20.8 C
Prizren
E martë, 30 Prill, 2024

Doktorata në UP, me kosto astronomike

UP-logoooPër të bërë një studim doktorate në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” duhet planifikuar në detaje kursimet materiale, ngase kostoja e lartë e shpenzimeve, pavarësisht cilësisë për këtë cikël studimesh, krahasuar me vendet e rajonit, mbetet dyfish më e lartë.

Derisa zyrtarë nga Rektorati për koston e këtyre studimeve e hedhin topin në oborrin e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), këta të fundit kanë thënë se çmimin e përcakton Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës që ministria ka ndikim, por jo të drejtpërdrejtë, kurse ekspertët e arsimit vlerësojnë se cilësia në këto studime nuk është në nivelin e duhur.

Një student i doktoratës për një semestër duhet të paguajë një mijë euro, kurse për një vit duhen paguar dy mijë euro. Duke bërë llogaritjet, për tre vjet sa zgjat ky cikël studimesh kostoja e këtyre shpenzimeve arrin gjashtë mijë euro.

Përderisa si shpenzime të tjera janë edhe ato që hyjnë në kuadër të paraqitjes së provimeve e që për një provim çmimi kushton 25 euro dhe nëse ia shtojmë edhe koston e blerjes së literaturës kjo shifër fryhet gjithnjë e me shumë. Kurse sa iu përket studimeve master, edhe këtu për standardin e një studenti në Kosovë çmimi prej 300 eurosh për një semestër mbetet i lartë.
Ata që pësojnë më së shumti janë studentët të cilët shumë prej tyre as nuk e kanë marrë hapin ta regjistrojnë një cikël të tillë derisa ata që tashmë janë regjistruar ankohen se kostoja e këtyre studimeve është e papërballueshme.

Zyrtarë nga Rektorati i Universitetit të Prishtinës për koston e këtyre studimeve e hedhin topin në oborrin e MASHT-it duke theksuar se çmimet për programet e studimeve në UP i cakton kjo ministri dhe, sipas tyre, ata janë të obliguar t’i respektojnë si të tilla.

Ardian Kastrati, këshilltar i rektorit Ibrahim Gashi, ka thënë për “Kosovalive360” se koston e pagesave për programet e studimeve në UP i cakton MASHT-i dhe ata janë të obliguar t’i respektojnë si të tilla. “Rektorati ka bërë një kërkesë për lirimin e kostove për këtë cikël studimesh gjatë vitit në MASHT dhe shpresojmë që do të kemi përgjigje ndërkohë”, ka thënë Kastrati.

Ragip Gjoshi, këshilltar në MASHT, ka thënë për “Kosovalive360” se koston për këto studime nuk e përcakton MASHT-i, por Këshilli Drejtues i UP-së, i cili përbëhet nga pesë anëtarë, në të cilën ministria ka ndikim, por jo në mënyrë të drejtpërdrejtë. “Studimet e doktoratës konsiderohen me shumë si luks dhe si të tilla ato më shumë janë studime në të cilën studentët duhet të vetëfinancohen më shumë”, ka deklaruar Gjoshi, duke theksuar se taksat e këtyre studimeve nuk janë shumë të larta krahasuar në rajon. Por, krahasuar me Universitetin e Tiranës, Gjoshi e pranon se atje kostoja e shpenzimeve është më e lirë, duke theksuar se buxheti i MASHT-it nuk është shumë i leverdishëm për financimin e kësaj fushe, ngase kjo është sferë doktorate që kërkon financimin e profesorëve, mentorëve dhe stafit tjetër akademik.

