6.8 C
Prizren
E shtunë, 27 Prill, 2024

Dëshirorja dhe pjesorja/ Polemizojnë dy profesorët e gjuhës shqipe nga Prizreni

Mënyra e përdorimit të foljes në dëshirore dhe pjesorja ka nxitur polemika mes dy profesorëve të gjuhës shqipe nga Prizreni.

Profesor Gani Rudaj, në shkrimin autorial Dëshirorja në vend të pjesores, i cili është publikuar ekskluzivisht në PrizrenPress” ka ngritur shqetësimin për mënyrën e përdorimit të këtyre foljeve.

Dëshirorja në vend të pjesores

Ndërkaq, kundër argumenteve të profesor Rudajt, ka dalë dr. Xhafer Beqiraj.

Rudaj e Beqiraj kanë polemizuar në rrjetin social Facebook.

Postimi në Facebook

Dr. Xhafer Beqiraj

Përshëndetje, i nderuar Gani, ju përgëzoj për shkrimin! Disa nga shqetësimet tuaja që i theksoni në shkrimin me titull “Dëshirorja në vend të pjesores” janë të drejta, por për sa i takon përdorimit të pjesores “GËZUAR”, siç thoni ju, nuk keni aspak të drejtë. Kështu që nuk bën të nxitoni, se del keq.

Pjesorja është njëra nga format e pashtjelluara të foljes që ka tipare semantike e gramatikore edhe foljore, edhe mbiemërore, (edhe ndajfoljore, por jo pjesorja “gëzuar”), edhe si pasthirrmë me kuptim urimi (përgëzimi), e cila shpërfaqet sinonimike semantikisht me foljen në mënyrën dëshirore. Mënyra dëshirore e foljes është xhevahir për shqipen që gjuhët e tjera nuk e kanë, mirëpo përdorimi i pasthirrmës “gëzuar”, nuk e nxjerr dot atë jashtë përdorimit . Të dyja së bashku vetëm se e pasurojnë gjuhën.

Siç e dini edhe ju, me anë të konversionit një fjalë nga një klasë leksikore ka mundësi të kalojë në një klasë tjetër leksikore, ashtu si ndodh edhe me pjesoren e foljes “gëzoj” – “gëzuar”, e cila me anë të konversionit shndërrohet në pasthirrmë (dhe me anë të paranyjëzimit në mbiemër), p.sh.: Ishte gëzuar shumë [.] (pjesore), Ishte ditë e bukur [.] (mbiemër], Gëzuar ditëlindjen [!] (pasthirrmë me kuptim urimi).

Një numër i pjesoreve me anë të konversionit kalojnë, siç thashë më lart, edhe në klasën leksikore të ndajfoljes, p.sh., Fliste hapur [.] (ndajfolje). Si ndajfolje, pjesorja “gëzuar” nuk del, sepse nuk e lejon semantika e leksemës, mendoj unë, por këtë mungesë e plotëson pjesorja e gegërishtes gëzue + prapashtesa fjalëformuese -shëm = ndajf. gëzueshëm.
Në fjalorë të ndryshëm të shqipes jepen kuptimet semantike të leksemës “gëzuar”, si në vijim:

GËZUAR mb.
1. Që ndien a ka gëzim, që është gjithë gaz. Djalë i gëzuar. Njerëz të gëzuar.
2. Që shpreh gëzim e hare; i gëzueshëm, i qeshur. Fytyrë e gëzuar. Sy të gëzuar.
3. Qe kalohet a është kaluar me gëzime, i gëzueshëm. Jetë e gëzuar. Ditë të gëzuara.
4. Që të ngjall gëzim, që të gëzon, që të mbush me gaz e hare, i gëzueshëm, gazmor. Lajm i gëzuar. Ngjarje e gëzuar.

GËZUAR pasth.
Përdoret si urim në raste festash, ditëlindjesh, kur fillojmë një punë të re etj., me kuptimin «e kalofsh i gëzuar!», «qofsh i gëzuar!», «e gëzofsh (e gëzofshi)!» etj. Gëzuar Vitin e Ri! Gëzuar qofsh! Gëzuar bukën e re! Gëzuar! (thuhet kur ngremë një dolli a kur çokasim gotat me dikë).

