11.8 C
Prizren
E premte, 26 Prill, 2024

Diplomacia e Hashimit

Muhamer Pajaziti

Hashim Thaçi sot është një protagonist me rol dytësor në politikat shtetërore të Kosovës, atë të kryediplomatit me shumë ambicie që po synon të ngrejë nivelin e politikës së jashtme të Kosovës.

Por ky mision e ka shndërruar atë vetëm si një “pelegrin”, që nuk po sjell diçka të veçantë për Kosovën, të paktën një njohje të rëndësishme, një shpresë për liberalizimin apo edhe ndonjë të mirë tjetër.

Vaj halli për Kosovën kur Hashim Thaçi po shfaqet në rrjetet sociale si një mazohist i politikës, duke kopjuar liderët botërorë me një laptop apo “bon tone” tjera dhe kur zëvendësi i tij Kadri Veseli nga një “burrë odash” dhe “prapaskenash” flet për MSA-në.

Shteti i Kosovës në këto kohë të vështira ka nevojë më shumë se kurrë për një përmirësim të imazhit përmes diplomacisë. Hashim Thaçi është frontmeni i kësaj pune, por diplomacia nuk është një zhdërvjelltësi apo diplomaci “alla shqiptare” që luhet në Kosovë dhe ku Thaçi deri tani vazhdimisht ka qenë sfidues dhe fitues.

Lideri i PDK-së me rolin dytësor të kryediplomatit po vazhdon të jetë ndër më të ekspozuarit në media, duke përsëritur agjendën e tij të thurur me dy tre prioritete, si: thellimin e raporteve me shtetet fqinje, njohjen ndërkombëtare, si dhe promovimin e diplomacisë ekonomike, me qëllimin për të tërhequr gjoja investitorë të huaj.

Kaluan ditë, javë e muaj dhe asgjë s’po shohim nga diplomacia e Thaçit.

Dëshira për fqinjësi të mirë

Përpjekjet e tij të sinqerta për fqinjësi të mirë dështuan që në fillim. Në Mal të Zi u prit me protesta, u quajt vrasës e xhelat, ndërsa ata pak shqiptarë që kanë mbetur atje e mikpritën, ndryshe nuk mund të ndodhte.

Vizita në Maqedoni me kasapin e shqiptarëve, Nikolla Gruevskin, në opinion u paraqit si e suksesshme, biseduan për mbledhje të përbashkëta qeveritare dhe nxitjen e investimeve, si dhe bashkërendim të aktiviteteve drejt Bashkimit Evropian.

Thaçi sikur Ali Ahmeti, dëshiron të besojë se me garniturën aktuale politike në Maqedoni, e cila me sy dhe tërë qenien është e drejtuar nga Rusia e Serbia mund të ngjiten së bashku në trenin drejt Brukselit zyrtar.

Edhe pas kësaj vizite plasi sherri dhe doli fytyra e vërtetë e sllavo-maqedonasve. Disa media e quajtën kriminel, duke e akuzuar si udhëheqës të organizatës e cila merrej me trafikimin e organeve njerëzore, drogë dhe armë.

Akuza këto të cilat rrjedhin nga raporti i Dick Martit. Ndërsa pak muaj më vonë akuzuan Kosovën për një akt terrorist në fshatin Gushincë të komunës së Likovës.

Vetë zëdhënësi i Sasho Mijallkovit dhe Gordana Jankullovskës, Ivo Kotevski deklaroi se ushtarët e UÇK-së që realizuan sulmin terrorist vijnë nga Kosova.

Qëllimi ishte të realizohet plani rus, se Kosova paraqet burim të destabilitetit të paqes në rajon dhe më gjerë. Për çudi, për këtë rast si asnjëherë më parë disa herë reagoi edhe Moska zyrtare, në të njëjtën vijë dhe linjë me Qeverinë e Maqedonisë.

Thaçit ia tregoi vendin edhe Daçiqit, i cili me deklaratat e tij, la të kuptohet se ai mund të vijë të pijë kafe në Prishtinë sa herë të dojë, por se të njëjtën nuk mund ta bëjë homologu i tij kosovar. Madje thanë se do ta arrestojnë.

