17.5 C
Prizren
E enjte, 12 Qershor, 2025

DokuFest dhe Komuna e Prizrenit përplasen për mbështetjen financiare të festivalit

DokuFest dhe Komuna e Prizrenit janë përplasur për mbështetjen financiare të festivalit
Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër.

DokuFest ka shprehur shqetësimin dhe zhgënjimin e tij lidhur me vendimin e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport të Komunës së Prizrenit për të ulur ndjeshëm mbështetjen financiare për edicionin e këtij viti. Sipas organizatorëve të festivalit, fondet e ndara janë reduktuar me 30% krahasuar me vitin e kaluar, pavarësisht rritjes së buxhetit të përgjithshëm për kulturë.

Në një komunikatë zyrtare, DokuFest ka theksuar se kjo është hera e dytë radhazi që mbështetja për festivalin zvogëlohet, duke e lënë atë me më pak se 9% të buxhetit të përgjithshëm të festivalit.

Organizatorët e konsiderojnë këtë vendim si një goditje ndaj identitetit kulturor të qytetit dhe një hap prapa në zhvillimin e një prej ngjarjeve më të rëndësishme kulturore në Evropën Juglindore.

“Ne mendojmë që kjo nuk është vetëm një çështje buxhetore, por është një vendim që godet themelet kulturore të qytetit tonë dhe është në kundërshtim me gjithçka që kemi ndërtuar bashkë për afro çerek shekulli”, thuhet në reagimin e festivalit.

DokuFest ka rikujtuar se çdo vit, në muajin gusht, festivali e transformon Prizrenin në një hapësirë kulturore ndërkombëtare, duke sjellë filma, performanca, punëtori, ekspozita dhe debate. Ky ndikim kulturor shoqërohet edhe me efekte të matshme ekonomike dhe sociale. Sipas të dhënave të Administratës Tatimore të Kosovës dhe Institutit GAP, në edicionin e vitit 2024, festivali ka tërhequr mbi 16,700 vizitorë, prej të cilëve rreth 5,000 ishin ndërkombëtarë. Vizitorët kanë shpenzuar rreth 4.1 milionë euro gjatë festivalit, duke rritur qarkullimin e bizneseve lokale me 29% në muajin gusht krahasuar me korrikun.

Përveç ndikimit ekonomik, festivali ka gjeneruar mbi 100 vende pune sezonale për të rinjtë dhe ka përfshirë 120 vullnetarë, të cilët kanë fituar aftësi të rëndësishme për Ekonominë Kreative në Kosovë. Për 24 vite me radhë, DokuFest ka pozicionuar Prizrenin në hartën botërore të kulturës, duke sjellë artistë, turistë dhe profesionistë nga mbi 60 vende të botës.

Megjithatë, organizatorët e festivalit e konsiderojnë vendimin e Komunës për të mos e trajtuar DokuFest-in si një partner strategjik kulturor si të pakuptimtë dhe të dëmshëm për ekosistemin kulturor të ndërtuar me përkushtim ndër vite.

“DokuFest nuk është vetëm një ngjarje, por është një investim në të ardhmen kulturore dhe ekonomike të qytetit. Festivali do të vazhdojë misionin e vet, por u bëjmë thirrje të gjithë partnerëve tanë: artistëve, qytetarëve, institucioneve, donatorëve dhe dashamirësve të kulturës të qëndrojnë me ne. Kultura nuk është luks. Është identitet. Është zëri i qytetit!”.

Nga ana tjetër, Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Komunën e Prizrenit ka reaguar ndaj pretendimeve të DokuFest-it, duke theksuar se mbështetja për festivalin gjatë katër viteve të fundit ka qenë rreth gjysmë milioni euro.

Në komunikatën e saj, DKRS ka shprehur krenarinë për mbështetjen financiare dhe logjistike të ofruar për festivalin, duke e cilësuar atë si një aset të rëndësishëm kulturor jo vetëm për Prizrenin, por për gjithë Kosovën.

“DokuFest-i është krenaria e Kosovës, jo vetëm e Prizrenit. Një festival që i ka sjellë dhe vazhdon t’i japë shumë qytetit tonë të kulturës, artit, trashëgimisë dhe historisë. Komuna e Prizrenit është krenare për mbështetjen e vazhdueshme ndaj festivalit gjatë katër viteve të këtij mandati, duke e mbështetur jo vetëm financiarisht, por edhe në të gjitha kapacitetet e tij. Rreth 500 mijë euro është vlera e mbështetjes për DokuFest-in gjatë katër viteve (2022-2025), si dhe mbështetje e pakursyer logjistike, organizative dhe hapësira në shfrytëzim,” thuhet në reagimin e DKRS-së.

Komuna e Prizrenit ka bërë të ditur se e sheh DokuFest-in si pjesë të pandashme të identitetit të qytetit dhe se mbështetja do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

“Si vazhdimësi e këtij partneriteti afatgjatë, në edicionin e kaluar, kryetari Shaqir Totaj organizoi një pritje për të gjithë artistët dhe mysafirët e festivalit, duke përcjellë mesazhin që i kishte munguar qytetit. E njëjta praktikë do të vazhdojë edhe këtë edicion”.

DKRS ka theksuar se përveç DokuFest-it, në Prizren zhvillohen edhe shumë festivale të tjera të njohura dhe aktivitete që e gjallërojnë qytetin gjatë gjithë vitit.

“Komuna i mbështet të gjitha dhe ka qenë e hapur, bashkëpunuese dhe shumë dashamirëse me DokuFest-in, për çka e pret të njëjtën edhe nga drejtuesit e Festivalit,” përfundon komunikata e DKRS-sw./PP/

 

Më Shumë

LDK në Prizren uron qytetarët për festën e Kurban Bajramit

Lidhja Demokratike e Kosovës, dega në Prizren, ka përcjellë një mesazh urimi me rastin e festës së Kurban Bajramit për të gjithë qytetarët e...

Nesër Xhoxhaj bokson kundër Alievit

Boksieri nga Kosova, Labinot Xhoxhaj, i cili është kampion aktual evropian i peshave të rënda në EBU, do të ngjitet nesër në ring ku...

Lajmet e Fundit