Ose te shembujt: kënga e qyqes; Qyqja, nëna e shkretë [!], b.f., është emër qyqe/ja, por edhe pasthirrmë. Të ngulim këmbë se “qyqja” është vetëm qyqe – emër. Jo. Qyqja është edhe pasthirrmë që shpreh ndjenjën e frikës, të dëshprimit a të hidhërimit, sikurse “gëzuar” si pasthirrmë që shpreh urim. Të ngulim këmbë se sintagma “gëzuar ditëlindjen” nuk bën të përdoret, nuk është e vërtetë, sepse edhe sikur të mos kishim njohuri të tjera, së paku fjalori na tregon se mund të përdoret (shih: shpjegimin e fjalorit të shqipes për fjalën “gëzuar” që e cituam më lart). Pra, si pasthirrmë fjala “gëzuar” nuk është pjesore. Pjesorja del element përbërës i kohëve analitike. Vetëm në këtë rast shfaqet në funksion të pjesores, në rastet e tjera ndërron kategorinë leksiko-gramatikore, me një fjalë, kalon në klasë të tjera leksikore. Këto lëvizje leksikore e semantike duhet kuptuar qartë e drejt, pa i ngatërruar.

Kolegu im, konvesioni e pasuron fushën leksikore e semantike të klasave fjalëve dhe të fjalësit. Kjo mënyrë fjalëformimi e pasuron shqipen tonë të bukur. Kështu që nuk ka ndonjë ndryshim kuptimor e as nuk është gabim, nëse themi: Gëzuar ditëlindjen [!] apo E gëzofsh ditëlindjen [!], është e njëjta gjë (është urim me domethënie të njëjtë). Sipas mendimit tim, i vetmi ndryshim te të dyja fjalitë e sipërpërmendura është se ato janë të strukturuara sintaksorisht e leksikalisht ndryshe. Të dy tipat e urimit të përmendur më lart kanë strukturë të drejtë sintaksore dhe semantike. Nuk është pasuri e gjuhësore, kur shqipja na jep mundësi të ndryshme për të shprehur të njëjtën gjë, por me strukturë tjetër?! Sigurisht se po.

Sikur të kishit përmendur urdhëroren e përdorur tmerrësisht keq nga folës të ndryshëm, p.sh.: *Kalo mirë [!], *Kaloni mirë [!], në vend të formave të mënyrës dëshirore: Kalofsh mirë [!], Kalofshi mirë [!], do të isha pajtuar me ju plotësisht dhe do t’ju kisha përgëzuar.
Për sa i takon shtjellimit kritik që i bëni pjesores, e keni shumë gabim. Pastaj edhe më gabim, sepse bëni kritikë. Kur të kritikoni, duhet të jeni shumë të sigurt për atë që shkruani. Jeni mësimdhënës i gjuhës.

Mund t’na përvidhen të gjithëve gabime, njerëz jemi. Si rrjedhojë, edhe mund të gabojmë, por nuk na fal gjuha zvetënimin, shëmtimin, keqpërdorimin dhe keqtrajtimin e përditshëm, që ne po i bëjmë asaj. Kështu që duhet të jemi të ndërgjegjshëm që ta shkruajmë e ta flasim gjuhën amtare sa më mirë. Prandaj sa të jemi gjallë duhet të punojmë e të mësojmë, sepse nuk jemi gjitholog. Ajo është mjaft komplekse, më shumë se sa mendojmë e ne mos të flasim pastaj për laikët.

Kështu që do të ishte mirë që secili nga ne, së pari, të ishte vetëkritik e pastaj kur të jetë i sigurt të japë edhe vërejtje për të tjerët, mirëpo gjithmonë me maturi, në mënyrë që sugjerimet, vërejtjet dhe kritikat të kenë ndikim pozitiv në masë, por jo të jenë çorientuese. Kjo do të na bënte mirë të gjithëve.

Si përfundim, vend për shqetësime ka gjithmonë për gjuhën që po shpërdorohet. Por duhet ditur një gjë, që shkrimet për gjuhën të trajtohen vetëm me dije, me profesionalizëm e me kulturë, përndryshe me broçkulla nuk e ndihmojmë dot.
Shëndet! Respekte.

