Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) në bashkëpunim me Prokurorin e Shtetit dhe “Ec Ma Ndryshe” kanë organizuar të premtën në Prizren tryezën “Drejtësia në zgjedhjet e 3 nëntorit”, me pjesëmarrjen e të gjithë akterëve të institucioneve të drejtësisë të nivelit qendror dhe lokal, me kandidatët e partive politike, shoqërinë civile dhe mediat.
Betim Musliu nga IKD tha se qëllimi i kësaj tryeze ishte ngritja e debatit dhe senzibilizimi i të gjithë akterëve, partive politike dhe opinionit të gjerë rreth gatishmërisë së institucioneve të drejtësisë për të luftuar çdo veprim në drejtim të manipulimit të votave në zgjedhjet e 3 nëntorit 2013.
“IKD vitin e kaluar ka publikuar raportin “Krimi i Organizuar në zgjedhje: Analizë e politikës së ndjekjes dhe dënimeve”, në të cilën kishte bërë rekomandime konkrete rreth rolit proaktiv që duhet ta ketë Prokurori i Shtetit në rastet që ndëlidhen me veprat penale kundër të drejtav të votimit. Sivjet me iniciativë të Kryeprokurorit të Shtetit, z. Ismet Kabashi me 18 shtator 2013 është nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi “Lidhur me zgjedhjet 2013” në mes Këshillit Prokurorial të Kosovës, Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Policisë së Kosovës, Komisionit Qendror Zgjedhor dhe Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa me qëllim të ngritjes së bashkëpunimit dhe koordinimit në mes të këtyre institucioneve në ndërmarrjen e aktiviteteve për luftim të suksesshëm të veprave penale kundër të drejtave të votimit duke përfshirë këtu, edhe parandalimin e këtyre veprave penale që bien ndesh me legjislacionin në fuqi. Si rezultat i këtij memorandumi Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorin e Shtetit kanë përpiluar Procedurat Standarde të Veprimit (PSV) për të shtuar efikasitetin e veprimeve për veprat penale kundër të drejtave të votimit”, tha Musliu.
Koordinatorja Nacionale për zgjedhje nga Prokurori i Shtetit, Laura Pula, tha se për dallim nga zgjedhjet e kaluara këtë herë roli i Prokurorit të Shtetit është shumë proaktiv, pasi është nënshkruar memorandum bashkëpunimi dhe janë krijuar PSV. “Dua tua bëjë me dije të gjithëve se roli i prokurorëve do të jetë si asnjëherë më parë proaktiv. Në të gjithë territorin e Kosovës në ditën e zgjedhjeve do të kooperojnë 50 prokuror së bashku me Hetues nga Policia e Kosovës”, tha Pula. Ajo theksoi se parimi kryesor që del nga PSV-të është ndalim/arrestimi i të gjithë personave të cilët në një apo mënyrë tjetër do të veprojnë kundër të drejtave të votimit. Pula tha se pas këtij veprimi të përbashkët të policëve dhe prokurorëve, konform dispozitave ligjore prokurorët do të kërkojnë nga gjyqtari i procedurës paraprake caktimin e masës së paraburgimit, i cili gjyqtar poashtu do të jetë kujdestar në ditën e votimit. “Ju inkurajoj si Koordinatore Nacionale që të gjithë qytetarët të dalin në zgjedhjet e 3 nëntorit dhe të votojnë lirshëm në mënyrë demokratike, sepse institucionet e drejtësisë do të jenë kujdestar gjatë gjithë procesit zgjedhor për të garantuar se do të ndiqen penalisht të gjithë ata që tentojnë të manipulojnë me votën e tyre”, tha Pula.
Kurse, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren Sylë Hoxha, tha se tashmë janë caktuar prokurorët kujdestar që do të bashkëpunojnë me hetuesinë dhe policinë. “Në Prizren veç kanë filluar të zbatohen PSV-të. Në bazë të këtyre procedurave ne kemi inicuar tri raste, me të cilat tashmë po merremi intensivisht”, tha Hoxha.
Nërsa, koordinatori për zgjedhje nga Policia e Kosovës, Rashit Qalaj, tha se Policia e Kosovës ka përgatitur planet e veprimit dhe se policët në bashkëpunim me prokurorët do të veprojnë si asnjëherë më parë për të zbatuar PSV-të. “PSV-të të bazuara në ligjet ekzistuese do të mundësojnë një veprim efikas të policëve dhe prokurorëve dhe ne do të veprojmë me urgjencë për t’i përgjigjur në mënyrë adekuate secilit keqpërdorim të zgjedhjeve”, tha Qalaj.
Ndërkaq, gjykatësi në Gjykatën Themelore të Prizrenit, Xhevdet Elshani, tha se politika e dënimeve për rastet që ndërlidhen me zgjedhjet është ashpërsuar nga gjykatat, duke shqiptuar dënime kryesisht me burgim efektiv. “Rastet e zgjedhjeve janë paksa të koklavitura. Hetimet nga prokurorët nuk kanë qenë më adekuatet dhe kjo na ka krijuar vështirësi në shqyrtimin e këtyre rasteve. Momentalisht në gjykatën tonë gjenden 21 lëndë që po procedohen dhe janë në gjykim e sipër. Prej tyre dy raste kanë përfunduar sa kanë qenë gjykatat komunale”, tha Elshani.
Në tryezë u tha se Kodi Penal me Kapitullin e kushtuar veprave penale kundër të drejtave të votimit ka ashpërsuar dënimet. Debati rreth manipulimit të zgjedhjeve nuk është ndalur për asnjë moment dhe në çdo vendim apo proces të rëndësishëm për Kosovën, çështja e manipulimit të votave ka zënë vend kyç në debat. Për zgjedhjet e 3 nëntorit 2013, institucionet e drejtësisë kanë nënshkruar Memorandumin e Bashkëpunimit “Lidhur me zgjedhjet 2013” si dhe kanë krijuar Procedura Standarde të Veprimit për të vepruar para, gjatë dhe pas ditës së votimit lidhur me veprat penale kundër të drejtave të votimit.
Përfaqësuesit e partive politike, pjesa dërrmuese kandidatë për kryetarë, duke përgëzuar iniciativën dhe duke shprehur se këto aktivitete kanë munguar pikërisht në zgjedhjet e kaluara, kanë ngritur shqetësimet e tyre rreth përbërjes së komisioneve në vendvotime, sikurse menaxhimi që ushtrohet nga njerëz të deleguar nga politika si dhe numër disproporcional të komisionerëve, ku koalicioni qeverisës ka shumicën./PrizrenPress.com/