5.7 C
Prizren
E premte, 11 Prill, 2025

DokuFest shndërron tërë Prizrenin në një kinema

Prizreni prej mëngjesit ka filluar të marr frymë ndryshe, dhe nga përditshmëritë e deritanishme, tashmë po shihen sinjalet e një feste. Qytetarët e Prizrenit tash e sa vite janë mësuar me këtë ndryshim në dhjetëditëshin e parë të gushtit, dhe, pos thyerjes së monotonisë që sjellin qytetet e vogla, ata përgjatë këtyre ditëve janë edhe më energjik, duke pas parasysh se edhe të hyrat për kokë banori dukshëm janë më të mëdha, për dallim prej muajve të tjerë të vitit.

Organizatorët e DokuFest fillimisht nuk kishin pasur idenë se nëpërmjet iniciativës së tyre do të rritet edhe buxheti i këtij qyteti. Dëshira e tyre qysh në fillim ishte të bënin një festival të mirë, që po nëpërmjet këtij festivali të dërgonin një mesazh në botë, se në Kosovë dinë të bëjnë festival filmi.

Dhe jo në fillim ishte një përgjigje e tillë e filmdashësve, sikurse është tash e disa vite në DokuFest, ku Eroll Bilibani, drejtor i DokuFest ka thënë për KultPlus se qysh sot, ende pa u hapur festivali, Prizreni ka marë një pamje të një kinemaje në qiell të hapur.

Producentë, regjisorë, përfaqësues të festivaleve, gazetarë, artistë e studentë tashmë kanë zbritur në këtë qytet, të cilët disa po e shijojnë këtë pamje para nisjes së festivalit e të tjerë po shohin se ku mund ta fusin kokën për tetë mbrëmje, sa zgjatë edhe festivali.

Mirëpo, jo edhe bizneset vrapojnë pas këtyre ngjarjeve sikurse vrapojnë artistët. Përderisa nëpër festivale të ndryshme botërore, kompani prestigjioze bëjnë gara se cilët do të arrijnë ti fusin banerët e tyre në festivale, në Kosovë ende është problem sigurimi i fondeve për realizimin e synimit të nisur, edhe pse, DokuFest tashmë ka një përvojë 15 vjeçare.

Bilibani ka thënë për KultPlus se ProCredit Bank vazhdon të mbetet mbështetja më e pakushtëzuar e DokuFest, dhe për mbi një dekadë ka qenë një model investimi që vjen nga sektori privat, e që ka reflektu në suksesin e festivalit, sikurse që ka ndikuar në zhvillimin e kulturës, në veçanti në qytetin e Prizrenit.

Kurse Albena Çarkaxhiu menaxhere e departamentit të Marketingut në ProCredit Bank ka thënë për KultPlus se ProCredit Bank ka besuar në DokuFest që nga vitet e para, duke qenë një ndër mbështetësit kryesor për 12 vjet me radhë.

“Banka ProCredit si një institucion që vazhdimisht mbështet ngjarjet e mirëfillta në Kosovë e posaçërisht ato që kontribuojnë në mënyrë të drejtpërdrejt në zhvillimin e kulturës, ka besuar në DokuFest që nga vitet e para, duke qenë një ndër mbështetësit kryesor për 12 vjet radhazi”, ka thënë ajo për këtë festival që vlerësohet të jetë më i rëndësishmi në rajon.

Dhe pikërisht për rëndësinë e mbështetjes së festivaleve dhe ngjarjeve kulturore, Bilibani e sheh edhe në ngecjen e ligjit për sponsorizim.

“Në bote, financimi i ngjarjeve, qofshin ato festivale, apo evenimente tjera kulturore janë të përcaktuara me ligj dhe me mekanizma të ndryshme, siç janë ligjet për sponsorizim. Kjo në njëfarë forme do ta lehtësonte edhe sektorin e biznesit, por edhe sektorin e pavarur kulturor. Përderisa ky ligj është inekzistent në Kosovë, kultura do të pësojë, dhe praktika e afrimit të eventeve tek bizneset do të vazhdoje, dhe jo të ndodh anasjelltas”, ka thënë Bilibani .

Sipas tij, për realizim te DokuFest, buxheti duhet të jetë në dispozicion së paku 6 muaj më herët, pasi që shumica e shpenzimeve lidhen me blerjen e biletave të aeroplanit, dhe vonesat në sigurimin e biletave me kohë na kushtojnë shumë.

“Për ilustrim, fondet e zotuara të MKRS’se në vlerë prej 30,000 eurove do të shpenzoheshin në formë shumë më optimale po ti kishim pranuar më së voni në muajin mars. Sipas te gjitha gjasave, këto fonde do të arrijnë ose gjatë festivalit ose pas festivalit, dhe vlera blerëse e fondeve do të devalvon aq shumë sa që ne llogarisim të mos i tejkalojnë as 10,000 Euro. E kjo vetvetiu neve na paraqet një sfidë, nganjëherë të papërballueshme, pasi që planifikimi ynë i bërë qysh në fillim të vitit bjer në ujë. Unë po du me e cek gatishmërinë e disa ambasadave për ta kuptuar këtë fenomen, sikurse që është rasti me Ambasadën Norvegjeze, të cilët fondet e zotuara na i kanë siguruar qysh në fillim të vitit”, ka thënë Bilibani.

Pavarësisht kësaj, organizatorët janë përgatitur për një festë të madhe në këtë edicion, ku pritet të shfaqen 238 filma nga 57 vende të botës. Prezantimi i filmave do të bëhet në disa lokacione, dhe përpos filmave ka edh programe të tjera ku artdashësit mund ti shijojnë përgjatë këtyre ditëve deri në përmbyllje të edicionit të 15-të./KultPlus.com

Më Shumë

“E drejtë e fituar, por jo e zbatuar” – Gjuha rome në përdorim zyrtar vetëm në letër

Të moshuarit nga komuniteti rom. Kjo kategori e pëson më së shumti nga mungesa e përkthyesve të gjuhës rome në institucionet komunale në Prizren,...

Raportohet për arrestimin e disa pelegrinëve serbë në Prizren

Policia e Kosovës ka ndaluar dhe shoqëruar sot disa pelegrinë serbë në pjesën e Shatërvanit, në Prizren. Siç raporton Sinjali me burime, personat në fjalë...

Lajmet e Fundit