popullit që nuk di t’i zgjedh përfaqësuesit e vet. Shumica e tyre nuk e dinë as pse janë aty, apo ma mirë me thënë se aty janë vetëm për të përfituar në kurriz të popullit. Kjo po e dëshmon edhe me deklarim të pasurisë së tyre, populli çdo ditë e më i varfër e ata milionerë brenda natës”, thotë Kastrati.

Për te është e pakuptueshme se si një deputet mund të ketë pagën bazë rreth 1.500 euro, ndërsa në muaj të realizon edhe 500 euro të tjera dhe për çka, për pjesëmarrje në seanca dhe mbledhje të komisioneve parlamentare, thua t’i se ata pagën bazë po e marrkan për hapje të kanaleve apo ndonjë punë tjetër botore.

“Kjo është turp për përfaqësuesit e popullit, t’i krijojnë vetës privilegje të tilla. Unë punojë një muaj dhe nuk mund të marrë 240 euro, sa deputetët i marrin vetëm për pjesëmarrje në seanca plenare dhe në mbledhje të komisioneve. Ndërkaq, po t’ia përmendi unë pronarit të firmës ku punojë paratë për shujtë dhe për shpenzime të udhëtimit, do të ma ndërpres menjëherë kontratën e punës”, nëvizon Kastrati.

Edhe Vesa Bajrami, qytetare nga Prishtina, ka përafërsisht mendim të njëjtë. Ajo fajëson edhe ndërkombëtarët të cilët kinse erdhën ta ndihmojnë Kosovën dhe më së shumti i ndihmuan udhëheqjet tona të papërgjegjshme për t’u pasuruar në kurriz të popullit të varfër.

“Mendoj se nuk ka shtet në botë me sistem demokratik dhe parlamentar që mund të ketë udhëheqje me benifite më të mëdha se në Kosovën e varfër.

Paramendoje diku tjetër që presidenti i vendit, pavarësisht sa ka kontribuar ai, ta merr pagën e presidentit sa të jetë gjallë, pastaj privilegjet e një deputeti e një qeveritari që realizon edhe dy-tri paga të tjera brenda të njëjtit orar të punës dhe në rastet më të shpeshta nga buxheti i Kosovës.

Kjo ndodh vetëm në një vend ku nuk funksionon shteti ligjor, ku demokracia është vetëm nocion që pushtetarët nuk e lëshojnë nga goja për ta shtypur sa më shumë popullin e ngratë”, flet me mllef zonja Bajrami për KosovaLive.

Ajo dëshiron tua bëjë një pyetje publike pushtetarëve të Kosovës që mbajnë më shumë se një vend pune se çka do të ndodhte me te po ta lente vendin e punës për vetëm një orë dhe shkonte për të punuar diku tjetër. Edhe pse e vetëdijshme se pushtetarët e dinë përgjigjen nuk e pret atë nga ata, se do ta humbte edhe atë vend pune që ka.

“Po shpresoj që të ndryshojë kjo situatë. Shpresoj që do të arrijë koha që edhe në Kosovë të funksionoj shteti ligjor. Por, kam një porosi për popullin që të vetëdijesohet e mos të votojë njerëz që nuk janë në gjendje t’i mbrojnë interesat tona”, thotë Vesa. /KosovaLive/

Më Shumë

Në 11 komuna u shty afati i regjistrimit të popullsisë edhe për një javë, ASK pritet të njoftojë për planin e veprimit

Në 11 komuna të Kosovës është shtyrë afati i regjistrimit të popullsisë me kërkesë të tyre. Qeveria e Republikës së Kosovës ka bërë të ditur...

SBASHK-u mësimdhënësve: Mos nënshkruani ndryshimet e Kontratës së punës

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Republikës së Kosovës (SBASHK), thotë se kohëve të fundit po qarkullon një version i ri...

Lajmet e Fundit