Ky njeri thotë se ka bërë shumë beteja, por sikur nuk e ka mësuar leksionin dhe nuk i njeh mirë sllavët. Ata sa më shumë i përkëdhel aq më shumë egërsohen.

Dhe sikur nuk e ka kuptuar se shteti një herë duhet të forcohet nga brenda dhe pastaj të bësh diplomaci. Shtetet e korruptuara deri në palcë, shtetet ekonomikisht të dobëta dhe me shumë probleme nuk i respekton askush. Ndoshta për këtë është dashur ai dhe shokët e tij të mendojnë më herët.

Diplomacia ekonomike

Në fillim të mandatit, ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi, premtoi se do të dalë përtej politikës së jashtme tradicionale të Kosovës duke u fokusuar në diplomacinë ekonomike.

Ai tha se do të synojë që ta vendosë politikën e jashtme në shërbim të mirëqenies ekonomike të qytetarëve për të nxitur zhvillimin ekonomik dhe hapjen e vendeve të reja të punës.

Për çudi deklaratave të tij nuk i besoi asnjë qytetar i Kosovë, madje rreth 10 për qind e popullatës e braktisën vendin në kërkim të një jete të re në vendet e Perëndimit.

Askush nuk u besoi broçkullave të tij si në kohë fushate. Dhe ashtu ndodhi tash e sa muaj asnjë investitor i huaj nuk është ofruar për ta investuar kapitalin e tij në shtetin tonë.

Është e kotë, sado të çirresh e të bërtasësh, investitorët e huaj nuk vijnë në shtete ku ka korrupsion enorm, mungesë të shtetit ligjor, norma të larta të interesit, mungesë të energjisë elektrike dhe shumë probleme tjera. Kot bën diplomaci Thaçi, ai po harron se Kosova po llogaritet si një vrimë e zezë për investitorët evropianë.

Njohja ndërkombëtare

Në fillim të mandatit, ambiciet e Thaçit për njohje ndërkombëtare ishin tepër të mëdha. Ai madje kërkoi njohje edhe nga Serbia. Paralajmëroi njohje nga 5 vendet anëtare të BE-së. Vizitoi disa shtete, u sorollat gjithandej dhe në fund bilanci ishte zero, asnjë njohje.

Edhe në këtë drejtim tregoi mosdije, moskompetencë dhe mungesë të një strategjie efektive për realizimin e këtij objektivi. Megjithatë, shpresojmë dhe lutemi që derisa të jetë kryediplomat i vendit të ndodhë diçka në këtë drejtim, ndryshe do të mbahet mend si ministri më i dobët i jashtëm që ka pasur Kosova ndonjëherë. Vartësit e tij, në këto detyra dukshëm ka qenë më të suksesshëm.

Madje, mbahet mend lideri i AKR-së, Behgjet Pacolli, i cili me forcat e tij vetjake, mjetet e tij, resurset e tij, aeroplanin privat, shëtiti shumë kontinente të botës dhe solli disa njohje.

Dhe si shpërblim çfarë mori nga shoqëria jonë, u tallën me të, e nënçmuan, shpifën gjëra të ulëta. Kjo më bën të mendoj se shoqëria jonë nuk respekton vlerat njerëzore, ajo ndoshta akoma ka dëshirë që në fushata elektorale të dëgjojë gënjeshtra dhe t’u besojë atyre. Rezultati: udhëhiqemi nga gënjeshtarët, matrapazët dhe mashtruesit.

Më Shumë

Nektari i luginës së harruar

Enver Sulaj Unë nuk mund të hyj në vetminë tënde As në trishtimin tim në ditën e kryqëzimit Kur turma ulërinte drejt qiellit skëterrë. Unë nuk mund ta...

Totaj e Lladrovci diskutojnë për një bashkëpunim ekonomik

Në një takim zyrtar sot, kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj priti kryetarin e Drenasit, Ramiz Lladrovci, në prani të miqve anglezë. Diskutimet u fokusuan...

Lajmet e Fundit