11.8 C
Prizren
E martë, 28 Maj, 2024

Miti i ndikimit të muzikës tek zgjuarsia

Muzika-pianoBesohet se t’u mësosh fëmijëve muzikë i bën ata më inteligjentë, por autorët e një studimi të ri thonë se nuk ka fakte shkencore që edukimi i hershëm muzikor ka ndonjë ndikim në inteligjencën e fëmijëve.

Rreth 80 përqind e të rriturve amerikanë mendojnë se mësimet e muzikës ndihmojnë në përmirësimin e notave të fëmijëve ose në rritjen e aftësive të të mësuarit. Në fakt, thonë ekspertët, fëmijët mund të përfitojnë shumë nga mësimet e muzikës, si krenaria që vjen me të mësuarit se si të interpretosh një këngë të re apo tek roli i muzikës si burim krijimtarie.

Hulumtues nga Universiteti Harvard në shtetin e Masaçusetsit, megjithatë, kanë zbuluar se mësimet e muzikës në moshë të vogël nuk e rrisin inteligjencën.

Hulumtuesit, të drejtuar nga Samuel Mehr i Shkollës së Arsimit, thonë se është një ide e gabuar të mendosh se mësimi i një vegle muzikore përmirëson zhvillimin e inteligjencës së një fëmije.

Mehr e bazon këtë në rezultatet e studimeve që matën aftësitë mendore të dy grupesh 4 vjeçarësh dhe prindërve të tyre. Një grup u vendos në klasë muzike, dhe tjetri në një klasë që përqëndrohet tek artet vizuale.

“Faktet thonë ‘jo.’ Ne nuk gjetëm prova për ndonjë përfitim tek testet për fëmijët që ishin pjesë e kursit të muzikës”, tha ai, transmeton VOA.

Edhe pse janë kryer dhjetëra studime për të mësuar nëse edukimi muzikor i bën fëmijët më të zgjuar, zoti Mehr thotë se rezultatet kanë qenë të ndryshme. Ai thotë se vetëm një studim, i publikuar vite më parë në revistën akademike Nature, dukej se tregonte një rritje të vogël prej 2,7 përqind në koefiçientin intelektual, mes studentëve pas një viti mësimesh muzikore.

Por zoti Mehr, i cili thotë se koefiçienti intelektual nuk është matje e mirë e inteligjencës së një fëmije, thotë se hulumtuesit vendosën të krahasojnë se si fëmijët me trajnim muzikor kryejnë detyra mendore në krahasim me ato pa mësime muzike.

Nuk u gjetën prova se grupi me trajnim muzikor ia kalonte në mënyrë të konsiderueshme grupit tjetër për detyrat mendore. Për të konfirmuar rezultatet, kërkuesit kanë kryer një studim të dytë me një grup më të madh të rinjsh dhe prindërve të tyre, dhe nuk gjetën asnjë avantazh në lidhje me mësimet e muzikës.

Edhe pse mësimet e muzikës nuk mund t’u ofrojnë fëmijëve një mënyrë më të shpejtë për të arritur të jenë pjesë e institucioneve prestigjioze akademike, zoti Mehr thotë se ata kanë një rëndësi të veçantë kulturore.

“Ne u mësojmë muzikë sepse ajo është e rëndësishme për ne. Një analogji në një fushë tjetër, për shembull, është se ne nuk e mësojmë Shekspirin në mënyrë që fëmijët tanë të jenë më të aftë në fizikë. Ne mësojmë Shekspirin sepse është e rëndësishme për ne. Dhe unë nuk mendoj se muzika duhet të jetë ndryshe nga kjo.”

Një artikull që analizon përfitimet e trajnimit muzikor të fëmijëve është publikuar në revistën akademike “PLOS ONE”.

Më Shumë

Në Srebrenicë bie shi

Enver Sulaj Varret janë shtrirë në fushën e gjerë Ngado t'i shohësh të del harta e gjelbër e atdheut. Qirinjtë varg ndriçojnë rrugicat e përgjakura Shiu s'e shuan...

Në Gjonaj të Hasit përkujtohet 25 vjetori i “Shigjetës”

Në Gjonaj të Hasit po përkujtohet 25 vjetori i Operacionit “Shigjeta”, Drejtimi Operativ 2. Në këtë manifestim përkujtimor po marrin pjesë ish-udhëheqës të luftes së...

Lajmet e Fundit