Postimi në Facebook

Prof. Gani Rudaj 

Përshëndetje profesor Xhafer Beqiraj

Në fillim po ju falënderoj që patët kohë ta lexoni një punim timin me titull: Dëshiroja në vend të pjesores. Gjithashtu ju jam mirënjohës për mendimin tuaj profesional në lidhje me temën që e kisha shkruar. Në shkrimin tuaj m’i dhatë disa vërejtje, të cilat sipas mendimit tim nuk qëndrojnë. Në punimin tim, unë nuk kam përmendur asnjë mësimdhënës të gjuhës shqipe, sepse numri i tyre është i madh që bëjnë gabime të tilla.

Në fillim të shkrimit tuaj thoni se disa nga shqetësimet e mia gjuhësore janë të drejta. Por, sa i përket problemit të pjesores GËZUAR, ju më thoni që nuk paskam aspak të drejtë! Në këtë punim do të merrem vetëm me atë anë që sipas mendimit tuaj unë nuk paskam aspak të drejtë! Në fillim të punimit tuaj keni bërë një shpjegim për pjesoren duke thënë se është një nga format e pashtjelluara të foljes dhe që ka tipare semantike e gramatikore edhe foljore, edhe mbiemërore.

Deri këtu keni dhënë shpjegim të qartë e të mirë. Në vazhdim të shkrimit thoni se kjo pjesore është si pasthirrmë me kuptim urimi, e cila shpërfaqet sinoninimike semantikisht me trajtat foljore të mënyrës dëshirore. Unë e di që pjesorja është pjesore. Pastaj keni përmendur konversionin, ku thoni se një klasë leksikore, ka mundësi të kalojë në një klasë tjetër leksikore, ashtu siç ndodh ( sipas mendimit tuaj ) me pjesoren e foljes GËZOJ që është GËZUAR. Ju thoni që kjo pjesore me anë të konversionit shndërrohet në mbiemër dhe merrni këtë shembull: Ishte gëzuar shumë. Në kllapa keni shënuar pjesore. Unë në këtë fjali nuk shoh Konversion as pjesore. Në këtë fjali shoh një folje ISHTE GËZUAR, e cila folje është në kohën e kryer të plotë, në diatezën joveprore, në vetën e tretë dhe në numrin njëjës, si dhe ndajfolje e sasisë SHUMË.

Në punimin tuaj keni thënë se në fjalorë të ndryshëm të shqipes jepet kuptimi semantik i leksemës GËZUAR, si mbiemër:

1. Që ndien a ka gëzim, p.sh. Djalë i gëzuar;
2. Që shpreh gëzim e hare, i gëzueshëm, i qeshur, Fytyrë e gëzuar. Sy të gëzuar.
3. Që kalohet a është kaluar me gëzime, p.sh. Jetë e gëzuar. Ditë të gëzuar.
4. Që të ngjall gëzim, që të gëzon, që të mbush me gaz e hare, p.sh. Ngjarje e gëzuar. Lajm i gëzuar.

Te këta shembuj nuk ka shpjegime për pjesoren. Ju këtu keni bërë shpjegimin e mbiemrit të nyjshëm.

Më tutje keni shkruar për pjesoren GËZUAR në rolin e pasthirrmës në fjali. Keni thënë se përdoret si urim në raste festash apo ditëlindjesh ose kur fillojmë një punë të re. Pjesorja në këto fjali duhet ta ketë kuptimin ” e kalofsh i gëzuar “, ” Qofsh i gëzuar ” , si në shembullin: Gëzuar qofsh!, ” Qofsh i gëzuar!”. Në të dy këta shembuj nuk ka pjesore të foljes.

Në shembullin Qofsh i gëzuar, kemi foljen JAM që është në mënyrën dëshirore dhe mbiemrin I GËZUAR. Në shembullin e dytë : Gëzuar qofsh! Kemi vetëm foljen në mënyrën dëshirore që për shkaqe të stilit letrar kjo folje është shkruar ndryshe. Të gjithë këta shembuj janë marrë nga Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe, i botuar në vitin 1981 në Prishtinë dhe e kanë hartuar: A Kostallari, Jani Thomaj, Xh.Lloshi, M. Samara, J. Kola, P. Daka, P. Haxhillazi, H. Shehu, F. Leka, E. Lafe, K. Sima, F. Theks, B. Keta, A. Hidi. Ky shpjegim gjendet në faqe 553. Të gjithë këta janë profesorë me titull shkencor për këtë lëmi. Unë i çmoj shumë, por gjuhën e dua pak më shumë. Në këtë punim e keni marrë një shembull që nuk e keni sqaruar mirë.