Halim Hyseni nga Qendra për Avancimin e Performancës së Arsimit ka thënë për “Kosovalive360” se cilësia në studimet postdiplomike në Universitetin e Prishtinës nuk është në nivelin e duhur ngase kriteret janë jashtëzakonisht të ulëta dhe interesi i atyre që shkojnë aty nuk është t’i ndërrojnë ato dhe të bëhen konkurrentë në tregun e punës. “Do të ishte e rrugës që institucionet arsimore t’i ashpërsojnë kriteret e regjistrimit dhe në këtë mënyrë do të rritej cilësia në ciklin e studimeve postdiplomike”, ka thënë Hyseni, duke shtuar se ky cikël studimesh do të ketë restrikcione të jashtëzakonshme për të ardhmen e Kosovës. Ai ka shtuar se këta njerëz janë duke u shfrytëzuar dhe degraduar, duke bërë që fatkeqësinë e tyre ta blejnë me një certifikatë, e cila nuk i plotëson në masë të konsiderueshme standardet e cilësisë ndërkombëtare të arsimit.
Adil Olluri, kandidat për doktorant në UP, ka thënë për “Kosovalive360” se kostoja për këtë cikël studimesh është e shtrenjtë dhe e papërballueshme. “Mendoj se rektorati i UP-së dhe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë duhet ta shikojnë mundësinë e përgjysmimit të shumës”, ka theksuar Olluri, duke shtuar se duhet marrë parasysh edhe kostoja e shpenzimeve në Tiranë. Ai ka thënë se atje paguhet 350 euro, ndërsa këtu 1 000, gjë që e bën të pakuptueshme dhe nonsens këtë shifër, që për kushtet që po jetohet në Kosovë, është jashtëzakonisht e lartë.

E shumë studentë, në pamundësi ta përballojnë këtë kosto astronomike në UP, e kanë parë të rrugës t’i zgjedhin universitetet e Tiranës dhe Shkupit si një alternativë më të mirë dhe më të lirë për studimet e këtij cikli studimesh.

Ndërkohë, në studimet e doktoratës për vitin akademik 2013/2014 janë pranuar kandidatët, por ende nuk kanë nisur zyrtarisht studimet në këtë cikël studimesh.

Në Fakultetin Ekonomik, Programi Banka, Financa dhe Kontabilitet janë pranuar 10 kandidatë, në Filozofik – Drejtimi Histori – janë pranuar tre kandidatë, në Fakultetin e Filologjisë, Programi Gjuhësi – janë pranuar 18, në Programin Letërsi janë pranuar gjashtë dhe në Programin Shkenca të Komunikimit dhe Gazetarisë janë pranuar 14. Kurse në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në Programin Inxhinieri Kompjuterike janë pranuar katër kandidatë, në Programin Telekomunikacion janë pranuar tre, në Fakultetin e Mjekësisë, Drejtimi Paraklinika – janë pranuar 11, Shëndetësi Publike, 10, Stomatologji, 24 dhe Klinika, 61 kandidatë. Ndërsa në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore, Programi Kimi janë pranuar pesë kandidatë, në Programin Biologji e organizmave dhe Ekologji janë pranuar tre. E në Fakultetin Juridik në Programin E Drejta Kushtetuese-Administrative janë pranuar 2 kandidatë, në Programin E drejta Ndërkombëtare një kandidat, në Programin E Drejta Financiare asnjë nga kandidat nuk i ka plotësuar kushtet për pranim dhe në Programin E Drejta Civile dhe e Drejta Penale janë pranuar nga dy kandidatë.

Më Shumë

Dallimet mes letërsisë së Shqipërisë e Kosovës, Ligjerata e Krajës, identitetet politike e rrymat letrare

Letërsia e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës është parë në kontekstin gjeografik e politik duke gjetur pika të përbashkëta dhe dallime. Nga variantet e...

“Më shumë fliste për shqiptarët në Maqedoni, se sfidat e Kosovës”: Totaj tregon detaje për takimin me Kurtin

Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, ka treguar një detaj interesant nga takimi me kryeministrin Albin Kurti. Totaj ka pohuar se 70% të kohës sa kishte...

Lajmet e Fundit