12.8 C
Prizren
E martë, 30 Maj, 2023

Kamuflimi special

Enis Veliu

Raporti final i Inspektoratit të Ministrisë së Arsimit, rreth hetimit special të diplomave false në Fakultetin e Pejës, më shumë duket si një kamuflazh i parregullsive të shumta që kanë ndodhur aty, menjëherë pas përfundimit të luftës e deri në vitin 2004, sesa një iniciativë e sinqertë e ministrit aktual për zbardhjen e rastit, i cili ka njollosur rëndë sistemin arsimor në vend.

Hetimi special i iniciuar me urdhër të ministrit, Arsim Bajrami, në njëfarë mënyre hodhi poshtë listën e Prokurorisë Themelore të Pejës me 503 persona, të cilët kanë qenë të dyshuar se i kanë marrë diplomat nga ky Fakultet pa qenë ndonjëherë të regjistruar aty.

Por, nëse shikohet me hollësi shihet qartë se raporti në fjalë është i kamufluar, pasi që përmes këtij është munduar të mbyllet një megaskandal, ku janë të përfshirë persona që aktualisht mbajnë pozita të rëndësishme në vend.

Në raportin voluminoz, por jopërmbajtjesor, u konstatua se gjithçka ishte në rregull e që në realitet nuk është ashtu, pasi që inspektorët e ministrit gjatë hetimit në të shumtën e rasteve nuk kanë gjetur dosjet e personave që dyshohen se kanë falsifikuar diplomat dhe në fund kanë konstatuar se diplomat e tyre janë valide.

Edhe më tutje mbetet e paqartë se si inspektorët e Bajramit konstatuan një gjë të tillë, kur dihet se për listën në fjalë kohë më parë janë dënuar shumë punëtorë të këtij Fakulteti.

Prokuroria Themelore në Pejë përfundimisht duhet ta thotë të vërtetën e listës me 503 persona, si dhe të dy listave tjera që edhe më tutje mbahen larg syve të opinionit pa ndonjë arsye.

Por, në këtë rast heshtja e këtyre të fundit (Prokurorisë) në njëfarë mënyre tregon qartë se në këtë rast dyshohet se bëhet fjalë për një veprim të koordinuar mes përpiluesve të listës dhe të atyre që më pas e hetuan atë me një hetim special vetëm e vetëm për ta mbyllur rastin dhe për t’i amnistuar ata që dyshohen se falsifikuan diplomat.

Pa hyrë në thellësi, vetë fakti që shumë studentë që nuk kanë mundur t’i kryenin provimet në Prishtinë, më pastaj janë bartur në Fakultetin e Pejës tregon shumë qartë se këtu ka pasur shitblerje të diplomave.

Po ashtu, inspektorët e Arsim Bajramit konstatuan se gjithçka është në rregullt edhe atëherë kur personi ka kryer shkollën e mesme më 11 tetor, ndërkaq më 1 tetor ka nisur studimet në atë Fakultet.

Po ashtu, edhe shumë parregullsi dhe shkelje të rënda të identifikuara nga Prokuroria janë hedhur poshtë nga inspektorët specialë të ministrit aktual.

Mirëpo si duket përmes hetimit special, ministri aktual i Arsimit, Arsim Bajrami, është munduar më shumë ta shpërlajë veten, pasi që në kohën kur dyshohet se kanë ndodhur veprime të tilla të jashtëligjshme, ai ka qenë prorektor në Universitetin e Prishtinës, pjesë e së cilës ka qenë edhe Fakulteti i Pejës.

Mirëpo, herët a vonë skandali i shitblerjes së diplomave në këtë Fakultet duhet të hetohet si duhet nga ata që janë të thirrur për këtë punë, e jo të mbyllen rastet përmes hetimeve të bëra nga persona, që nuk janë kompetentë për një gjë të tillë.

Më Shumë

Himnet në ankand

Enver Sulaj Mbyllur në sirtar qelqi hëna tallet me shpirtra mëkatarësh fshehur në kështjella të harruara. Secili mëkon mëkatet U thur himne tinëz perëndive. Është sakrilegj të prekësh me dorë Librin...

Dëshmitari i gjashtë thotë se fshatarët kanë bërë roje nga frika prej forcave serbe

Dëshmitari i gjashtë me kodin 4355 në gjykimin e Thaçit dhe të tjerëve duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së Rexhep Selimit, avokatit...

Mona Liza

Lajmet e Fundit