Shembulli juaj: Qyqja, nënë e shkreta! Për këtë shembull keni thënë se fjala QYQJA është emër, por edhe pasthirrmë! Mirë i nderuari profesor, por nëse studentët ju pyesin se QYQJA në këtë fjali a është emër apo pasthirrmë? Jam i mendimit se nuk do të dinit të jepni përgjigje. Kështu po them se po të kishim fjalinë pak më ndryshe, si p.sh. QYQJA unë, erdhi QYQJA përsëri! Në këtë fjali kemi dy qyqe.

Qyqja e parë është pasthirrmë, ndërsa e dyta është shpend. Në një vend të punimit tuaj bëni pyetje se a nuk është pasuri e gjuhës kur na jepet mundësia që me mënyra të ndryshme gramatikore të shprehim të njëjtin kuptim? Unë them se është pasuri e madhe e gjuhës shqipe, por jo të shprehet me fjalë të tjera të gabuara. Gjuha shqipe e ka mënyrën dëshirore, prandaj duhet ta përdorim atë. Gjuhët e tjera vuajnë që nuk e kanë këtë thesar gramatikor me peshë të madhe.

Nga fundi i shkrimit tuaj keni thënë se do të ishit pajtuar me mua plotësisht po ta kisha shqyrtuar shprehjen ( sipas jush tmerrësisht të keqe ) që dëgjohet në të folmen e përditshme KALO MIRË dhe KALONI MIRË gjë që sipas mendimit tuaj u dashka të përdorej shprehja në mënyrën dëshirore: KALOFSH MIRË dhe KALOFSHI MIRË! Me këtë ju po kërkoni që ne kur e përdorim këtë fjali, gjithmonë ta përdorim foljen në mënyrën dëshirore!? Jo, jo profesor, ndoshta keni harruar që në sintaksë kemi edhe fjali urdhërore dhe që lënda e sintaksës ka lidhje të ngushta me logjikën? Fjalia Kalofshi mirë, shpreh dëshirën që ata njerëz të kalojnë rrugën me dëshirën më të mirë të mundshme. Ndërsa, te fjalia: KALONI MIRË RRUGËN, ne i japim një urdhër kujdesi për të kaluar rrugën larg rreziqeve. Tani me të vërtetë më vjen keq që dikush nuk e ka mësuar logjikën e gjuhës. Logjika është arma kryesore e gjuhës.

Duke lexuar fundin e punimit tuaj, kam vërejtur se ka filluar t’ju zbehet kultura e të shprehurit. Po më thoni se po bëj gabim që bëra kritikë. Sa e di unë nuk kam kritikuar asnjë njeri. Në punimin tim nuk mund të gjeni emrin tuaj që e kam përmendur. Ju i nderuari profesor me këtë punim që e keni shkruar, po i tregoni lexuesve se ju jeni ai që po bëni gabime.

Për të mos ardhur deri te kjo, ju është dashur të hapni librat gjuhësorë dhe ato jo t’i lexoni, por t’i studioni. Më vjen keq i nderuari profesor, por unë nuk mund të hesht para gabimeve që po bëhen. Deri sot dikush e ka ÇORIENTUAR rrugën e gjuhës shqipe, ndërsa nga sot ua hapa rrugën e ORIENTIMIT.

Lapsi është i lehtë për ta mbajtur në dorë, por është i rëndë për ta përdorur!

Më Shumë

Distria Krasniqi kampione e Evropës në xhudo

Krenaria e Kosovës, Distria Krasniqi, arriti të sjellë edhe një medalje të artë për Kosovën, kësaj radhe duke triumfuar në Kampionatin Evropian për Senior...

SBAShK paralajmëron protestë më 1 maj

  Sindikata e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK) ka bërë të ditur se me 1 maj do të ketë protestë të punëtorëve të arsimit. Në njoftimin...

Lajmet e Fundit